U zhvillua mbledhja e redaksisë qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”
Më 20 mars 2025 Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e redaksisë qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve” për shqyrtimin e dy vëllimeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”.
Në takim morën pjesë anëtarët e redaksisë qendrore akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Neritan Ceka, prof. dr. Paskal Milo, prof. dr. Ferit Duka dhe drejtori i Qendrës së botimeve Enciklopedike e Albanologjike (QBEA) dr. Arian Leka.
Në fjalën e tij drejtori i QBEA-së bëri një përshkrim të ecurisë së punës gjatë procesit të organizimit të veprës, duke theksuar se të dyja vëllimet ndriçojnë momentet historike kryesore, figurat më të spikatura dhe ngjarjet madhore. Është bërë një punë e mirë për evidentimin e periudhave historike, të organizimit social, politik e kulturor të shqiptarëve në territoret e banuara prej tyre, në rritjen e cilësisë e shkrimit të materialit shkencor dhe në forcimin e argumentimin e plotë të tezave për trashëgiminë iliro-arbërore.
Akad. Pëllumb Xhufi foli për përmirësimet që duhen bërë në përcaktimin e saktë të emërtimit të periudhave historike dhe shmangien e tezave të pasigurta. Ai vlerësoi punën e bërë në vëllimin “Lashtësia”, ku theksoi se është bërë një trajtim i mirë i periudhave historike dhe në përcjelljen e njohurive arkeologjike në linjën e argumenteve historike.
Anëtarët e tjerë të redaksisë qendrore vijuan me diskutime për përmirësimet e disa zërave në përmbajtjen e dy veprave.
Prof. dr. Milo diskutoi për saktësimin e autorëve dhe shmangien e mbivendosjeve e saktësimin e citimeve.
Anëtarët e redaksisë diskutuan së bashku për saktësimin e disa burimeve historike, termave historike të para në këndvështrimin e koherencës së ngjarjeve, si dhe për një përkujdesje të veçantë për saktësimin e titujve për periudhat e përfshira në të dyja veprat.
Prof. dr. Ceka bëri vlerësime për shkrimin e historisë së mesjetës. Ai tha se materialet janë të punuara mirë nga autorët. Nga anëtarët e redaksisë u diskutua për një përkujdesje të veçantë nëse është e nevojshme apo jo që të shkurtohen tekste. Gjithashtu u diskutua edhe për respektimin e periodizimit të lashtësisë dhe mesjetës.
Prof. dr. Ferid Duka tha se është bërë një punë e jashtëzakonshme në hartimin e dy vëllimeve të veprës “Historia e shqiptarëve”. Ai shprehu përgëzimet e tij për autorët e veprës akad. Pëllumb Xhufin dhe prof. dr. Cekën dhe dha disa ide për përmirësimin e pasqyrës së lëndës dhe për një koordinim sa më të mirë të fazave historike, nga një autor tek tjetri.
Gjithashtu, edhe prof. dr. Paskal Milo vlerësoi cilësinë e shkrimit të dy vëllimeve dhe shprehu idetë e tij për shkurtimin e disa referencave në rast se kanë mbivendosje.
Në mbyllje të kësaj mbledhjeje, anëtarët e redaksisë miratuan në konsensus të plotë propozimet për redaktimet përfundimtare të dy vëllimeve të para të “Historisë së shqiptarëve”, “Lashtësia” dhe “Mesjeta”.