U organizua veprimtaria shkencore "Tri jetë për arkeologjinë", kushtuar përvjetorëve të tre arkeologëve të shquar: Hasan Ceka, Dhimosten Budina, Bep Jubani
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Përhershëm i Arkeologjisë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit të përhershëm të arkeologjisë, prof. dr. Neritan Ceka, hapi veprimtarinë dhe shprehu vlerësimet për arkeologët Hasan Ceka, Dhimosten Budina e Bep Jubani, duke i cilësuar si studiues të shquar dhe vizionarë që ngritën mbi themele të forta shkencën e arkeologjisë shqiptare. Ata ishin përfaqësues të një gjenerate e një periudhe të jashtëzakonshme të zbulimeve të mëdha arkeologjike në Shqipëri.
Prof. dr. Neritan Ceka bëri prezantimin e jetës dhe veprës së arkeologut Hasan Ceka, lidhur me fillimet e arkeologjisë shqiptare. Ai e vlerësoi, jo vetëm si babanë e tij, por edhe si mentorin e tij në fushën e arkeologjisë, si shembull të përkushtimit, disiplinës dhe rregullit.
Prof. Hasan Ceka lindi më 25 gusht 1900 dhe u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.
Studioi për arkeologji ne Universitetin e Vjenës, ku u diploma më 1930-n. U emërua arkeolog për mbikëqyrjen e koncesioneve arkeologjike italiane në Butrint dhe franceze në Apoloni. Në vitin 1948 arriti të realizonte ekspeditën arkeologjike të Apolonisë. Gjithashtu, në shembullin e tij së bashku me Rrok Zojzin ai arriti të realizonte edhe Muzeun Arkeologjik Etnografik të Tiranës, sot Muzeu Arkeologjik. Në Apoloni punoi çdo vit pa ndërprerje deri në vitin 1972, duke zbuluar Nymfeun.
Prof. H. Ceka është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”. Vepra e tij “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, 1969, merr një rëndësi të veçantë në studimet arkeologjike. Nëpërmjet veprave ai ka dhënë kontribute thelbësore si: përcaktimi i tipareve të përbashkëta të riteve të varrimit të Ilirëve të trevave jugore e veriore të Shqipërisë; konstatimi i dallimeve kulturore midis grupit kulturor verior dhe atij jugor dhe argumentimi në mënyrë brilante i raporteve dialektike midis unitetit dhe diversitetit kulturor.
Prof. H. Ceka është themelues i arkeologjisë shqiptare si shkencë albanologjike, si dhe i numizmatikës ilire si disiplinë shkencore e studimit të monedhave antike. Ai programoi të ardhmen e arkeologjisë shqiptare me projektin e vitit 1947 për krijimin e Institutit të Arkeologjisë, ashtu siç u realizua në vitin 1991 dhe është edhe sot.
Prof. Hasan Ceka ishte personaliteti shkencor dhe njëkohësisht njerëzor, rreth të cilit u konsolidua dhe u frymëzua bërthama e arkeologëve të shquar shqiptarë.
Jeta dhe vepra e arkeologut Dhimosten Budina (1930-2004) u prezantua nga prof. dr. Ilir Gjipali.
Prof. Budina kreu studimet e larta në Universitetin e Moskës (ish BRSS), ku u diplomua për arkeologji klasike. Pas diplomimit, u emërua në Sektorin e Arkeologjisë të Institutit të Shkencave (sot Instituti i Arkeologjisë i ASHSH-së) ku punoi deri në vitin 1992. Bashkëpunoi gjatë viteve 1958-‘60 me ekipin e arkeologëve rusë të kryesuar nga prof. V. Bllavackij në gërmimet në Apoloni, si pjesë e gërmimit të kompleksit të banesave romake në sektorin D. Në 1959-n, bashkë me kolegen ruse Kastanajan filluan gërmimet në Orik, ku arritën të zbulonin një monument kompleks në qendër të qytetit, të vlerësuar në atë kohë si teatër i vogël i shek. IV p. Kr.
Pas viteve 1960 prof. Budina iu kushtua tërësisht kërkimeve në territorin e Kaonisë antike. Me përvojën e fituar gjatë viteve ‘70-‘90, ai kreu kërkime afatgjata në tri qendra kryesore të Kaonisë në Antigone, Butrint dhe Finiq. U angazhua në gërmime në qytetin e poshtëm në fshatin e sotëm Finiq. Në 1981-1982 bashkë me K. Lakon filloi gërmimet në vendin ku mendohej të ishte teatri i qytetit, ku u arrit të zbulohej muri i proskenës të periudhës romake.
Kontributi i prof. Budinës është me vlera edhe në kërkimet për prehistorinë dhe periudhat pas antike, për të cilat ai dha ndihmesën e tij të çmuar. Në fillim të viteve 1990, pas daljes në pension, Budina shkoi në Rusi, ku edhe atje u angazhua në Moskë në projekte gërmimi arkeologjik dhe u bë pjesë e ekipit që kreu gërmime në Sheshin e Kuq. Ai u kthye disa herë në Shqipëri duke u interesuar vazhdimisht për kërkimet arkeologjike e në veçanti për Butrintin.

Akad. Adem Bunguri, drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prezantoi jetën dhe veprën e arkeologut Bep Jubani, që përfaqëson një nga studiuesit më të rëndësishëm të brezit II të arkeologjisë prehistorike shqiptare.
Bep Jubani lindi në një familje qytetare shkodrane më 2 nëntor 1935 dhe u nda nga jeta në 7 janar 2014.
Ai dha një kontribut të gjerë në rindërtimin kulturor të prehistorisë shqiptare, që përfshin edhe hulumtimin e një sërë vendbanimesh (Gajtan, Rosujë, Kodra e Pazarit, Kamnik), të pejsazheve të tëra kulturore-arkeologjike (lugina e Drinit të Zi, zona e Mbishkodrës) dhe në metodologjinë e studimit arkeologjik në terren dhe në kabinet e më gjerë.
Boshtin e kërkimeve të Bep Jubanit e përbën studimi i kulturës tumulare ilire në Shqipërinë e Veriut, dhe kryesisht në trevat e Kukësit dhe të Shkodrës. Gërmimet e tij shumëvjeçare në nekropolet tumulare të Çinamakut, Kënetës dhe Krumës, zbuluan një kulturë të pasur materiale e shpirtërore ilire, krejt identike me kulturën tumulare ilire të Rrafshit të Dukagjinit (Romajë, Shirokë, Perçevë) dhe të Rrafshit të Kosovës (Llashticë) etj.
Gjithashtu ai kontribuoi në metodologjinë e studimit arkeologjik në terren dhe në kabinet e më gjerë, veçanërisht sa i takon iliricitetit dhe shtresave proto-ilire. Me vrojtimet e shumta në Tropojë, Kukës, Peshkopi, Shkodër, Mirditë e Tiranë e deri në jug të Shqipërisë profesor Bep Jubani ka sjellë në dritë jo vetëm një numër të madh monumentesh e vendgjetjesh arkeologjike duke pasuruar hartën kulturore të vendit, por edhe ka ndriçuar historinë e gjatë e të pasur të shumë rajoneve të Shqipërisë.
Rezultatet e kërkimeve të prof. Hasan Cekës, prof. Bep Jubanit dhe prof. Dhimosten Budinës mbeten edhe sot referenca të rëndësishme për studiuesit e arkeologët e rinj në punën e tyre, për t’i’ thelluar e çuar më tej ato. Kontributet e tyre janë pjesë e fondit të trashëgimisë së arkeologjisë shqiptare.
