U promovua "Fjalori i madh i gjuhës shqipe" në Universitetin e Elbasanit

Projekti madhor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” është promovuar sot, në datën 19 mars 2026, nga departamenti i gjuhësisë, Fakulteti i Shkencave Humane, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi; zëvendëskryetari i ASHSH-së akad. Vasil Tole dhe akad. Valter Memisha.
Akad. Skënder Gjinushi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, duke e cilësuar fjalorin si një nga botimet madhore të Akademisë së Shkencave, të hartuar në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë në vend. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë Universitetin e Elbasanit dhe Departamentin e Gjuhësisë për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e kësaj vepre.
Kryetari i ASHSH-së theksoi se zhvillimi i shkencave albanologjike është një nga misionet kryesore të Akademisë së Shkencave, e cila gjatë pesë viteve të fundit ka ndërmarrë tri projekte madhore: “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, “Enciklopedinë shqiptare” dhe “Historinë e shqiptarëve”. Ai vuri në dukje se hartimi i fjalorit ishte një domosdoshmëri e kahershme, me mbi 20 vite pritjeje, dhe një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës standarde shqipe, si dhe për krijimin e vijimësisë mes brezash.
Gjithashtu, pranë Akademisë së Shkencave është krijuar një qendër e posaçme për botimet enciklopedike dhe albanologjike, e cila ka pasur si detyrë organizimin e këtyre projekteve madhore. Akad. Gjinushi theksoi se, ndonëse Akademia ka një rol koordinues, realizimi i veprave të tilla nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e arsimit të lartë.
“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” përfaqëson një arritje të rëndësishme në fushën e leksikografisë shqiptare, me vlera të veçanta për studiuesit, pedagogët, mësuesit dhe studentët, si dhe për të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe.

