U zhvillua në qytetin e Ulqinit konferenca shkencore “Ana e Malit nga lashtësia deri sot” në 20-vjetorin e shoqatës “ORA”
Në datën 12 prill 2025 u zhvillua në qytetin e Ulqinit konferenca shkencore “Ana e Malit nga lashtësia deri sot”.
Kjo konferencë u zhvillua me rastin e 20-vjetorit të shoqatës “ORA”. Organizimi dhe realizimi i këtij aktivitetit shkencor u arrit me një cilësi dhe disiplinë të lavdërueshme shkencore dhe shënoi një ngjarje me rëndësi për krahinën e Anës së Malit.
Tematikat e trajtuara me kompetencë nga studiues nga Ana e Malit, Shqipëria dhe Kosova përfshinin shumë aspekte të jetës historike, sociale dhe kulturore të kësaj krahine me tradita shumë të vyera. Atje u paraqitën tema me shumë interes nga arkeologjia, historia, gjuhësia historike dhe krahasuese, gjeografia, demografia, turizmi apo personalitete shkencore të shquara të krahinës.
Në këtë aktivitet kontribuuan edhe disa studiues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë si akad. asoc. Gëzim Hoxha, prof. dr. Romeo Gurakuqi, dr. Ardian Muhaj dhe dr. Eduart Caka. Kjo pjesëmarrje është vijim i një tradite shumë të mirë të bashkëpunimeve të krijuara prej shumë vitesh. Punimet e këtij sesioni shkencor do të përmbyllen me një botim cilësor. Vlerat e pashtershme historike dhe kulturore të Anës së Malit e lënë të hapur shtegun për të organizuar aktivitete të tjera jubilare edhe në kohët e ardhshme. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është dhe do të jetë përgjithmonë bashkëpunuese aktive në mbështetje të aktiviteteve të tilla vlerësuese dhe promovuese.