U zhvillua konferenca shkencore “Ndryshimet klimatike dhe uji: mbyllja e hendekut të paralajmërimit të hershëm së bashku”
Në datën 25 mars 2025 Njësia kërkimore e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi konferencën shkencore “Ndryshimet klimatike dhe uji: mbyllja e hendekut të paralajmërimit të hershëm së bashku”.
Në këtë veprimtari morën pjesë inxhinierë dhe kërkues të fushës shqiptarë dhe të huaj, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe agjencive politikëbërëse dhe zbatuese të lidhura ngushtë me çështjen, staf akademik dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë.
Drejtuesi i Njësisë kërkimore gjeoshkencat dhe gjeoinxhinieritë akad. Rrapo Ormëni hapi konferencën. Ai shprehu falënderimet për pjesëmarrjen dhe kontributin me punimet shkencore dhe vuri në dukje se kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të 75-vjetorit të hyrjes në fuqi të konventës së themelimit dhe krijimit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM). Kjo konferencë synon të përmirësojë paralajmërimet e hershme dhe menaxhimin e rreziqeve natyrore. Më tej, ai theksoi se konferenca është fryt i bashkëpunimit të grupit kërkimor shkencor “Toka dhe mjedisi” brenda Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxinierisë (ASHSH) nën drejtimin dhe organizmin nga prof. asoc. Albana Hasimi, në bashkëpunim të ngushtë me njësi të tjera pranë Akademisë së Shkencave dhe institucioneve kërkimore shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë.
Znj. Anila Shehi, drejtoresha e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se zhvillimi i kësaj konference na ofron mundësinë të diskutojmë mbi sfidat dhe zgjidhjet më të mira për menaxhimin e burimeve ujore, si dhe për përmbushjen e angazhimeve tona për zbatimin e kërkesave, si dhe të direktivave të BE-së për ujin. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është ligji i ri “për burimet ujore”, i cili synon të vendos baza më të forta për mbrojtjen dhe menaxhimin e këtyre burimeve.
Parandalimi dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike duhet të shoqërohen me investime të qëndrueshme, monitorim të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, akademisë dhe aktorëve të tjerë. Roli i kërkimit shkencor është thelbësor në këtë proces, duke ndihmuar në hartimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe forcimin e vendimmarrjes.
Në përfundim të fjalës së saj, drejtoresha e AMBU-së falënderoi Akademinë Shkencave për organizmin e kësaj veprimtarie dhe për kontributin e vazhdueshëm në avancimin e kërkimit shkencor mbi çështjet e ujit.
Në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave përshëndeti akad. Neki Frashëri, kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike. Ai theksoi se kjo konferencë do të kontribuojë në mbrojtjen më të mirë të mjedisit, sinimizimin e dukurive ekstreme të motit dhe përfshirjen e kërkimit shkencor në ecurinë e punës në fushën e emergjencave civile, duke përmirësuar sigurinë kombëtare.
Dr. Armend Agushi, drejtor i institutit Hidrometerologjik të Kosovës mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh për urgjencën e veprimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe përgjegjësinë e përbashkët të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizmave të tjerë globalë për sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë. Forcimi i bashkëpunimit do të kontribuojë për një të ardhme më të qëndrueshme të burimeve ujore.
Në hapjen e kësaj konference u mbajtën edhe dy referate kryesore nga prof. dr. Petrit Zorba (Instituti i Gjeoshkencave, UPT) dhe Besim Aliu (Instituti Hidrometrologjik i Kosovës), përmes të cilave të pranishmit u njohën me përqasje të reja të të dhënave, ku krijohen lidhje mes politikës dhe klimës, me ndryshimet klimatike dhe diversifikimin e energjisë në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe nevojën për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm në Republikën e Kosovës.
 
Më pas vijuan katër sesione shkencore, gjatë të cilave u prezantuan 30 studime shkencore, me interpretime dhe zgjidhje të reja për ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në rajonin e biosferës, menaxhimin e burimeve ujore, ndikimin e ndryshimeve klimatike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndryshimet klimatike dhe ndikimet mbi zgjatjen e periudhës së vegjetacionit të bimësisë dhe nevojat për ujë, etj.
Në këtë veprimtari u përfshinë 72 studiues dhe 22 institucione kërkimore universitare, administrative dhe biznesi nga Shqipëria e Kosova. Gjatë zhvillimit të sesioneve të kësaj konference prezantuan punime shkencore: prof. asoc. Albana Hasimi, akad. Neki Frashëri, prof. dr. Sabri Avdullahi, dr. Gazmir Çela, prof. dr. Hajri Hasko, Rovena Metoja, prof. Rigers Bakiu, dr. Anita Berberi, dr. Blerina Papajani, dr. Sonila Marku, dr. Astrit Shatro, dr. Adisa Daberdini, dr. Dhurata Ndreko. Daniel Pirushi, Bujana Xhindoli, dr. Entela Vako, prof. Aurel Nuro, prof. asoc. Bledar Myrtaj, dr. Majlinda Meçaj (Sina), Adrian Dhimitri, prof. asoc. Elsa Dindi, dr. Ariol Lule, Kristi Thodhorjani, Olgert Gjuzi, dr. Oltion Fejzollari.