U mbajt tryezë e rrumbullakët për evidentimin e kapaciteteve të institucioneve kërkimore shkencore në lidhje me monitorimin e pasurive ujore në Shqipëri
Veprimtaria u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, gjegjësisht Njësia kërkimore “Pasuritë Ujore”, në bashkëpunim me IAL-të, institucionet kërkimore, si dhe institucionet shtetërore hartuese dhe zbatuese të politikave në sektorë të ndryshëm që lidhen me administrimin e ujërave.
Tryeza shkencore me temën “Evidentimi i kapaciteteve të institucioneve kërkimore shkencore në lidhje me monitorimin e pasurive ujore në Shqipëri” u zhvillua me praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe u moderua nga akad. Besnik Baraj e dr. Allabashi.
Akad. Besnik Baraj, drejtues i Njësisë “Pasuritë Ujore”, në fjalën hapëse të veprimtarisë e vuri theksin tek njohja dhe evidentimi i kapaciteteve shkencore, me qëllim që t’i ofrohen pushtetit lokal, qendror dhe politikbërësve për përfshirjen në zgjidhjen e sfidave që kalon vendi. Më tej ai foli për ngritjen e urave të komunikimit për t’i ndihmuar e zhvilluar më tej kërkuesit shkencor në bashkëpunimin me politikbërësit, për ta kthyer produktin shkencor në dobi të shoqërisë, si një praktikë bashkëpunuese që përfshihet në prioritetet e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Akad. Neki Frashëri përshëndeti pjesëmarrësit në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai tha se uji dhe karboni janë dy baza shumë të rëndësishme të jetës, ndaj Akademia e Shkencave dhe njësitë pranë saj, veçanërisht njësia “Pasuritë Ujore” do të luajnë një rol të rëndësishëm për të nxitur e materializuar bashkëpunimin e komunitetit shkencor si brenda vetes, por edhe me politikëbërësit dhe komunitetin shkencor, duke kaluar në bashkëpunime ndërdisiplinore brenda fakulteteve, midis universiteteve brenda dhe jashtë, me politikbërësit e deri në zbatimin e studimeve në dobi të publikut dhe shoqërisë.
Dr. Roza Allabashi paraqiti gjetjet dhe një përmbledhje të raportit mbi evidentimin e kapaciteteve laboratorike kërkimore shkencore të IAL-ve të cilat përveç të tjerash operojnë në monitorimin dhe menaxhimin e cilësisë së burimeve ujore në Shqipëri.
Disa nga rekomandimet e këtij raporti ishin: forcimi i kapaciteteve teknike e njerëzore të institucioneve kërkimore, për t‘ju përgjigjur sa më mirë nevojave e sfidave të sektorit; diversifikimi dhe maksimizimi i burimeve të financimit për kërkimin shkencor, duke përfshirë fondet kombëtare e ndërkombëtare për shkencën dhe forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat, dhe veçanërisht ngritja e një qendre kombëtare kërkimore për ujërat.
Në fund, u kërkua nga të gjithë pjesëmarrësit të kontribuonin në pasurimin e këtij raporti me informacionet nga secili departament i IAL-ve ose institucion pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Kryetari i ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi falënderoi së pari të gjithë pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve dhe departamenteve të IAL-ve që kanë pranuar të bashkëpunojnë me Njësinë “Pasuritë Ujore” në Akademinë e Shkencave dhe vlerësoi punën e bërë nga Njësia për të evidentuar kapacitetet ekzistuese. Ai tha se mbi bazën e këtij raporti argumentohet edhe më mirë nevoja e ngritjes së një qendre, dhe natyrisht ngritja e një qendre të tillë do lehtësonte bashkëpunime të sektorëve të kërkimit me politikëbërësit apo institucionet ekzekutive që kanë për detyrë monitorimin e ujërave.
Ngritja e Njësinë “Pasuritë Ujore” është bërë pikërisht për të koordinuar kërkimin shkencor me strukturat dhe kapacitetet që ekzistojnë në Shqipëri, dhe ky është një nga misionet që ka ASHSH-ja; që të bëhet si një pikë koordinimi dhe vlerësimi për të afruar kërkuesit e departamenteve, të bashkohen laboratorët, të takohen së bashku dhe të ideojnë qoftë zgjidhjen e problematikave, qoftë projekte të përbashkëta.
Ngritja e njësive çon gradualisht në nevojën e një instituti që të kryejë funksionin e koordinimit të një kërkimi shkencor. Ndaj, në strategjinë e qeverisë për të arritur pikërisht standarde europiane, më në fund parashikohet ngritja e njësive, ose qendrave të reja shkencore. Edhe diaspora shkencore e ka ngritur nevojën e një instituti koordinues, që të sigurohen edhe ekspertiza dhe analiza të nivelit të lartë, dhe mundësia e bashkëpunimit është edhe më e lehtë. Meqenëse edhe parashikohet ngritja e një qendre, mendoj se duhet t’i jepet një drejtim multifinksional: për ujërat, për mjedisin e më gjerë.
E.Halo (AMBU) foli për rolin e agjencive shtetërore në monitorimin e ujërave në nivel kombëtar, nevojat për mbështetje teknike dhe ekspertizë të jashtme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira kombëtare dhe europiane.
Prof. dr. Etleva Hamzaraj (Fakulteti i Shkencave të Natyrës) foli për përvojën e përfshirjes së universiteteve në monitorimin e ujërave.
Në seancën e dytë pati shumë diskutime në lidhje me plotësimet e mundshme mbi kapacitetet shkencore teknike dhe metodologjike nga institucionet shkencore; adresimin e mungesës së protokolleve e standardeve kombëtare të harmonizuara me DKU-në për monitorimin; bashkëpunimin shkencë-vendimmarrje; përfshirjen e laboratorëve universitarë në programin kombëtar të monitorimit të ujërave; këndvështrimin e shkencës dhe vendimmarrjes, si dhe gjetjen e rrugëve më të mira për përfshirjen e profesionistëve të rinj në problematikën aktuale etj.