U promovua libri “Shteti dhe minoritetet në Shqipëri” i autorit Beqir Meta
Në kuadër të Panairit të Librit Tirana 2025 Instituti i Historisë promovoi librin me titull “Shteti dhe minoritetet në Shqipëri (1925 – 1939) me autor akad. Beqir Metën.
Studimi monografik u prezantua nga akad. Marenglen Verli si një risi dhe njëherësh arritje e suksesshme e autorit, i cili është një studiues me përvojë të gjatë në punën shkencore.
Akad. Meta trajton gjendjen e minoriteteve kombëtare dhe të pakicave të tjera etnokulturore, gjuhësore etj. Gjatë periudhës së konsolidimit të shtetit shqiptar, si dhe raportet e këtyre pakicave me shtetin e shoqërinë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe minoritetet zhvillohen dhe integrohen më mirë në shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Raportet e tyre me shtetin dhe institucionet shqiptare janë pozitive dhe afirmohen gjithnjë e më shumë. Ato marrin pjesë gjerësisht në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe sociale të vendit, duke u bërë një shembull pozitiv në Ballkan dhe Europë.
Studimi rrok disa problematika kryesore. Së pari, trajtohet gjendja e minoriteteve në aspektet demografike, ekonomike, arsimore e kulturore.
Së dyti, trajtohet me gjerësi qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj minoriteteve, ndaj të drejtave të tyre. Në këtë kuadër është analizuar edhe raporti i tij me minoritetet, dhe reagimi i minoriteteve ndaj politikave të shtetit shqiptar e institucioneve të tij.
Së treti, evoluimi i statusit të minoriteteve gjatë viteve 1925-1939, përbën një linjë tjetër të këtij studimi.
Së katërti, është analizuar problematika e minoriteteve si objekt i institucioneve dhe i legjislacionit ndërkombëtar të asaj kohe, ndikimi që ajo ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Po kështu, është pasqyruar ndikimi i faktorëve të jashtëm në marrëdhëniet e minoriteteve me shtetin shqiptar.
Së pesti, problemet e minoriteteve në Shqipëri janë trajtuar në një mënyrë krahasuese me problematikën që kanë ndeshur popullsitë shqiptare jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, por edhe më në përgjithësi me politikat që kanë ndjekur shtetet fqinje ndaj minoriteteve gjatë kësaj periudhe. Kjo ka qenë e domosdoshme, jo vetëm për të kuptuar karakteristikat dhe natyrat specifike të politikës së shtetit shqiptar në raport me ato të shteteve ballkanike, por edhe për të analizuar ndikimet reciproke që ato kanë pasur te
njëra-tjetra.
Autori i librit akad. Beqir Meta theksoi se problemet e minoriteteve ishin objekt i rëndësishëm i marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Këto probleme kanë zënë një vend të gjerë në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, në radhë të parë me Greqinë, e më pak me Jugosllavinë, Rumaninë, Bullgarinë, por edhe me Fuqitë e Mëdha, kryesisht me Britaninë e Madhe dhe më pak me Italinë. Gjithashtu, intensive kanë qenë edhe marrëdhëniet me Lidhjen e Kombeve. Problemi i minoriteteve në Shqipëri ka qenë i lidhur ngushtë edhe me aspekte të tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Për realizimin e këtij studimi është kryer një punë kërkimore e gjerë në bibliotekat dhe arkivat shqiptare e të huaja.
Gjatë diskutimeve, akad. Meta foli më konkretisht, për ndërthurjen e problematikave të procesit të jetësimit dhe konsolidimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me problemet e minoriteteve, reale ose të stisura nga faktorë të jashtëm. Po kështu, është trajtuar gjerësisht edhe ndikimi i politikës së përgjithshme arsimore të shtetit shqiptar, përpjekjet e tij për rritjen e përmbajtjes kombëtare të sistemit arsimor në arsimin e minoriteteve dhe anasjelltas.
Argumentet dhe analizat që janë bërë në këtë studim, kanë synuar pikërisht vendosjen e kësaj vije demarkacioni në mënyrë sa më të qartë e të saktë, me qëllim që të qartësohej e kthjellohej mjegullnaja, herë e qëllimshme, herë e paqëllimshme që ka krijuar politika dhe një pjesë e historiografisë së huaj për këtë çështje. Këto analiza kanë synuar të jenë sa më objektive, dhe në këtë kontekst nuk kemi pasur asnjë hezitim për të pasqyruar e argumentuar edhe ato momente kur shteti shqiptar ka cenuar të drejtat ligjore të minoriteteve, sado të vogla apo momentale të ishin ato.
Në fund, autori i librit “Shteti dhe minoritetet në Shqipëri (1925 – 1939) akad. Meta shprehu falënderimet për të gjithë kontribuuesit në botimin e librit.