U mbajt referati me temën “Vota e diasporës, eksperienca ndërkombëtare dhe modeli shqiptar” nga dr. Ilirjana Nano
Në datën 30 shtator, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, u mblodh Komisioni i Përhershëm i Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe Juridike nën drejtimin e kryetarit të tij, akademik Anastas Angjeli.
Mbledhja u mbajt me prani fizike dhe online të anëtarëve të Komisionit.
Fillimisht, anëtarja e Komisionit dr. Ilirjana Nano mbajti referatin me temën “Vota e diasporës, eksperienca ndërkombëtare dhe modeli shqiptar”.
Në këtë punim shkencor u trajtua votimi për herë të parë i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025.
Referati u përqendrua në aspektet e një analize të zhvillimeve ligjore mbi votën e diasporës në pesë vitet e fundit, raportin e votimit brenda vendit me atë jashtë vendit nën këndvështrimin e standardeve kushtetuese, duke trajtuar të drejtën e votës dhe procedurat ligjore si garanci për zbatimin e kësaj të drejte.
Gjithashtu, gjatë referimit u paraqitën para anëtarëve të Komisionit eksperiencat dhe modelet ndërkombëtare për votimin nga jashtë vendit, duke i krahasuar ato me modelin e zgjedhur nga Shqipëria, si dhe analiza pse u zgjodh ky model.
Në përfundim të referatit, anëtarët e Komisionit të pranishëm në mbledhje bënë pyetje dhe u diskutuan aspekte të financimit të procesit të votimit nga jashtë vendit, si dhe u paraqitën disa çështje për diskutim publik e ligjor për përmirësimin e këtij procesi në të ardhmen.
Më pas, sipas pikës së dytë dhe të tretë të rendit të ditës, vijuan diskutimet për përgatitjet për konferencën e përbashkët me Kosovën (10–11 tetor 2025) dhe modelet më të mira të përfaqësimit demokratik të votuesve jashtë vendit.