U promovua libri “Shqipëria dhe Kosova” (1941-1999) i autorit Hamit Kaba
Në kuadër të Panairit të Librit Tirana 2025 Instituti i Historisë promovoi librin “Shqipëria dhe Kosova” (1941-1999), përmbledhje me studime të autorit akad. Hamit Kaba.
Libri u prezantua nga prof. dr. Marenglen Kasmi. Ai tha se autori Kaba e përcakton qartë natyrën e librit. Ai nuk është një përmbledhje rutinë artikujsh, por një vepër me një koncept të unifikuar që sintetizon më shumë se tri dekada kërkimesh mbi historinë e shqiptarëve. Akad. Kaba thekson se botimi i tyre në një libër të vetëm ka përparësi për autorin dhe për lexuesin: autori paraqet studimet e tij të viteve të fundit, lexuesi e ka më të lehtë të përzgjedhë temat e tij të parapëlqyera.

Në pjesën e parë të librit paraqiten studime të cilat fokusohen te marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë e Kosovës gjatë Luftës së Ftohtë dhe Luftës së Dytë Botërore, por edhe studime të tjera që kanë në sfond historinë diplomatike dhe atë ndërkombëtare, por me bosht historinë e shqiptarëve. Ndër studimet e përzgjedhura bëjnë pjesë edhe “Konferenca për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë (KSBE) – ‘mollë e ndaluar’ për shqiptarët”, “Dilemat e Nolit për regjimin politik në Shqipëri: Zogu dhe Enveri”, “Komunizmi shqiptar: Ngjashmëri dhe veçori me vendet e tjera komuniste të Europës Lindore e Qendrore (1944-1948)”, disa figura të njohura e të panjohura shqiptarësh jashtë vendit, si Tajar Zavalani, Konstandin Çekrezi, Stephen Peters etj.
Historia e përpjekjeve të Shqipërisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, gjatë periudhës së regjimit komunist, të ndërprera pas pushtimit italian zënë vend qendror në këtë libër. Armiqësia ndërmjet tyre mori në disa raste nuancat e një “lufte të nxehtë”. Shqipëria – një vend aleat, që kontribuoi në fitoren mbi fashizmin, nuk arriti të stabilizonte marrëdhëniet diplomatike me shtetet e lartpërmendura, ndërkohë që vende të tjera të Ballkanit, si Rumania e Bullgaria, që ishin rreshtuar me Fuqitë e Boshtit arritën të rivendosnin marrëdhëniet me demokracitë perëndimore. Deri në mesin e viteve ’60, iniciativën për të rivendosur marrëdhëniet me dy Fuqitë perëndimore e mori qeveria shqiptare, ndërsa pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, qeveria e SHBA-së dhe e Britanisë së Madhe. Qeveria shqiptare i refuzoi kërkesat e Departamentit të Shtetit për të filluar negociatat me Shqipërinë, ndërsa Britanisë së Madhe iu la dera gjysmë e hapur, por duke kërkuar paraprakisht që Shqipërisë t’i kthehej ari monetar i bllokuar, për shkak të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Krahas të tjerave, afrimi i Britanisë së Madhe me Shqipërinë në vitet ’70-’80 u shërbente interesave të Perëndimit, për të frenuar apo për të penguar rikthimin e Shqipërisë në Bllokun Komunist dhe në Traktatin e Varshavës. Por bisedimet e mesit të viteve ’80 ndërmjet delegacioneve shqiptare e britanike, “dështuan në mënyrë të suksesshme”. Marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe u rivendosën në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve, akad. Kaba foli kryesisht për pjesën e dytë të këtij libri me disa studime për Kosovën, ku ka pasur mundësi të konsultohet me burime arkivore shqiptare, amerikane, britanike, ruse e jugosllave dhe studime të tjera dhe është përpjekur që t’u jap përgjigje pyetjeve, nëse faktori ndërkombëtar kishte shfaqur ndonjë interes për Kosovën dhe statusin e saj të ardhshëm brenda Jugosllavisë apo edhe bashkimin e saj me Shqipërinë pas mbarimit të LDB-së, nëse vetë Kosova kontribuoi sa dhe si duhet për kauzën antifashiste aleate, nëse Kosova kishte mundësi reale të bashkohej me Shqipërinë pas mbarimit të saj, nëse PKSH-ja e sabotoi apo e “shiti” Kosovën, sa dhe si ndikoi faktori ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ja në ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia e mbetur në vitin 1999 etj.
Që nga rënia e komunizmit, çështja e qëndrimit të PKSH–PPSH-së ndaj çështjes së Kosovës është debatuar ashpër si në rrethet akademike, ashtu edhe në diskursin publik. Artikulli “Kosova në udhëkryq gjeopolitik: Shqipëria, Jugosllavia dhe Fuqitë e Mëdha (1945-1948)” ndërhyn brenda këtij debati të diskutueshëm me synimin për të hedhur më shumë dritë mbi të.
Akad Kaba ka përfshirë në këtë libër ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981. Ai tha se këto ngjarje shënjuan faktin që, shqiptarët nuk kënaqeshin me statusin e fituar në vitin 1974, por kërkonin të ishin republikë, sikurse kombet e tjera të Jugosllavisë. Sa herë që në Kosovë ndodhin ngjarje të rëndësishme, shtrohet pyetja se ç’bëri Shqipëria? Përgjigjja e kësaj pyetjeje vlen jo vetëm për demonstratat e vitit 1981, por edhe për historinë më të fundit të Kosovës. Pa dyshim që Shqipëria e sotme e dalë nga diktatura dhe izolimi ka më shumë potencë dhe ndikim se më parë.
Studimet e fundit për Kosovën kanë në fokus rolin e vendeve perëndimore dhe sidomos të SHBA-së në shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia e mbetur, krijimin e shtetit të pavarur dhe rrugëtimin e tij.
Ne fund autori Kaba shprehu mirënjohjen për të gjithë kolegët që kanë kontribuuar në përmirësimin e studimeve të këtij libri dhe veçanërisht ndaj dy recensentëve, prof. as. dr. Sonila Boçi dhe prof. as. dr. Ilir Kalemaj. Ai falënderoi gjithashtu edhe kontribuuesit për realizmin teknik të këtij botimi.
