U mbajt konferenca shkencore dyditore mbi antropologjinë dhe trashëgiminë kulturore
Veprimtaria u mbajt në datat 20 dhe 21 nëntor 2025 me organizimin e Institutit të Antropologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.
Konferenca Shkencore me temën: “Antropologjia dhe trashëgimia kulturore – identitet, traditë dhe transformim” mblodhi në Tiranë studiues, kërkues shkencorë, ekspertë të fushës dhe profesionistë nga institucione të ndryshme kulturore.
Punimet e konferencës u zhvilluan në praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe nënkryetarit të ASHSH-së akad. Vasil Tole.
Në fjalën e hapjes drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. asoc. dr. Olsi Lelaj, theksoi se konferenca zhvillohet në një moment të rëndësishëm për institucionin, pasi tema e konferencës “nuk artikulon” vetëm një kërkesë për të kuptuar, analizuar dhe reflektuar mbi marrëdhëniet e shumëfishta mes antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore, por mbi të gjitha, antropologjia dhe trashëgimia shfaqen si një hap i ri në riorganizimin institucional të kërkimeve në Institutin e Antropologjisë si pjesë e instituteve albanologjike brenda Akademisë së Shkencave. Kjo fazë e re është parashtruar në Strategjinë e Kërkimit Shkencor për dekadën e re të këtij instituti.
Pasi paraqiti shtyllat e strategjisë së re institucionale, prof. Lelaj, e mbylli duke nënvizuar se konferenca “Antropologjia dhe trashëgimia kulturore” është një moment i rëndësishëm bashkëpunimesh dhe riartikulimi për partneritetet tona institucionale me kolegët e Departamentit të Etnologjisë dhe të Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, me kolegët e Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë–Filologjisë. Gjithashtu konferenca kontribuon edhe në formimin e partneriteteve të reja me kolegë nga Universiteti i Mjekësisë dhe Muzeu i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Shkencave të Natyrës, Tiranë, si dhe Universiteti “Fan Noli”, Korçë.
Konferencën e përshëndeti akad. Vasil Tole zv.kryetar i Akademisë së Shkencave, në emër të Kryesisë.
Kumtesat nënvizuan se antropologjia dhe trashëgimia kulturore janë dy fusha të pandara, të cilat në bashkëveprim ndihmojnë në kuptimin më të plotë të identitetit, traditave dhe mënyrës se si shoqëritë përdorin të kaluarën për ndërtimin e së ardhmes. Trashëgimia kulturore, në format e saj materiale dhe jomateriale, u vlerësua si burim i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kolektiv shqiptar dhe lidhjen e tij me rajonin.
Në fund, u bënë diskutime për sfidat e mëdha me të cilat përballet sot trashëgimia kulturore, sidomos në kushtet e zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe globalizimit. Dëmtimi fizik, humbja e kolektiviteteve, keqinterpretimet apo ndryshimi i vlerave shoqërore u evidentuan si probleme konkrete për të tashmen e trashëgimisë kulturore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të turistifikimit masiv, sidomos në vitet e fundit në Shqipëri, i cili ka shtuar presionin ndaj mënyrës së klasifikimit, shfrytëzimit dhe ruajtjes së aseteve kulturore. Po ashtu, procesi i regjistrimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në listat ndërkombëtare, si ajo e UNESCO-s, u cilësua si domosdoshmëri, por njëkohësisht si proces që ngre debate të reja dhe kërkon analiza të thelluara antropologjike.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e gjetjes së metodave inovative për interpretimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm dhe garantim të aksesit për brezat e ardhshëm.
Konferenca u mbyll me thirrjen për bashkëpunim ndërdisiplinor dhe institucional, për të siguruar që trashëgimia kulturore shqiptare të ruhet, promovohet dhe të mbetet bartëse e identitetit kombëtar në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe dinamike.