U mbajt konferenca ndërkombëtare dyditore “Lëvizje dhe kufij”: Duke eksploruar ndikimin e negocimit të tyre në art dhe kulturë në Shqipëri dhe më gjerë”
Veprimtaria u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me organizimin e Qendrës së Studimit të Arteve.
Akad. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve, bëri një prezantim hyrës për veprimtarinë. Ai tha se konferenca e këtij viti është përqendruar në periudhën që shkon nga viti 1991 deri më sot. Fundi i periudhës së socializmit shtetëror e ripërcaktoi idenë e kufijve edhe një herë. Në letër, liria e lëvizjes u bë një e drejtë e garantuar për të gjithë, por utopia e kufijve të hapur në fillim të viteve 1990 ishte një përvojë traumatike e imigracionit dhe pati një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e artit post-socialist dhe bashkëkohor shqiptar.

Seancën e parë e hapi Franco “Bifo” Berardi, teoricien social, aktivist dhe një nga figurat kyçe në lëvizjen italiane Autonomia e viteve ’70 me punimin “Aushvic në breg të detit”.
Më tej paraqitën punimet shkencore: Sofia Franchini (studente e doktoratës në antropologji sociale në Universitetin e Kembrixhit); Filippo Furri (antropolog, bashkëpunëtor në Institut Convergences Migration, Paris) dhe Ervin Shehu (doktorant në antropologji sociale në Universitetin e Egjeut).
Në sesionin me temën “Praktika të zhbërjes së kufijve” paraqitën punimet: Boris Buden (shkrimtar dhe përkthyes, Berlin); Valentina Bonizzi (artiste, bashkëthemeluese dhe kuratore programi në Institutin e Artit dhe Medias “Bulevard”); Agata Rogos/Weiss (studiuese, antropologe dhe kuratore); artisti Francesco Bertelé dhe studiuesi i artit Hristo Kaloyanov.

Në ditën e dytë, në sesionin me temën “Drejtësi sociale” prezantuan punimet Silvia Cafora (arkitekte, studiuese në Qendrën e Studimeve Territoriale (CST), Universiteti i Bergamos) dhe Filippo Furri; artisti dhe filozofi Luis Guerra Miranda (Madrid, Spanjë); arkitekti dhe eseisti Skënder Luarasi dhe arkitekti Mehmet Sinan Bermek (Stamboll, Turqi).
Në sesionin me temën “Gjeografi të reja” prezantuan punimet: Dimitra Gkitsa (lektore, Universiteti i Sauthemptonit); Pati Vardhami (kuratore, teoriciene dhe artiste); Niovi Zarampouka-Chatzimanou (kuratore, bashkëdrejtoreshë e Counterpoints Greece dhe themeluese e Pavilion of Imagination) dhe Giuseppe Previtali (profesor asistent në Universitetin e Bergamos).
Në mbyllje të veprimtarisë, dr. Stefano Romano dhe dr. Jonida Gashi bënë analizën e prezantimeve dhe diskutimeve ndërmjetëse të konferencës.

Nëpërmjet studimeve mbi transformimin e qytetit, u analizuan kufijtë dhe lëvizjet dhe raporti i artit me to, duke filluar nga hapësira urbane lokale deri në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.
