U promovua libri “Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit” i autorit Dilaver Kurti
Në kuadër të Panairit të Librit Tirana 2025 Instituti i Arkeologjisë dhe Komisioni i përhershëm i arkeologjisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, promovuan librin “Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit” e autorit Dilaver Kurti (1934 – 1998).
Prezantimi i librit u bë nga akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, i cili e vlerësoi Dilaver Kurtin si një nga bashkëpunëtorët shkencorë më aktivë dhe më të suksesshëm të arkeologjisë sonë të viteve ‘60-’80. Libri që kemi në dorë është një përmbledhje studimesh arkeologjike të shkruara dhe të botuara vite më parë në literaturën shkencore nga arkeologu Kurti. Ato trajtojnë kulturën ilire të pellgut të Matit dhe vendin e saj në grupin kulturor Glasinac-Mat, kulturën arbërore të këtij pellgu si dhe vijimësinë e pandërprerë kulturore nga ilirët e periudhës protohistorike dhe antike tek arbrit apo shqiptarët e Mesjetës së hershme.
Kultura ilire e Matit, për të parën herë, kishte filluar të zbulohet gjatë survejimit të vitit 1952, dhe në mënyrë të veçantë gjatë projektit të madh arkeologjik të viteve 1954-1958, që synonte eksplorimin arkeologjik të zonës që do të përmbytej nga ujërat e HEC-it të Ulzës i shoqëruar me gërmime shpëtimi të nekropoleve tumulare që gjendeshin në këtë zonë, të cilat vazhduan deri në vitin 1960. Ky projekt i madh shkencor u drejtua nga arkeologët më të mirë të vendit, njëherësh themelues të arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali dhe Frano Prendi, solli rezultate befasuese në njohjen e kulturës ilire në veçanti dhe hodhi bazat e arkeologjisë prehistorike të këtij rajoni në përgjithësi. Gjatë atij projekti u gërmuan 35 tuma, pjesë e nekropoleve tumulare të Rretheve Bajzë, Sanxhakut, Klosit, Urakës, Perlatit, Bruçit, Shtogjit (Bushkash), që mbulonin 264 varre me inventar të pasur ilir.
Dilaver Kurti mbetet një studiues i vyer i kësaj kulture në pellgun e Matit. Gjatë më shumë se dy dekadave, ai publikoi në literaturën shkencore rezultatet e 19 tumave të kësaj lugine të gërmuara prej tij gjatë viteve ‘70- ‘80 të shekullit të kaluar. Gërmimi i këtyre tumave zbuloi 217 varre me inventar të pasur prej 664 objektesh të kulturës ilire së Matit. Mbi këtë bazë të vyer kërkimesh, Dilaver Kurti vijoi hulumtimet mbi tumat ilire të Matit. Ai gjithashtu gjurmoi edhe kulturën e periudhës së vonë antike, e cila shfaqet si një hallkë ndërlidhëse midis kulturës ilire dhe asaj arbërore. Gërmimet sollën të dhëna të reja arkeologjike që plotësuan profilin e kulturës së Matit në grupin kulturor Glasinac-Mat. Ky grup kulturor përfshin Shqipërinë veriore dhe qendrore deri në lumin Mat, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë jugperëndimore, Bosnjën juglindore me epiqendër rrafshnaltën e Glasinacit dhe Hercegovinën lindore.
Studimet e tij kanë konfirmuar faktin se periudha më intensive e përdorimit të këtyre tumave i referohet shek. VIII-VII dhe VI-V para Kr. që i përgjigjet fazës II e III të epokës së Hekurit në Shqipëri. Kjo është periudha e lulëzimit të kulturës ilire të Matit dhe e formimit më të plotë të fizionomisë së saj.
Botimi i këtij libri përkon me 90-vjetorin e lindjes së autorit. Përgatitja për botim e studimeve arkeologjike të D. Kurtit, kohësisht të shtrira në rreth 30 vjet (1968-1998) është bërë me dashuri dhe profesionalizëm nga djali i autorit Artan D. Kurti dhe arkeologu Jamarbër Buzo. Me këtë botim u plotësua edhe dëshira e hershme e autorit, për të përmbledhur në një vëllim të vetëm studimet e tij në fushën e arkeologjisë mbi kulturën iliro-arbërore në Luginën e Matit.
Kontributi i vyer shkencor i studiuesit Dilaver Kurti në fushën e arkeologjisë vjen në këtë përmbledhje studimesh për t’u shërbyer arkeologëve dhe kërkuesve shkencorë, si dhe studentëve të fushës së historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.