U mbajt konferenca me temën: “Markuesit imunologjikë dhe gjenetikë në sëmundjet autoimune”
Veprimtaria u mbajt sot më 6 nëntor 2025 me organizimin e Qendrës së Kërkimeve në Bioteknologji dhe Gjenetikë (QKBGJ) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Shërbimet Universitare të QSUNT-UMT-së dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Konferenca u zhvillua në kuadër të projekteve kërkimore të QKBGJ-së për implementimin e ekzaminimeve të reja diagnostikuese në sëmundjet autoimune, si dhe studimin e markuesve gjenetikë në këto sëmundje, me qëllim avancimin drejt një mjekësie të personalizuar në këtë fushë, me synimin për të krijuar një platformë dialogu ndërmjet kërkuesve shkencorë, klinicistëve dhe institucioneve, për të përçuar informacionin bashkëkohor mbi aspektet klinike, patogjenetike dhe imunogjenetike të sëmundjeve autoimune.
Veprimtarinë e hapi akad. Genc Sulçebe drejtor i QKBGJ-së. Ai vlerësoi konferencën për vëmendjen e veçantë në sëmundjet autoimune, të cilat për një periudhë të gjatë kohore janë lënë pas dore. Zgjimi i interesit përkon edhe me vëmendjen e veçantë në kërkimet shkencore nga 3 laureatët e Nobel 2025 për mjekësi, të cilët kanë identifikuar “rojet e sigurisë” të sistemit imunitar, qelizat T rregullatore, duke hedhur kështu bazat për një fushë të re kërkimi. Zbulimet e tyre kanë nxitur zhvillimin e trajtimeve të reja, që të ofrohen terapi më efektive kundër kancerit dhe të parandalohet shfaqja e ndërlikimeve të rënda pas transplantimeve të organeve si dhe qelizave staminale.
Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u uroi mirëseardhjen gjithë pjesëmarrësve dhe shprehu vlerësimet për tematikën e konferencës: “Markuesit imunologjikë dhe gjenetikë në sëmundjet autoimune”, që përfaqëson një nga drejtimet më dinamike dhe më premtuese të kërkimit biomedikal bashkëkohor.
Ai tha se sëmundjet autoimune përbëjnë një sfidë madhore për mjekësinë moderne. Ato janë patologji të ndërlikuara, që prekin miliona njerëz në mbarë botën dhe shpesh shoqërohen me pasoja të rënda për cilësinë e jetës. Përparimet e dekadës së fundit në imunologji, gjenetikë dhe bioteknologji kanë zbuluar shumë nga mekanizmat që qëndrojnë pas këtyre sëmundjeve, duke na afruar me një objektiv të ri: mjekësinë e personalizuar — mjekësinë që përshtatet me profilin gjenetik dhe imunologjik të çdo individi.
Ndër të tjera, akad. Gjinushi theksoi rolin e Qendrës së Kërkimeve të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës të ngritur pranë Akademisë së Shkencave dhe strategjitë gjatë periudhës 2026 – 2028.
Ndërsa foli për projektet e zhvilluara që përbëjnë bazën e kësaj konference dhe për nismat e reja të ASHSH-së, akad. Gjinushi tha se këto iniciativa përfaqësojnë një hap të madh drejt integrimit me sistemin europian të shëndetësisë.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave premtoi mbështetjen e institucionit në këtë drejtim me përkushtim dhe vizion, duke u fokusuar në kërkime që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik dhe zhvillimin kombëtar.
“Le ta shohim këtë konferencë si një urë bashkëpunimi, një pikëtakim të dijes dhe përvojës, që do të ndihmojë në përparimin e kërkimit dhe të mjekësisë në vendin tonë.”-tha akad. Gjinushi.
Konferencën e përshëndetën edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, prof. dr. Xheladin Draçini. Ai shprehu falënderimet për Kryetarin e Akademisë së Shkencave akad. Gjinushin dhe drejtorin e QKBGJ -së akad. Sulçebe, si dhe pjesëmarrësit për bashkëpunimin në organizmin e kësaj konference. Ai tha se ky aktivitet tregon përkushtimin e institucioneve tona kërkimore dhe universitare për të nxitur dialogun shkencor dhe bashkëpunimin ndërdisiplinor në bioteknologji, gjenetikë dhe imunologji, fusha kyçe këto për mjekësinë e personalizuar. Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve, ai shprehu gatishmërinë për mbështetjen e çdo nisme që do të forcojë Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Drejtoresha e programeve kombëtare (AKSHI) znj. Marsela Robo, në fjalën e përshëndetjes, e vuri theksin në vëmendjen e veçantë që i është dhënë finalizimit të një projekti dhe produkteve shkencore. Aktualisht janë përmbyllur projektet e kërkimit shkencor që janë financuar gjatë viteve 2020-2021, 2020-2023.
Shifrat tregojnë që ka një rritje të madhe të interesit të kërkuesve shkencorë për projekte shkencore të finalizuar me 70 artikuj shkencorë të botuar në revista të indeksuara, kryesisht në Scopus dhe 27 të tjerë në revista të ndryshme. Kërkuesit shkencorë po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë që të dërgojnë botimet e tyre në këto revista. Gjithashtu, është rritur pjesëmarrja në konferencat ndërkombëtare nga kërkuesit tanë. Znj. Robo falënderoi për punën e bërë për dy projekte të financuar nga AKKSHI në fushën e autoimunitetit që paraqiten në këtë konferencë.
Punimet e konferencës vijuan në dy seancat plenare, të cilat u drejtuan nga akad. Genc Sulçebe, prof. Zamira Ylli, prof. Gjeorgjina Lito-Kuli dhe prof. asoc. Arbi Pecani.
Referuesit akad. Genc Sulçebe, prof. dr. Jera Kruja, prof. dr. Jovan Basho, prof. Gjeorgjina Lito-Kuli, prof. asoc. Dorina Ylli, prof. asoc. Monika Fida, dr. Erkena Shyti, dr. Margarita Kurti, prof. asoc. Arbi Pecani, trajtuan aspektet kryesore klinike, patogjenetike dhe imunogjenetike të sëmundjeve autoimune si: epidemiologjia dhe mekanizmat imunopatologjikë; skleroza multiple; sëmundjet autoimune të heparit: epidemiologjia dhe diagnoza; gjendjet febrile rekurrente dhe sindromat autoinflamatore; mekanizmat imune në sëmundjet endokrine: sëmundjet dermatologjike; reumatizmale etj.
Në kuadër të këtyre prezantimeve, u diskutuan informacione shkencore bashkëkohore mbi arritjet kryesore në patologjitë autoimune duke u fokusuar edhe në vendin tonë dhe duke nënvizuar aspektet klinike dhe diagnostike të tyre.
Konkluzionet e konferencës ishin se sëmundjet autoimune që prekin rreth 10% të popullatës janë në rritje kryesisht për shkak të influencës se kushteve ambientale si mbipesha, jeta sedentare, ndotja ushqimore, e ajrit etj. Për këto sëmundje duhet një vëmendje më e madhe në drejtim të diagnozës së saktë të tyre si dhe të mjekimit sa më të përshtatshëm dhe të hershëm.