U mbajt në Prishtinë konferenca dyditore ndërkombëtare “Studimet albanistike te sllavët e jugut”
Punimet e konferencës u zhvilluan në datat 27–28 tetor 2025, me organizimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH).
Kjo veprimtari mblodhi bashkë studiues të njohur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Rusia, Gjermania etj.
Aktivitetin e hapi akad. Rexhep Ismajli, i cili mbajti edhe referatin kryesor me temën: “Studimet albanistike dhe përgjithësisht shqiptare te sllavët e jugut”.
Akad. Gëzim Hoxha mbajti fjalën përshëndetëse në emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai e vlerësoi takimin, jo vetëm si një përmbledhje studimesh, por edhe si një akt të vetëdijshëm reflektimi mbi mënyrën si është ndërtuar e si vazhdon të ndërtohet njohja për shqiptarin dhe tërësisht për kulturën shqipe në optikën studimore të fqinjëve sllavë.
Akad. Hoxha solli në kujtesë mozaikun e pasur të marrëdhënieve – herë me dialog e herë me tension- që e kanë shoqëruar historinë e mendimit ballkanik nga Jovan Cvijiçi e Franc Miklošiči, tek Milan Shuflai, Fanoula Papazoglou e Pavle Mijovići, tek Rajko Nahtigali, Aleksandar Beliçi dhe Ivan Popoviçi, apo studiuesit më të rinj bashkëkohorë.
Gjithashtu, akad. Hoxha vlerësoi kontributet që vijnë në këtë konferencë nga fushat kërkimore-studimore si arkeologjia, etnografia, muzikologjia dhe historiografia, të cilat tregojnë se albanologjia e sotme është gjithmonë më shumë se sa vetëm një disiplinë gjuhësore e dikurshme. Ai tha se areali i studimeve albanologjike përbën sot një komponente të rëndësishme thelbësore në kulturat e Evropës Juglindore dhe shërben më së miri si një urë ndërlidhëse dhe interpretimi ndërmjet këtyre kulturave.
Gjatë dy ditëve të konferencës u paraqitën mbi pesëdhjetë kumtesa nga studiues të fushave të ndryshme të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, muzikologjisë dhe studimeve kulturore.
Nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institutet pranë saj paraqitën disa kumtesa:
Akad. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën me temën: “Historiografia e sllavëve të jugut dhe shqiptarët: mes akribisë historike dhe engeneering-ut ideologjik”.
Akad. Adem Bunguri paraqiti kumtesën: “Romaja si model i kërkimit shkencor në arkeologjinë e gjysmës II të shek. XX në Kosovë”.
Akad. Gëzim Hoxha mbajti kumtesën me temën: “Pavle Mijović dhe trashëgimia arkeologjike e hapësirës ndërkufitare malazezo-shqiptare”.
Akad. Vasil Tole mbajti kumtesën për kontributin e kompozitorit Bojan Adamič në Shqipërinë e pasçlirimit.
Akad. Shaban Sinani në ligjëratën e tij trajtoi çështje të shqiptarëve bashkëkohës në shkrimet publicistike të Milan Šufflay-t.
Prof. dr. Anila Omari foli për kontributin e Ivan Popovićit për etnogjenezën e shqiptarëve dhe në albanologji.
Prof. dr. Evalda Paci mbajti kumtesën “Rreth vëzhgimeve historike dhe kulturore të Át Donato Fabianich O.F.M. (një sprovë analitike)”.
Prof. asoc. Marenglen Kasmi mbajti kumtesën me temën “Aspekte nga historiografia jugosllave për Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Prof. dr.Aleksander Rusakov u paraqit me kumtesën me titull “Franc Miklošič dhe problemi i adaptimit të huazimeve foljore në gjuhën shqipe”.
Prof. dr. Aljula Jubani dhe Ledio Hala paraqitën punimin “Shqipja si faktor aktiv në gjuhësinë ballkanike: Qasja e Aleksandar Belićit”.
Prof. dr. Aleksandër Dhima paraqiti kumtesën me temën: “Ndihmesa e Živko Mikićit mbi antropologjinë e ilirëve”.
Prof. dr. Mimoza Priku paraqiti kumtesën me temën: “Një qasje për diminutivët e shqipes nga Vojislav S. Dančetovići”.
Prof. dr. Dhimitri Bello paraqiti kumtesën me temën: “Një emër i veçantë në studimet bashkëkohore albanologjike në Bullgari: Kontributi i Ekatarina Tarpomanovës”.
Më tej, pjesëmarrësit e kësaj konference nga Kosova, vendet e rajonit dhe Europa (sipas programit bashkëngjitur) paraqitën në kontekstin e gjuhësisë historike dhe ballkanistike, trajtesa nga fusha të ndryshme të historisë, arkeologjisë, folklorit e dhe më gjerë që prekin çështje themelore të kontakteve të shqipes me sllavishten, nga huazimet leksikore e fonetike, deri te ndikimet morfosintaksore apo modelet e përbashkëta të frazeologjisë.