U zhvilluan punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare “Frazeologjia e gjuhës shqipe në arealin gjuhësor ballkanik”
Veprimtaria u mbajt më 8 dhjetor 2025, me organizimin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Konferenca mblodhi bashkë mbi 40 studiues të gjuhësisë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria dhe Greqia.
Organizimi i kësaj veprimtarie u bë me synimin për një studim më të gjerë e më të thelluar, sipas teorive dhe metodave shkencore bashkëkohore, të çështjeve që lidhen me frazeologjinë e gjuhës shqipe, si dhe çështjeve të reja që lindin gjatë procesit të studimit.
Përgjegjësi i departamentit, prof. dr. Artur Lama, hapi konferencën dhe parashtroi rëndësinë dhe qëllimet e saj.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, pjesëmarrësit dhe organizatorët i përshëndeti akad. Gëzim Hoxha. Ai vlerësoi programin e pasur dhe falënderoi organizatorët e konferencës, duke u shprehur se kjo veprimtari jo vetëm afirmon rëndësinë e kërkimit gjuhësor në hapësirën tonë akademike, por edhe forcon ndërveprimin e traditave studimore brenda arealit ballkanik. Për shqipen, një gjuhë me traditë të gjatë kontakti brenda hapësirës ballkanike, studimi i njësive frazeologjike mbetet një mjet i çmuar për të kuptuar jo vetëm zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe ndërveprimet e vazhdueshme në gjuhën fqinje, me të cilat ka ndarë perspektiva shprehëse, struktura sintaksore dhe modele semantike”.

Seanca e parë plenare u hap nga akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë me referatin shkencor “Frazeologjia e gjuhës shqipe në arealin gjuhësor ballkanik”, të përgatitur së bashku me akad. Jani Thomain. Në këtë referat u prezantua fondi i pasur i frazeologjisë së shqipes, i pasqyruar në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” dhe në disa fjalorë dialektorë e dygjuhësh.

Konferenca u zhvillua në tri seanca, ku u prezantuan 31 kumtesa, të cilat sollën perspektiva të reja për: zgjerimim e tematikës së studimeve gjuhësore; rolin e frazeologjisë në gjuhën shqipe dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera të rajonit; përkthimin e një entiteti frazeologjik nga një gjuhë e huaj në gjuhën shqipe; shprehjet e urtësisë dhe e etnografisë së të folurit ndër shqiptarë; procesin e rrudhjes dhe shpërbërjes së njësive frazeologjike; përdorimet diskursive të frazeologjisë; rolin e frazeologjisë në gjuhën shqipe dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera të rajonit; ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore të arbëreshëve të Italisë’; krijimin e korpusit frazeologjik të shqipes etj.
