U nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Institutit të Arkeologjisë, pjesë e ASHSH-së, dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim për ngritjen e Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit
Sot, më 12 mars 2025, në ambientet e Institutit Arkeologjik në Tiranë u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (IA), pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) për planin e konservimit të objekteve të zbuluara dhe projektin e ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit, ku përfshihen qytetet antike Bylis dhe Klos.
Në hapje të ceremonisë së rastit, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi shprehu kënaqësinë që në ambientet e Institutit Arkeologjik firmoset një memorandum bashkëpunimi për sitet arkeologjike.
Kryetari i Akademisë së Shkencave falënderoi me këtë rast Bashkimin Europian për mbështetjen dhe për investimet edhe në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe veçanërisht për investimet për pasqyrimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Gjithashtu ai shprehu kënaqësinë që pas negociatave të vazhdueshme, një projekt kaq i rëndësishëm, siç është kthimi i Bylisit në një qendër multifunksionale, do të bëhet me kooperacionin italian.
Akad. Gjinushi theksoi se kjo është një marrëveshje model, për të cilën vetë Instituti i Arkeologjisë dhe punonjësit e tij janë më se të interesuar, sepse pritet që puna e tyre shumëvjeçare të jetë sa më e aksesueshme dhe e ekspozuar ndaj publikut të gjerë. Si rrjedhojë, realizimi i projektit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë për pjesën shkencore është mënyra më e mirë për të rivlerësuar dhe pasqyruar gjerësisht trashëgiminë tonë. Siti arkeologjik i Bylisit është një nga sitet kryesore, krahas atyre më të njohura të vendit, si Butrinti e Apolonia. Kështu që në zbatim të kësaj marrëveshjeje Bylisi do zërë vendin që i takon, duke shërbyer si pikë referimi për studime, kërkime dhe për promovimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.
Akad. Gjinushi u shpreh më tej se pas realizimit të projektit për muzeun qendror të Bylisit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mirëpresë edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen, me perspektivën për t’i dhënë dimensionet e duhura edhe Muzeut Arkeologjik pranë Institutit Arkeologjik, pjesë e ASHSH-së, këtu në Tiranë.
Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së, znj. Stefania Vizzaccaro, shprehu entuziazëm për memorandumin, të cilin e vlerësoi si një hap thelbësor për realizimin e projektit të ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Ajo tha se projekti në thelb synon zhvillimin ekonomik vendor drejtuar nga turizmi, por që gjithmonë përqendrohet tek trashëgimia kulturore.
Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së njoftoi të pranishmit se projekti do të realizohet me fondet e BE-së, të cilat arrijnë shifrën 6.15 milionë euro.
Ajo falënderoi kryesinë e Akademisë së Shkencave për bashkëpunimin dhe veçanërisht kryetarin e ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi, zv.kryetarin akad. Vasil Tole, si dhe akad. Adem Bungurin e akad. asoc. Gëzim Hoxhën për punën e çmuar në bashkëpunimin për konsultimin e projekteve të konservimit dhe të hartimit të strategjive për Qendrën Multifunksionale të Bylisit. Me këtë rast, ajo vlerësoi kontributin për dekada me radhë të punës kërkimore të Institutit Arkeologjik që ka krijuar një trashëgimi të pasur njohurish e praktikash të suksesshme e ekspertizash shkencore, të cilat do të kontribuojnë në mënyrë ekskluzive në këtë projekt.
Më pas u bë nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit përkatësisht nga drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së znj. Stefania Vizzaccaro dhe akad. Adem Bunguri, drejtori i Institutit Arkeologjik, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ky memorandum ka si objekt vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes palëve, në kuadër të realizimit të projektit të BE-së për Parkun Arkeologjik Bylis dhe Klos, orientuar nga turizmi me fokus trashëgiminë kulturore. Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim do të bashkëpunojë dhe koordinojë informacionin, arkivin dhe asistencën teknike në veprimtaritë në terren, të cilat i shërbejnë AICS-së dhe nënkontraktorëve apo partnerëve si ndihmë për hartimin e projekteve në respekt të të drejtave të autorëve që kanë zhvilluar veprimtarinë arkeologjike në Bylis.
Pas nënshkrimit të memorandumit u zhvillua një vizitë në muzeun dhe fondin arkivor të Institutit Arkeologjik.