U mbajt Konferenca e 11-të Ballkanike e Informatikës (BCI 2025)
Edicioni i 11-të i Konferencës Ballkanike të Informatikës (BCI 2025) u zhvillua në datat 13-15 tetor 2025 në mjediset e “Tirana International Hotel & Conference Center”.
Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin Epoka, Infosoft Systems, DATAPROGNET, MADCOM, MANT, MECO, TBS96.
Ditën e parë të konferencës përshëndeti në emër të Akademisë së Shkencave akad. Neki Frashëri, kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike.
Ishte i pranishëm si kryetar nderi i Konferencës Ballkanike të Informatikës Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të tjerë të kryesisë.
Konferenca u drejtua nga prof. dr. Betim Çiço, Universiteti EPOKA, Shqipëri, dhe prof. dr. Yannis Manolopoulos.
Prof. dr. Isak Shabani, dekan dhe profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës; prof. dr. Radovan Stojanović, profesor i inxhinierisë elektrike në Universitetin e Malit të Zi dhe president i Shoqatës Malazeze për Teknologjinë e Re (MANT) dhe Yannis Manolopoulos, Universiteti i Nikozisë, Qipro, prezantuan objektivin kryesor të serisë së konferencave.
Një nga objektivat kryesorë është ofrimi e përhapja e arritjeve kërkimore në shkencën kompjuterike dhe teknologjinë e informacionit, që ka si qëllim promovimin, ndërveprimin dhe bashkëpunimin midis shkencëtarëve nga vendet e Ballkanit dhe pjesa tjetër e botës, si dhe inkurajimin për përfshirjen e studiuesve të rinj nga rajoni.
Seancën plenare e çelën të fituarit: prof. dr. Mira Mezini, Universiteti Teknik i Darmstadtit, anëtare e jashtme e ASHSH-së; prof. dr. Panagiotis Sarigiannidis, drejtor i laboratorit ITHACA; Orges Cico, Autronica Fire and Security AS, Norvegji, dhe prof. dr Dragan S. Janković, Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike, Universiteti i Nishit.
Konferenca u zhvillua me disa sesione, ku u raportua mbi zhvillimet, rishikimet, propozimet dhe projektet mbi teknologjinë e informacionit në Europën Juglindore në fushat e mëposhtme:
Qeverisja (p.sh.: sistemet në vend, politikat etj.).
Arsimi (çështjet e kurikulave, arsimi i mesëm dhe i lartë etj.).
Çështjet profesionale (p.sh.: punësimi, Shoqëritë e Kompjuterave, sipërmarrja etj.).
Prioritetet Europiane të TIK-ut (p.sh.: ndërmarrjet, specializimi inteligjent, plakja etj.).
Në Konferencën e 11-të Ballkanike të Informatikës u trajtuan temat dhe çështjet e organizimit të pajisjeve dhe sistemeve kompjuterike; rrjetet; inxhinieria e softuerëve; sistemet e informacionit; informatika e përqendruar te njeriu; informatika e aplikuar, temat sociale dhe profesionale, përpunimi i gjuhës natyrore LLM etj.
U zhvillua shkolla verore e aplikacioneve industriale të sigurisë kibernetike BCI.
Dita e fundit e konferencës u mbyll me vizitat e pjesëmarrësve në parkun e Apolonisë dhe në Manastirin e Zvërnecit.
Veprimtaria u mbajt në vijim të traditës së konferencave ballkanike të informatikës (BCI) të mbajtura në Craiova (2024), Sofje (2019), Shkup (2017), Craiova, (2015), Selanik (2013), Novi Sad (2012), Selanik (2009), Sofje (2007), Ohër (2005) dhe Selanik (2003).