U mbajt konferenca e 9-të e përbashkët shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit 2025, Shkenca nën presion: sfidat dhe mundësitë; Lubjanë, Slloveni
Në datat 14-16 tetor 2025 u zhvillua konferenca e 9-të e përbashkët shkencore me temën “Shkenca nën presion – sfidat dhe mundësitë” në Lubjanë, Slloveni.
Në këtë konferencë Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua nga akad. Anila Hoda, sekretarja shkencore, dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj, shefja e marrëdhënieve me jashtë dhe publikun.

Që nga viti 2015, Procesi i Berlinit përfshin një shtyllë të dedikuar për shkencën, arsimin, kërkimin, inovacionin dhe transferimin e njohurive, e cila koordinohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave “Leopoldina”. Çdo vit, në kuadër të kësaj shtylle, organizohet Konferenca e Përbashkët Shkencore e Procesit të Berlinit, e cila kurorëzoi organizimin e saj të 9-të duke bërë bashkë akademikë, ekspertë dhe aktorë institucionalë nga vendet pjesëmarrëse.

Organizatorë të kësaj konference ishin Akademia Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar “The Royal Society” dhe ajo e Gjermanisë, “Leopoldina”, në bashkëpunim me UK Foreign, Commonwealth and Development Office të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), me mbështetjen e Universitetit të Lubjanës dhe Akademisë Sllovene të Shkencave dhe Arteve.
Kjo konferencë treditore reflektoi mbi sfidat në rritje me të cilat përballet komuniteti shkencor në të gjitha vendet e Procesit të Berlinit, si dhe mbi pritshmëritë e larta që i adresohen shkencës në shoqëri. Pavarësisht nga këto sfida, shkenca vazhdon të dëshmojë rolin e saj të pazëvendësueshëm në zhvillim, stabilitet dhe përparim.

Tematikat kryesore të trajtuara në punimet e konferencës ishin:
– Mbrojtja e vlerave dhe parimeve të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale, përfshirë rolin e tyre si hapësira të sigurta për demokracinë dhe mbrojtëse të sundimit të ligjit dhe barazisë;
– Kontributi i shkencës në konkurrueshmëri, ekonominë e dijes dhe sigurinë;
– Reformat kyçe për përshpejtimin e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e BE-së, me vëmendje të veçantë ndaj pritshmërive të brezit të ri.
Në përfundim të konferencës u hartua një Deklaratë e Përbashkët me rekomandime konkrete për Samitin e 11-të të Ballkanit Perëndimor të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, i cili do të mbahet më 22 tetor 2025 në Londër.
