U nënshkrua protokolli “Për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit kërkimor shkencor dhe artistik ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitet 2026-2027
Sot, më 16 dhjetor 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitet 2026 – 2027.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari akad. Vasil S. Tole, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike akad. Neki Frashëri, si dhe shefja e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, prof. asoc. Elda Zotaj.
Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ishin të pranishëm kryetari akad. Mehmet Kraja, zëvendëskryetarja akad. Justina Sh. Pula, akademik Bardh Rugova, anëtari korrespondent Fetah Podvorica dhe znj. Lendita Pula.
Nënshkrimi i këtij protokolli synon vijimin dhe forcimin e traditës së bashkëpunimit të frytshëm kërkimor e shkencor ndërmjet dy akademive, përmes zhvillimit të nismave të përbashkëta shkencore, në mbështetje të marrëveshjes kuadër të nënshkruar më parë ndërmjet ASHAK-ut dhe ASHSH-së.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja, falënderoi Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për nismat dhe arritjet e përbashkëta të realizuara ndër vite. Ai theksoi se rruga është e hapur për vijimin e punës me projekte madhore në fushën e albanologjisë dhe se suksesi i arritur deri më tani ka shërbyer si motivim për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Akad. Kraja nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet ASHSH-së dhe ASHAK-ut ka ardhur duke u konsoliduar, duke përmendur si një nga arritjet më të rëndësishme punën për hartimin e veprës madhore “Enciklopedia shqiptare”. Ai shtoi se protokolli i ri premton zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fushën e shkencave natyrore dhe teknike.
Në vijim, u theksua se gjatë procesit të bashkëpunimit janë tejkaluar pengesa të lidhura me mënyrat e ndryshme të organizimit institucional të dy akademive, ndërkohë që aktualisht bashkëpunimi ndodhet në një fazë të mirë, me mundësi të hapura për organizimin e konferencave të përbashkëta më konstruktive dhe më intensive. Firmosja e këtij protokolli ligjëron dhe forcon më tej këtë bashkëpunim.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, u shpreh se rivendosja e bashkëpunimit me ASHAK-un ka ndodhur në një periudhë rilindjeje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila nisi me procesin e reformimit të saj. Ai falënderoi Kryetarin e ASHAK-ut, akad. Mehmet Kraja, për bashkëpunimin dhe punën e përbashkët në projektet madhore dhe veprimtaritë shkencore të organizuara bashkërisht.
Akad. Gjinushi theksoi se bashkëpunimi në fushën e albanologjisë ka qenë i suksesshëm dhe se është e nevojshme që ai të forcohet edhe në fusha të tjera të shkencës, përfshirë shkencat natyrore, energjetikën, ekonominë dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Ai shtoi se bashkëpunimi do të vijojë gjithashtu në drejtim të krijimit, konsolidimit dhe integrimit të qendrave dhe njësive kërkimore në të dyja akademitë.
Në përfundim, akad. Gjinushi falënderoi drejtuesit e ASHAK-ut dhe kërkuesit shkencorë të Kosovës për bashkëpunimin e pandërprerë gjatë gjashtë viteve të fundit dhe për kontributet e tyre të rëndësishme në kuadër të marrëveshjeve ndërmjet dy akademive.