U promovua albumi “Luma dhe Hasi afër dhe larg” i autorëve Luan Përzhita dhe Afërdita Onuzi
Në kuadër të Panairit të Librit Tirana 2025 Instituti i Antropologjisë promovoi albumin me ngjyra me titull “Luma dhe Hasi afër dhe larg”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të përgatitur nga arkeologu prof. dr. Luan Përzhita dhe etnografia e njohur prof. dr. Afërdita Onuzi.
Albumi i botuar në gjuhën shqipe dhe angleze u prezantua nga studuesja dr. Silvana Nini, e cila vuri në dukje se ky botim ilustrativ-shkencor kushtuar krahinave Lumë e Has (Shqipëria verilindore) realizohet nga dy studiues me origjinë familjare nga këto anë.
Aktiviteti shkencor i të dy autorëve është mjaft i spikatur në fushën e studimeve arkeologjike dhe etnografike, pasi ata kanë realizuar një sërë punimesh shkencore dhe monografi gjatë karrierës së tyre akademike në fushat respektive.
Botimi përmban dëshmi arkeologjike të periudhave mjaft të hershme, të cilat flasin për historinë e lashtë të zhvillimit ekonomik e kulturor të këtyre dy krahinave.
Në planin etnografik trajtohen disa gjini të artit popullor, me të cilat këto krahina u bënë të njohura, madje duke zënë një vend nderi në artin popullor shqiptar e më gjerë. Është fjala për fushën e veshjeve popullore si dhe atë të tekstileve popullore në përgjithësi, të cilat pjesërisht janë të lidhura me to. Pa mohuar dhe vlerat në fushat e tjera të artit popullor, këto janë konsideruar si më identifikueset për të dy krahinat. Këto dy fusha janë ato që ngacmojnë më shumë estetikisht.
Arkeologu prof. asoc. Muhamet Bela i vlerësoi autorët për lidhjen e arkeologjisë me etnografinë nëpërmjet këtij albumi, që jep një pasyrë të plotë të botës së materiale dhe shpirtërore.
Gjithashtu, rreth librit shprehën vlerësime dhe diskutuan edhe studiuesit e Institutit të Antropologjisë.
Autorja Afërdita Onuzi rrëfeu për të pranishmit ekeperincën e saj kërkimore në dy grupet kulturore unike të Lumës dhe Hasit që mundësoi hartimin e këtij libri.
Në përfundim të veprimtarisë, ajo shprehu falënderimet për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, bashkautorin prof. dr. Përzhitën dhe për të gjithë kontribuesit që mundësuan daljen në dritën e botimit të albumit “Luma dhe Hasi afër dhe larg”.