U promovua monografia shkencore "Edi Rama – Neuroestetika e një artisti" e autorit Oltsen Gripshi
Sot më 14 tetor 2025, Komisioni i Përhershëm i Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi veprimtarinë për promovimin e monografinë shkencore: “Edi Rama – Neuroestetika e një artisti” të autorit Oltsen Gripshi.
Ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi; anëtarë të tjerë të Kryesisë së ASHSH-së, studiues dhe studentë të arteve.
Moderatorja Suzana Varvarica Kuka, në fjalën e mirëseardhjes e vlerësoi monografinë e autorit Gripshi për risitë në fushën estetike të arteve pamore.
Promovimin e hapi zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole. Ai e vlerësoi monografinë për qasje shumë të veçanta, siç është neuroestetika, por dhe për veçoritë e procesit artistik të Ramës që Gripshi ka vendosur në fokus të punimit të tij.
“Duke u kthyer te libri i Oltsenit, konstatova me kërshëri se autori arrin të qartësojë çështjen kryesore që njeriu si artist është i përbërë nga një trup i vetëm, ku lidhja e krijimtarisë së tij artistike frymon përmes fenomeneve psikomotorike, të përbëra nga mendimet, përfytyrimet, ndjenjat dhe gjendjet psikike, të cilat ruhen në nënvetëdijen e artistit dhe përshfaqen e lulëzojnë me krijimin e veprës së artit.
Autori Oltsen Gripshi ka një meritë të veçantë, se synon zbulimin e aktit të pikturimit të Edi Ramës përmes përvojave estetike në nivelin neurologjik, e si i tillë kjo qasje vjen për të parën herë në fushat e studimeve mbi artet pamore shqiptare. Ai e ka parë atë si një shembull unik, do të thosha, për të shpjeguar dhe kuptuar proceset e drejtpërdrejta të krijimit përmes neuroshkencës. Studiuesi e ka parë pikturën e Ramës si një “materie ekzistencialiste pararendëse të imagjinatës”, dhe këtë përkufizim e arrin duke iu afruar fenomeneve që studion kjo nëndisiplinë e estetikës së aplikuar.” – tha akad. Tole.
Gjithashtu, akad. Tole e vlerësoi librin për ilustrimin me veprën e artistit dhe për tekstin studimor, ku evidentohen disa procese krijuese në pikturë, si: psikika e imazhit, neuroestetika si sintezë e imazhit, estetika semiotike, pavetëdija e gjuhës pamore, si dhe dhjetëra koncepte të tjera, të cilat i referohen perceptimit përmes formulave dhe logaritmeve shkencore.
Veprimtaria vijoi me kumtesat e personaliteteve të shquara të artit dhe mendimit estetik shqiptar.
Prof. dr. Josif Papagjoni referoi rreth vlerave të artistit Edi Rama dhe monografisë së Gripshit. Ai e vendosi krijimtarinë e artistit Rama në plejadën e krijuesve, të cilët pas rënies së komunizmit u shfaqën me një shpërthim të ri artistik si refuzim i butaforisë dhe figurativitetit të realizmit socialist. Ata sollën një model tjetër të pikturës, që siç e ka quajtur Gripshi, shpjegohet nëpërmjet neuroestetikës, një term i ri që e lëvron Oltseni vetë, i cili e ka mbrojtur doktoraturën në Itali.
Sot me këtë libër, Oltseni ka sjellë një modelim të ri estetik mbi veprën artit, paçka se nuk është shumë vëllimor, por është një libër që mua më duket se sfidon: më së pari për qasjen e tij studimore, estetike, që nuk e kam parë më herët në mendimin kritik shqiptar për pikturën, e cila sot e kësaj dite nuk futet dot në “qelizën” dhe në “protoplazmën” sesi lind imazhi, sesi lind vepra në pikturë. Ai përpiqet në këtë rast ta shikojë veçanërisht Edi Ramën si piktor, larg këndvështrimit si politikan dhe pushtetar. –tha prof. dr. Papagjoni.
Prof. dr. Hivzi Muharremi tha se monografia e autorit Oltsen Gripshi është një vepër që ngrihet mbi një mision të dyfishtë: të afirmojë krijimtarisë e Edi Ramës si artist pamor dhe njëkohësisht ta vendosë atë brenda një kornize teorike moderne, ku psikologjia, filozofia dhe neuroshkenca bashkohen për të shpjeguar përvojën estetike.
Ai vuri në dukje se ky libër paraqitet si i pari studim i plotë mbi artin e Ramës, duke u përqendruar në pikturën e tij dhe duke e interpretuar atë jo thjesht si shprehje individuale, por si një produkt i një ndërthurjeje komplekse midis imagjinatës, pavetëdijes dhe perceptimit njerëzor. Për lexuesin artdashës, libri është një udhëtim që e afron me laboratorin e brendshëm të një artisti bashkëkohor, ndërsa për studiuesit e artit dhe kritikës vizuale ai është një kontribut metodologjik: Gripshi sjell neuroestetikën si mjet për të analizuar artin, duke e pozicionuar Ramën në një traditë të re të abstraksionizmit lirik pasbashkëkohor.
Studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka u shpreh se më së shumti mendimet e saj rreth këtij libri, lidhen me mendimet e Giuliano Lombardos, i lindur në Romë më 1971-shin, artist dhe profesor i Teorisë së Perceptimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, që shprehet se: “Në procesin e shqyrtimit më të afërt dhe zbulimit se arti mund të marrë çdo formë, si grafika, vizatimi, piktura, skulptura etj, shihet se tipari më dallues i artit nuk është të magjepsë dhe të çudisë publikun në një formë të këndshme, por është të “ndryshojë mendjet e njerëzve”.
Këtë përcaktim të Lombardos, studiuesi Gripshi në kapitullin “Estetika semiotike: thelbi gnoseologjik përtej formave” tenton ta thotë në mënyrën e tij kur shkruan se: “Edi Rama e përdor formën…tkurrja e realitetit në thelbin e veçorive të tij elementare reflektohet në interpretimin e tyre përmes gjuhës së stilizuar e të thjeshtëzuar pamore… Një lloj përhumbje brenda një labirinti ngjyrash dhe një assamblage formash të ngjashme me shkrimin kuneiform, ku gjithkush kërkon të zbulojë misterin dhe botëkuptimin që fshihet pas mesazheve”.
Të shqyrtosh një vepër arti është vërtet të zbulosh një mister dhe kur zbulon një mister në imazhin e saj, natyrshëm ndryshon mënyrën e të menduarit. Natyrisht, që ta bësh këtë duke përfshirë apo u udhëhequr nga nëndisiplina shkencore, neuroestetika nuk është gjë e thjeshtë dhe e lehtë, është një impenjim neurofilozofik. Mendoj se Oltsen Gripshi ia ka dalë me sukses.” – tha studiuesja e artit Varvarica.
Në fund, autori Oltsen Gripshi falënderoi veçanërisht Kryetarin e Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushin për pjesëmarrjen dhe hapësirën që u jepet të rinjve në veprimtaritë e Akademisë së Shkencave; zëvendëskryetarin e ASHSH –së dhe drejtuesin e Komisionit të Përhershëm të Artit, akad. Vasil Tolen, profesorët e studiuesit që morën pjesë në veprimtari, si dhe të gjithë organizatorët e saj.