U mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Vendi i gjeografisë teknike në shkencën gjeografike”
Veprimtaria u mbajt sot më 28 tetor 2025 me organizimin e Njësisë së përkohshme të kërkimeve gjeografike, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH.
Tryeza shkencore mblodhi bashkë gjeografë e studiues të albanologjisë dhe të disiplinave të afërta me gjeografinë si: prof. dr. Pal Nikolli, prof. asoc. Ferim Gashi, prof. asoc. dr. Ismail Kabashi, prof. dr. Bilal Draçi, dr. Sami Duraku, dr. Adriatik Balla, dr. Enkela Begu, msc. Florian Fusha, msc. Amir Rexha, msc. Edon Shemsedini, msc. Shkumbin Lushaj.
Hapja e veprimtarisë u bë nga prof. dr. Pal Nikolli. Ai e vlerësoi tryezën shkencore si pjesë të procesit për të krijuar një platformë të integruar të kërkimit gjeohapësinor, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe formimit të brezit të ri të studiuesve që do të udhëheqin tranzicionin digjital të territorit.
Sot, gjeografia teknike – përmes GIS-it, analizës hapësinore, të dhënave satelitore dhe inteligjencës artificiale – është shndërruar në instrumentin kryesor të zhvillimit dhe sigurisë kombëtare. Ne kemi domosdoshmërisht nevojë për analizë të saktë numerike, modelim hapësinor dhe skenarizim prognostik – pikërisht thelbi i gjeografisë teknike, që i jep shtetit mjetin për të parë të ardhmen.
Mes të tjerash, prof. dr. Nikolli vlerësoi punën drejtuese të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me një vizion të ri: kthimin e gjeografisë në një shkencë të aplikueshme dhe të domosdoshme për shtetin modern.
Prof. dr. Perikli Qiriazi, drejtuesi i Njësisë së kërkimeve gjeografike përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Kryesisë së ASHSH-së dhe bordit drejtues të NJKGJ-së dhe i falënderoi për analizën e problemeve komplekse e rezultatet e punimeve shkencore, që lidhen me vendin e gjeografisë teknike në sistemin e shkencave gjeografike.
Ai tha se kjo tryezë shkencore mbyll me sukses realizimin e plotë të programit të aktiviteteve shkencore të vitit 2025 të NJKGJ-së, pranë ASHSH-së, miratuar në shkurt 2025, si strukturë e qëndrueshme kërkimore në fushën e gjeografisë dhe veçoi disa nga arritjet e NJKGJ-së gjatë vitit 2025, si: Forumi “Arkitektura e peizazhit në Shqipëri: sfida e potenciale” dhe CAT International Conference 2025: Qytetet pas tranzicionit etj.
Në fund, prof. dr. Perikli Qiriazi u bëri ftesë studiuesve dhe kërkuesve shkencorë të rinj që të bëhen pjesë e projekteve ambicioze studimore gjeografike, të parashikuara në platformën e NJKGJ-së.
Gjatë punimeve të kësaj tryeze shkencore u trajtuan probleme, arritje dhe sfida të teknologjive moderne të informacionit hapësinor të gjeografisë teknike, të menaxhimit territorial, mjedisor, demografik dhe zhvillimor, si dhe përdorimit të disa teknikave gjeografike në analizat komplekse të burimeve minerale në Kosovë e liqeneve alpine në Shqipëri; monitorimi inteligjent i infrastrukturës së ujit; gjeografia humane bashkëkohore në epokën e teknologjisë së informacionit digjital, si dhe çështje të analizës gjeohapësinore të potencialit të energjisë, duke përfshirë teknikat e avancuara gjeohapësinore topografike, kartografike, fotogrametrike, sistemit të pozicionimit global (GPS), sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS) etj.
Veprimtaria u mbyll me shkëmbimin e mendimeve, konkluzionet dhe propozimet për zbatimin konkret të përparësive të ofruara nga gjeografia teknike në studimet tona gjeografike, për përdorimin e teknikave gjeografike në analizat komplekse gjeografike, për ndërtimin e strategjive e programeve për studime komplekse, gjithëpërfshirëse të problemeve urgjente zhvillimore, mjedisore e më gjerë.