U zhvillua konferenca e tretë ndërkombëtare e Institutit Kombëtar të Fizikës
Në datat 2 dhe 3 qershor 2025 u mbajt konferenca e tretë ndërkombëtare e Institutit Kombëtar të Fizikës (IKF). Meqenëse 2025-a është shpallur viti ndërkombëtar i teknologjisë kuantike, konferenca pati në fokusin e saj arritjet madhore në këtë fushë qendrore të fizikës.
Veprimtaria u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi rolin e IKF-së si një qendër bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ai theksoi angazhimin e ASHSH-së në përballimin e sfidës së emigrimit të trurit dhe në promovimin e dijeve bashkëkohore në fizikë, duke nxitur ekselencën dhe krijimin e një hapësire të përbashkët për fizikanët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Akad. Gjinushi nënvizoi gjithashtu përfshirjen aktive të shkencëtarëve shqiptarë të diasporës, të cilët kontribuojnë në punën e IKF-së njësoj sikur të ishin në Shqipëri.
Seanca e parë plenare, me temë “Fizika kuantike”, u moderua nga drejtoresha e IKF-së, akad. Mimoza Hafizi. Në këtë seancë, akad. Rexhep Meidani prezantoi referatin e tij mbi problemin e matjes në teorinë kuantike, ndërsa akad. Floran Vila dhe prof. dr. Fatos Ylli sollën kumtesën mbi kontributin e teorisë kuantike në strukturën atomike dhe aplikimet praktike të saj.
Më tej, në të njëjtën seancë, prof. dr. Robert Mochkovitch nga Instituti i Astrofizikës në Paris foli mbi “Shpërthimet e rrezeve gamma – shpërthimet më të fuqishme në Univers”, ndërsa Silvano Tosi nga Universiteti i Gjenovës paraqiti temën mbi misionin “Euclid” dhe studimin e universit të errët.
Sesioni i dytë, i moderuar nga Silvano Tosi, përfshiu prezantimet e studiuesve: Albi Kerbizi (Universiteti Lund & INFN Trieste), Sefer Avdiaj (Universiteti i Prishtinës) dhe Dalin Boriçi (Universiteti Paris Cité), me tema që përfshinin ndërveprimet elektron-elektron në kavitete të modifikuara, fazat kuantike fraksionale të Hall-it, dhe modelimin e korrelacioneve kuantike.
Sesioni i tretë dhe i katërt i ditës së parë, të moderuara nga prof. Dodë Prenga (Departamenti i Fizikës, FSHN) dhe dr. Margarit Gjoka (INN, NCSR Demokritos, Greqi), iu kushtuan fizikës së trupit të ngurtë dhe shkencës së materialeve. Në to referuan studiues të njohur si: Karolina Głoëacka (Universiteti i Varshavës), Orion Çiftja (Prairie View A&M University, SHBA), Toni Shiroka (PSI & ETH Zyrih), Ardian B. Gojani (Secopta analytics, Gjermani), Orion Gërguri (PSI, Zvicër), dhe Mario Frakulla (Universiteti Drexel, SHBA).
Dita e dytë e konferencës përfshiu dy sesione tematike: “Fizika kompjuterike, simulimet dhe fizika mjekësore”, i moderuar nga dr. Albi Kerbizi, dhe “Kozmologji dhe astrofizikë”, i moderuar nga prof. dr. Robert Mochkovitch. Në këto sesione morrën pjesë studiues nga universitete dhe spitale kërkimore shqiptare dhe të huaja si: prof. dr. Hiqmet Kamberaj, prof. as. dr. Klaudio Peqini, dr. Xhulia Dosti, dr. Ervis Telhaj, prof. as. dr. Lindita Hamolli, Ester Oshafi, prof. as. dr. Odeta Çati, dr. Mendrit Latifi, Marsida Laze dhe dr. Alba Domi.
Në mbyllje të konferencës dyditore, u paraqitën konkluzionet mbi rëndësinë e shpërndarjes së rezultateve më të fundit të kërkimit shkencor në fizikë dhe teknologjinë kuantike, duke përfshirë edhe mësimdhënien. U diskutua gjithashtu mbi konsolidimin e rrjetit të bashkëpunimit ndërmjet fizikanëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe zgjerimin e mëtejshëm të IKF-së me anëtarë të rinj.
Kjo ishte konferenca e tretë ndërkombëtare e organizuar nga IKF, pas atyre të mbajtura në shkurt 2022 dhe prill 2023, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë edicion u realizuan 24 prezantime nga 70 studiues të njohur: 17 nga Shqipëria, 4 nga trojet shqiptare, 10 fizikanë shqiptarë të diasporës dhe 39 studiues të huaj nga institucione prestigjioze europiane dhe amerikane, si: Robert Mochkovitch (Instituti i Astrofizikës, Paris), Silvano Tosi (Universiteti i Gjenovës), dhe përfaqësues të CERN-it.