U mbajt konferenca “Shteti dhe e drejta në veprën e akademik Luan Omarit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes"
Veprimtaria u zhvillua me rastin e 100-vjetorit të lindjes të akad. emeritus Luan Omarit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Konferenca u drejtua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe akad. Aurela Anastasi.
Akad. Hoxha përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu kënaqësinë për këtë veprimtari unikale që mbahet në përvjetorin e 100-të të lindjes së njërit prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, akad. emeritus Luan Omarit, të një shkencëtari të suksesshëm dhe të një njeriu me dinjitet shumë të lartë.
Në emër të Kryesisë së ASHSH-së, akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, përshëndeti të pranishmit dhe familjarët e akad. Omarit. Ai u shpreh se në këtë përvjetor i cili është i pari i një akademiku në Shqipëri që feston 100- vjetorin mes nesh, e njëherazi i fundit nga akademikët që themeluan Akademinë tonë të Shkencave në vitin 1972. Ne, nuk nderojmë thjesht një jetë të gjatë, por një jetë të shkrirë me shkencën, me mendimin shkencor, vlerësojmë një jetë të tërë të lidhur me sistemin universitar dhe me ndërgjegjen juridike të këtij vendi.
Akad. Tole theksoi se emri i akad. Omarit renditet pranë Budës, Çabejt, Shuteriqit, Kostallarit, Domit, Pollos, Kadaresë, Agollit, jo si pasues, por si bashkudhëtar i tyre! Në fund të fjalës së tij, ai e vlerësoi akad. emeritus Omarin si jurist të lartë, themelues të ligjshmërisë së re shqiptare dhe si një zë të respektuar në tribunat europiane, përurues dhe drejtues i suksesshëm institucional të ASHSH-së, përfaqësues të denjë të botës akademike, europiane dhe rajonale që ka dhënë një kontribut shkencor në mbi 6 dekada.
Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Qeverisë së Shqipërisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një prej figurave më të mëdha të mendimit juridik dhe të shkencës kushtetuese shqiptare si dhe shprehu mirënjohje të thellë për kontributet e jashtëzakonshme të cilat kanë lënë gjurmë të thella në historinë e shtetit shqiptar, në sistemin tonë juridik në formimin e mendimit demokratik në vend, si dhe për formimin e brezave të juristëve. Ai theksoi se vepra e akad. Omarit nuk është thjesht një trashëgimi akademike. Ajo është pjesë e gjallë e institucioneve tona, e ligjeve tona dhe e vizionit tonë për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë dhe më europiane.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe dekani i Fakultetit të drejtësisë, UT, prof. asoc. Erjon Muharremaj. Ai shprehu vlerësimet për personalitetin e akad. Omarit si një nga gurëvënësit e themelit të Fakultetit të Drejtësisë si zëvendësrektor i Institutit të Lartë Juridik që nga themelimi i tij në 1957-n dhe pastaj si dekan i parë i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës plot 17 vjet me radhë; të cilin e ka drejtuar me një integritet të jashtëzakonshëm personal dhe profesional, me një urtësi dhe pasuri njohurish erudite; duke dhënë gjithashtu kontribut në kushtetutën e 1976-s e dhe me pas në projekt-kushtetutën e 1991-shit e 1993 -shit dhe me kontribut të jashtëzakonshëm si akademik, por veçanërisht si qytetar; për forcën e mendimit, argumentit dhe skrupulozitetit në punën e tij si profesor e akademik.
Ndërkohë, një letër urimi erdhi për 100-vjetorin e akad. Omarit në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga kryetari i saj akad. Mehmet Kraja. Letrën e lexoi akad. Anila Hoda sekretare shkencore e ASHSH-së.
Përmes kësaj letre, Kryesia e ASHAK-ut shpreh mirënjohjen për kontributin e veçantë shkencor të akad. Omarit. Akad. Kraja thekson ndër të tjera se “Duke qenë njëri nga themeluesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Luan Omari tashmë është bërë sinonim i këtij institucioni të rëndësishëm të dijes shqiptare. Vepra shkencore e Luan Omarit përfshin një opus të gjerë studimesh dhe monografish studimore me një gamë të gjerë interesimesh nga fusha e shkencave juridike dhe shkencave shoqërore në përgjithësi. Përveç kontributeve të tjera, në vitin 2009 akademik Omari botoi veprën “Kushtetuta e Kosovës në një vështrim krahasues”.
