U promovua libri “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” i autorit Adem Bunguri
Në kuadër të Panairit të Librit Tirana 2025 Komisioni i Përhershëm i Historisë dhe Instituti i Arkeologjisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, promovuan librin monografik me titull “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” të autorit Adem Bunguri.

Libri u prezantua nga prof. dr. Neritan Ceka. Ai tha se objekt i këtij punimi është trajtimi i përkrenareve ilire prej bronzi, të zbuluara në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Është fjala për 40 ekzemplarë të përkrenareve të tipit ilir në të dyja vendet tona, 33 në Shqipëri dhe 7 në Kosovë. Përveç tyre, katalogu përfshin edhe 5 përkrenare të tipave të tjerë, të gjetura në Shqipëri: një përkrenare e tipit korinthik, një e tipit atik me strehë, një e tipit maqedonas dhe dy të tipit kelt, nga të cilat vetëm njëra është prej bronzi. Janë përfshirë, gjithashtu, edhe elemente të tjera të armatimit mbrojtës, që plotësojnë kompletin luftarak të princërve ilirë të periudhës arkaike dhe antike, si dhe të dhëna numizmatike për këto armë mbrojtëse.
Botimi i monografisë ndihmon për të krijuar një përfytyrim më të plotë mbi zhvillimin tipologjik dhe kronologjik të përkrenareve ilire dhe përforcon hipotezën e prodhimit të tyre në punishte metalpunuese vendase, që mendohet të kenë ekzistuar në zonat metalifere të Shqipërisë, me një traditë më të hershme metalurgjike.
Monografia “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” u vlerësua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, prof. dr. Skënder Muçaj e studiues e kolegë të Institutit të Arkeologjisë.

Akad. Bunguri e ka nisur punën për ketë monografi para shumë vitesh. Ai shprehet se mendimi për një studim analitik për përkrenaret ilire në Shqipëri dhe në Kosovë, i erdhi me zbulimin e përkrenareve të Sofraçanit (Dibër) në vitin 2008, gjatë hapjes së trasesë së “Rrugës së Arbërit” dhe u formësua me zbulimet e reja në vijimësi. Informacionet e përditësuara për përkrenaret ilire në Shqipëri dhe në Kosovë, rrethanat e zbulimit, tipat dhe variantet e përfaqësuara, si edhe gjeografia e përhapjes së tyre, kanë pasuruar dukshëm bazën e të dhënave për këtë pajisje të armatimit mbrojtës. U mundësua trajtimi i të gjitha përkrenareve tona, sipas kritereve të reja të botimit, duke përfshirë në radhë të parë, hartimin e database-it dhe katalogimin e tyre. Katalogu përfshin vendgjetjen, rrethanat e zbulimit, vendruajtjen, numrin e inventarit, gjendjen e ruajtjes, përmasat, peshën, përshkrimin formalo-tipologjik, referencat dhe bibliografinë.
Akad. Bunguri shprehu mirënjohjen dhe falënderime të veçanta për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen logjistike për lëvizjet nëpër muzetë e qyteteve të ndryshme të vendit ku ruhen përkrenare ilire (Korçë, Pogradec, Gjirokastër, Apoloni, Krujë, Shkodër dhe Peshkopi), si dhe për botimin e kësaj monografie. Ai falënderoi gjithashtu, recensuesit, prof. Neritan Cekën dhe prof. Skënder Aliun për vlerësimet e tyre pozitive, si dhe gjithë kontribuuesit që bënë të mundur daljen në dritën e botimit të këtij libri.
