U mbajt ligjërata me temën “Për një klasifikim tipologjik të modalitetit në gjuhën shqipe” nga dr. Leonard Dauti
Veprimtaria u zhvillua sot më 9 qershor 2025 dhe u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i gramatikës dhe i historisë së gjuhës, pjesë e ASHSH-së. Morën pjesë kërkues të IGJL-së, si dhe kolegë të departamenteve të gjuhës nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Elbasanit.
Ligjëruesi u ndal në dy çështje kryesore: përshkrimi i klasifikimeve tipologjike të modalitetit në gjuhësinë europiane dhe ofrimi i një tipologjie që do të mund të shërbejë si një bazë metodologjike për analizën dhe përshkrimin e modalitetit të gjuhës shqipe.
Historiku i klasifikimit të modalitetit u parashtrua si sfond për të kuptuar dhe nxjerrë në pah evoluimin e mendimit gjuhësor për modalitetin dhe ndarjen e tij si kategori gjuhësore prej filozofisë dhe logjikës modale, nga njëra anë, dhe për të shtruar për diskutim problematikën e gjerë që ngërthen trajtimi i modalitetit në gjuhësi, nga ana tjetër.
Në lidhje me ofrimin e një tipologjie të modalitetit për rastin e gjuhës shqipe, u vu theksi në kriterin semantik si përcaktues i tipave modalë. Për argumentimin e përzgjedhjes së kritereve u sollën dy qasjet kryesore në fushën e modalitetit: qasja e Kratzer-it, e cila krijoi një teori të vetën mbi modalitetin brenda kornizës së semantikës formale, duke shfrytëzuar konceptet e logjikës modale dhe duke ia përshtatur ato përshkrimit të modalitetit gjuhësor; qasja konjitiviste, e cila e vë theksin në procesin konceptualizues të folësit në ngjizjen subjektive të modalitetit gjuhësor.
Synimi i ligjëruesit ishte që, duke u nisur nga të dhënat që ofron shqipja, të arrihet tek një tipologji e përshtatshme që i përgjigjet përshkrimit të sistemit të mjeteve të saj modale. Si tipa modaliteti për rastin e gjuhës shqipe autori është i mendimit se duhen pranuar: modaliteti epistemik, modaliteti deontik, modaliteti dinamik, modaliteti volitiv dhe modaliteti buletik. Për secilin tip u ofrua përkufizimi përkatës teorik, si dhe u përcaktuan nënndarjet përkatëse në bazë të shkallës së forcës modale, të ilustruara me një gamë të gjerë shembujsh nga gjuha e shkruar dhe e folur. Një vend të rëndësishëm në ligjëratë zuri edhe përshkrimi i mjeteve të shumta gjuhësore për shprehjen e kuptimeve të caktuara modale.
Ligjërata u mbyll me diskutime dhe debate shkencore për çështje teorike mbi modalitetin, por edhe për çështje praktike të analizës dhe përshkrimit të sistemit modal të gjuhës shqipe.