U zhvillua konferenca shkencore për prezantimin e projektit “Cilësia e jetës në të sëmurët me kancer - post diagnozë dhe trajtim - vlerësimi i parë në Shqipëri”

Konferenca shkencore u mbajt më 26 shkurt 2026 me organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nën përgjegjësinë e Komisionit të përhershëm të mjekësisë pranë saj dhe në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë, Fakultetin e Mjekësisë, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (Shërbimi i Onkologjisë) dhe Institutin e Shëndetit Publik. Projekti u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Prezantimi i projektit u moderua nga akad. Genc Sulçebe, kryetar i Komisionit të përhershëm të mjekësisë (ASHSH) dhe prof. asoc. Albana Fico.

Në fjalën e hapjes së konferencës shkencore, prof. asoc. Fico vlerësoi rezultatet e punës dyvjeçare, si dhe bashkëpunëtorët e mbështetësit e projektit. Ajo u shpreh se sëmundja tumorale është një sfidë e madhe kudo në botë, ku më pak e vlerësuar mbetet sfida se si preket cilësia e jetës post-diagnozë. Sipas prof. asoc. Ficos, ky studim hap rrugën për një trajtim më të plotë të të sëmurëve dhe është një angazhim serioz në veprimtarinë e këtij procesi.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, pjesëmarrësit dhe organizatorët i përshëndeti sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, e cila vuri në dukje strategjitë e drejtimit të punës kërkimore. Ajo tha se Akademia e Shkencave e Shqipërisë e koncepton rolin e saj si një urë midis kërkimit shkencor, praktikës klinike dhe politikave shëndetësore duke vendosur gjithmonë në qendër njeriun dhe mirëqenien e tij fizike, psikologjike dhe sociale. Akademia e Shkencave e Shqipërisë sipas sekretares shkencore është e përkushtuar ndaj qasjes multidisiplinare, duke nxitur ndërthurjen e dijes në fusha të ndryshme të shkencës. Në këtë frymë, ajo angazhon studiues të mirënjohur nga disiplina të ndryshme që kontribuojnë në komisione shkencore dhe në njësi të përkohshme siç është dhe rasti i Komisionit të Mjekësisë një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë projekt. Akad. Hoda u shpreh se një vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit ndërinstitucional ku ASHSH-ja ka marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë, ku kanë zhvilluar baza konkrete për studim shkencor. Gjithashtu, po bëhen përpjekje për një marrëveshje bashkëpunimi me QSUNT “Nënë Tereza”, ndërkohë që bashkëpunimi me AKKSHI-n është shumë efektiv dhe funksional për sa iu përket projekteve kërkimore.

Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Armela Baka, vlerësoi punimet e kësaj konference si një studim shkencor që shkon përtej një takimi akademik, si një rezultat ndërinstitucional, duke u bërë një shembull i shkëlqyer për mundësitë e zhvillimit të kërkimit shkencor në vendin tonë. Më tej ajo u shpreh edhe për mbështetjen e vazhdueshme të MA-së në kërkimet shkencore.

Drejtoresha e QSUNT-së znj. Anxhela Paparizo theksoi se kjo është një veprimtari shkencore që sjell për herë të parë në Shqipëri një vlerësim të strukturuar mbi cilësinë e jetës tek pacientët me kancer. Ajo theksoi se programi pasqyron një gamë të gjerë temash, nga prirjet e kancerit në Shqipëri, te desinformimi në epokën digjitale, rëndësia e stadit të paraqitjes së tumorit, trajtimi psikoemocional dhe roli kyç i parandalimit përmes vaksinimit ndaj HPV-së.

Znj. Mirela Muço, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), si institucion financues i projektit kërkimor “Cilësia e jetës në të sëmurët me kancer në Shqipëri – post diagnozë dhe trajtim- vlerësimi i parë në Shqipëri” e vuri theksin në investimin e qëndrueshëm në kërkimin shkencor cilësor, në teknologjitë inovative dhe bashkëpunimin institucional duke shkuar drejt zgjidhjeve konkrete në diagnostikimin e hershëm, si dhe diagnostikim e personalizuar e cilësinë e jetës së pacientëve. Ajo u shpreh se qëllimi i agjencisë është të kontribuojë në avancimin e dijes shkencore duke krijuar një urë të fortë midis Akademisë, sistemit shëndetësor dhe politikëbërjes. Projekti që do të prezantohet sot është një shembull konkret i këtij angazhimi: ai përfaqëson investimin e kapaciteteve vendëse, një ekspertizë multidisiplinare dhe një qasje inovative ndaj një problematike me ndikim të gjerë shoqëror.

Më tej ajo vuri në dukje arritjet e Agjencisë me financimin e 60 projekteve nga AKKSHI, ku janë angazhuar mbi 300 pedagogë, kërkues shkencor, studiues, studentë e më gjerë.

Zv.rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. dr. Hektor Sula, theksoi se kjo konferencë është një mundësi e mirë për të reflektuar mbi sfidat që hasin pacientët me kancer, për të diskutuar qasje të reja diagnostike, trajtim të individualizuar, menaxhim të simptomave dhe mbështetje psikologjike e sociale që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.

Pjesë e projektit që u prezantua në këtë konferencë ishin pedagogët mbështetës dhe studentët e rinj, të cilët janë në hapat e para të rrugëtimit të tyre profesional si: prof. asoc. Albana Fico, prof. Brikena Qirjazi, dr. Rovena Daja dhe Gerald Tahiri, Dorina Toçi, Helidon Nina, Fatjona Kraja, Ervin Toçi, Brikena Qirjazi, Steljana Lapa, Esra Leshi, Gerta Elezaj, Albana, Mimoza Dosti, Irsida Gjoka, Alketa Çoku.

Në fokus të prezantimeve të projektit ishin faktorët që kushtëzojnë shfaqjen e kancerit në Shqipëri, trajtimi i të sëmurëve me kancer dhe parandalimi i sëmundjes, vështruar në perspektivën e arritjeve dhe përmirësimeve në trajtimet tona klinike.