U mbajt workshopi “Zbatimi i kontabilitetit ligjor nëpërmjet digjitalizimit për një qeverisje efektive në administratën publike”
Veprimtaria u zhvillua në datën 19 dhjetor 2025, me organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjegjësisht Komisioni i përhershëm i inxhinierisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Departamentin e Kontabilitetit, Kolegjin Profesional Gjerman të Teknologjisë dhe Universitetin Politeknik të Tiranës.
Aktiviteti u çel me fjalë përshëndetëse të përfaqësuesve të institucioneve akademike dhe publike: nga akademik Neki Frashëri, kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike; akademik Jorgaq Kaçani, kryetar i Komisionit të përhershëm të inxhinierisë; prof. asoc. dr. Bernard Dosti, dekan i Fakultetit të Ekonomisë; znj. Entila Zyba, përfaqësuese e Agjencisë së Inteligjencës Artificiale; dr. Dritan Fino, Bordi i Mbikëqyrjes Publike; znj. Albana Gjinopulli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave; si dhe prof. asoc. dr. Mirela Miti, Përgjegjëse e Departamentit të Kontabilitetit.
Tryeza shkencore (workshop) u mbajt në kuadër të bashkëpunimeve institucionale, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme ndërveprimi profesional ndërmjet institucioneve publike, botës akademike, sektorit privat dhe shoqërisë civile.
Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe mundësitë që sjell digjitalizimi në fushën e kontabilitetit ligjor dhe auditimit në sektorin publik, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe modelin e Heliksit të Katërfishtë (Quadruple Helix Model).
Në sesionin e parë u zhvillua një diskutim i gjerë mbi rolin e transformimit digjital në modernizimin e administratës publike dhe forcimin e përgjegjshmërisë institucionale. U theksua rëndësia e integrimit të teknologjive digjitale në kontabilitetin ligjor si një mjet kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në menaxhimin e financave publike. Gjithashtu, u analizua ndikimi i inteligjencës artificiale në sistemet e kompjuterizuara kontabël dhe në analizën e të dhënave, si dhe integrimi i parimeve ESG përmes qeverisjes inteligjente. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të teknologjive si machine learning dhe blockchain në forcimin e qeverisjes së mirë dhe harmonizimin me direktivat e Bashkimit Europian.
Sesioni i dytë u përqendrua në rolin e kontabilitetit ligjor dhe auditimit digjital në kontrollin dhe menaxhimin e financave publike, si dhe në rëndësinë e etikës profesionale për forcimin e qeverisjes së mirë dhe zbulimin e mashtrimeve financiare në sektorin publik. U diskutua ndikimi i digjitalizimit dhe i inteligjencës artificiale në rritjen e transparencës fiskale, si dhe integrimi i standardeve IPSAS dhe sistemit AFMIS në procesin e dixhitalizimit të financave publike në Shqipëri. Po ashtu, u trajtua roli i kontabilitetit ligjor në ndërthurjen e teknologjisë me mirëqeverisjen në menaxhimin e sigurimit të jetës dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Një rol të rëndësishëm në këtë tryezë diskutimi patën kontributet e kërkuesve të rinj shkencorë, konkretisht studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve në fushën e kontabilitetit, të cilët dëshmuan se një edukim i lidhur ngushtë me kërkimin shkencor dhe inovacionin përbën një faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm.
Në përfundim, profesorati i Departamentit të Kontabilitetit theksoi se digjitalizimi, respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe forcimi i kontabilitetit ligjor përbëjnë elementë kyç për rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit në menaxhimin e financave publike, duke nënvizuar rëndësinë e etikës profesionale dhe zhvillimit të vazhdueshëm akademik në kuadër të integrimit europian.