U zhvillua mbledhja e redaksisë vendore për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”
Më 10 mars 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua mbledhja e redaksisë vendore Tiranë, që kishte si objekt raportimin nga koordinatorët për ecurinë e punës dhe përfundimin e fazës së dorëzimit të fjalësit të njësuar të projektit madhor “Enciklopedia shqiptare”.
Në takim morën pjesë kryeredaktori për “Enciklopedinë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave; sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave akad. Anila Hoda; drejtori i Qendrës së Studimeve Enciklopedike dhe Albanologjike (QBEA) dr. Arian Leka; drejtuesi i redaksisë vendore Tiranë dhe përgjegjës i sektorit të Enciklopedisë shqiptare akad. Shaban Sinani; akad. Kosta Bajraba; akad. Ilirjan Malollari; akad. Anastas Angjeli; akad. Adem Bunguri; prof. Perikli Qiriazi; prof. Aleksandër Xhuvani, si dhe anëtarë të redaksisë vendore e koordinatorë të fushave.
Takimi u hap nga akad. Skënder Gjinushi. Ai theksoi se dorëzimi i fjalësve të njësuar prej 27 redaksive të fushave të projektit “Enciklopedia shqiptare”, përfshi edhe integrimin e propozimeve të redaksisë së posaçme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shënon përfundimin e njërës prej fazave më të rëndësishme të punës. Me dorëzimin e fjalësit të unifikuar vërehet se kanë marrë zgjidhje pjesa më e qenësishme e problematikave për një fjalës të përbashkët të njësuar dhe të stabilizuar, që përbën pasaportën e trashëgimisë kombëtare shqiptare, pa kufij kohorë, gjeopolitikë, kulturorë, dialektorë dhe fetarë. Ai theksoi se u është dhënë zgjidhje edhe pjesës më të madhe të çështjeve të diskutuara në takimet e Vërmicës (tetor, 2024) dhe të raportuara nga takimet mes redaksive të grupfushave (korrik- dhjetor 2024) dhe redaksive të fushave (janar-mars 2025).

Me përfundimin e këtij procesi i hapet rruga bashkimit paraprak të lëndës enciklopedike në një amzë të përgjithshme të “Enciklopedisë shqiptare”, të alfabetizuar, të numerizuar dhe të plotësuar me vërejtje, shënime e adresime në shërbim të hapave të mëtejshëm për qëmtime teknike e përmbajtësore në vijim të procesit.
Drejtuesi i redaksisë vendore akad. Sinani dha një informacion për gjendjen e fjalësve të fushave të trashëgimisë kulturore, arteve skenike, pamore dhe multimediale, ngulimeve historike dhe diasporës, të religjioneve dhe komunikimit e mjeteve të komunikimit. Ai theksoi se janë dorëzuar fjalësit e bashkuar e të unifikuar nga të gjitha redaksitë dhe është siguruar panorama për lëndën enciklopedike, e cila paraqitet më e plotë dhe ofron informacion të shumanshëm. Me zgjidhjen e detyrës së dorëzimit të fjalësve në këtë formë garantohet që Enciklopedia shqiptare nuk do të jetë një bashkim formal trashëgimish, por pamje integrale e saj.
Drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dr. Arian Leka, pasi dha një informacion për gjendjen e fjalësve të fushave të letërsisë dhe gjuhësisë, vlerësoi bashkimin e prurjeve enciklopedike në një amzë të përbashkët. Ai tha se ky bashkim po shmang në pjesën sunduese përsëritjet e vëna re më herët, duke bërë të mundur që artikulli enciklopedik të shfaqet vetëm një herë dhe te fusha më përfaqësuese, duke bërë njëkohësisht shmangien e dubleteve konceptuale dhe përfshirjen e disa zërave të veçantë në zëra më përmbledhës.

Dr. Leka theksoi se elementi i pavarësimit të “Enciklopedisë shqiptare” nga prurjet e mëhershme të karakterit enciklopedik (FESH, FEK) është ruajtur. Kemi të bëjmë me lëndë dhe qasje të re, pasi artikujt e propozuar të ESH-së janë kryesisht terma të rinj apo të rishikuar rrënjësisht, krahasuar me FESH-in dhe FEK-un. Të dhënat e pasqyruara në dy tabelat e statistikuara që kanë si qëllim të orientojnë prurjet për njësitë enciklopedike, gjithsej 12 880 artikuj, dëshmojnë gjithashtu edhe zbatimin e njërit prej kritereve themelore në hartimin e kësaj enciklopedie, siç është ai i përfaqësimit kryesisht përmes termave të përgjithshëm, e jo përmes termave të përveçëm, personaliteteve, siç është në natyrë të fjalorëve enciklopedikë të botimeve paraardhëse.
Në vijim, anëtarja e redaksisë vendore Tiranë akad. Anila Hoda dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të bujqësisë dhe blegtorisë, mjekësisë dhe mjedisit.
Akad. Ilirjan Malollari dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të shkencave të natyrës: matematikë-fizikë, kimi-biologji, gjeologji-miniera dhe industritë e teknologjitë.
Akad. Anastas Angjeli dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të ekonomisë dhe financës.

Akademik Kosta Barjaba dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të shkencave shoqërore, sporteve, sistemeve politike e drejtësisë.
Akad. Adem Bunguri dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të arkeologjisë; lashtësia, mesjeta, bizanti, periudha osmane dhe rilindja, histori e shek. XX, historia ushtarake (Lufta II botërore).
Prof. Perikli Qirjazi dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të gjeografisë fizike dhe sociale.

Prof. dr. Aleksandër Xhuvani dha një informacion për gjendjen e fjalësit të njësuar të fushave të energjisë dhe energjetikës, industrisë dhe teknologjisë.
Më tej vijuan diskutimet për ecurinë dhe problematikat e hasura në redaksitë e fushave që koordinojnë, që do t’i paraprijnë takimit dypalësh të redaksive vendore Tiranë-Prishtinë gjatë muajit mars 2025.
Disa nga problematikat e vërejtura në takim që kërkojnë zgjidhje ishin: titullimi i disa njësive, sidomos nga redaksi të fushave shoqërore dhe albanologjike. Në disa raste vazhdon të mbetet me strukturë fjalie, periudhe, fraze. Karakteri proliks shkakton përhumbjen e fjalës-çelës që identifikon njësinë. Disa titullime, të cilat përmbajnë që në krye qëndrim paralajmërues, mund të merren nga lexuesi si qëndrim subjektiv i njëanshëm. Kjo ndodh kur titulli përmban në formën e vet fillestare një epitet.
Një tjetër problematikë është çështja formale e shkrimit, ku nuk është përfillur rekomandimi i redaksisë qendrore, që emërtimet e përveçme në këtë fushë të mos shenjohen me rend të ndërsjellë, si emrat e personaliteteve, por me strukturë togfjalëshi.
Gjithashtu, paraqesin probleme rastet e ndarjes së të njëjtës njësi në disa pjesë jo për shkak të ndryshimit të brendshëm të tyre, por thjesht për shkak të periodizimit të përgjithshëm të historisë etj. Ka dhe ndonjë rast ku nuk janë përfshirë në tërësinë e tyre propozimet e redaksisë së posaçme të ngritur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.