Pas fjalëve përshëndetëse, akad. Aurela Anastasi drejtoi punimet e konferencës. Seanca nisi me kumtesën me temën “Shteti dhe e drejta në veprën e prof. Luan Omarit” nga prof. dr. Arta Mandro. Ajo shprehu vlerësim dhe përulësi ndaj punës dhe kontributit të akad. Omarit në edukimin ligjor si institucion dhe në atë të shtetit dhe të së drejtës si përbërësit e domosdoshëm të demokracisë.
Më pas prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti një kumtesë me temën “Minoritetet në analizat juridike të prof. Luan Omaritt”. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një figurë emblematike në fushën e së drejtës dhe si një zë të rëndësishëm në debatin publik mbi çështjet kushtetuese dhe administrative në promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri, për reformën në gjyqësor, qeverisjen demokratike e më gjerë.
Akad. Aurela Anastasi mbajti kumtesën me temën “Prof. Luan Omari për format e qeverisjes. Refleksione”. Ajo tha se akad. Omari ka një kontribut origjinal në veprimtarinë juridike dhe të shkencës kushtetuese shqiptare. Në veprën e tij një vend të rëndësishëm zë edhe trajtimi i raporteve me pushtetin gjyqësor, të cilin e shikon të lidhur ngushtë me pavarësinë, shmangien e ndërhyrjeve të pushtetit politik ndaj tij si dhe eliminimin e korruptimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fushën e hartimit të kushtetutave ai është një shkollë mendimi në Shqipëri, e cila na shërben sot dhe do t’u shërbejë brezave në vijim.
Pas kësaj kumtese, studentë të Fakultetit të Drejtësisë së UT-së lexuan citate të përzgjedhura nga vepra e prof. Luan Omarit, duke shprehur mirënjohjen për njohuritë që përcjell në brezin e ri.
Seanca vijoi me kumtesën me temën “Gjykata Kushtetuese në shekullin XXI dhe vepra e prof. Luan Omarit” nga prof. dr. Marjana Semini. Ajo fillimisht shprehu vlerësime dhe emocione për këshillat me natyrë akademike dhe shkencore të akad. Omarit dhe foli më tej për rëndësinë veprës së shkruar, ku ligjëroi ndërkohë pjesë të zgjedhura nga vepra e tij që nënvizojnë kontributin që ka luajtur për rolin dhe rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencave të saj me natyrë kontrolluese ndaj akteve të Kuvendit dhe të Presidentit, kur ato bien ndesh me Kushtetutën, ku ndër të tjera ai ka trajtuar kufijtë e interpretimit të kushtetutës dhe të ligjeve brenda kompetencave të Gjykatës Kushtetuese.
Për kontributin e akad. Luan Omarit në rolin e gjykatës kushtuese foli më gjerësisht edhe prof. dr. Evis Alimehmeti, e cila paraqiti një reflektim te përgjithshëm mbi mendimin teorik të tij, përqasur me reformat në drejtësi, me zbatim në Shqipëri, me një nga objektivat parësore forcimin e pavarësisë e gjyqësorit: siç shprehet akad. Omari pavarësia e gjyqësorit është strumbullari I shtetit të së drejtës.
Pas kumtesave pjesëmarrësit shprehën fjalë mirënjohëse për kontributin e veprës së akad. Omarit dhe vlerësuan personalitetin e tij.
Në fund, vajza e akad. Omarit, prof. dr. Anila Omari, mbajti një fjalë falënderuese për zhvillimin e kësaj veprimtarie duke shprehur mirënjohjen për Kryesinë e ASHSH-së, përfaqësuesit e qeverisë, organizatorët, si dhe për personalitetet, profesorët e nderuar të jurisprudencës e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësuan kontributin e akad Omarit në këto fusha.