U mbajt konferenca dyditore “Viti arkeologjik 2025”

Punimet e konferencës shkencore dyditore u zhvilluan në datat 25 dhe 30 mars 2026, nga Instituti i Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Konferenca u hap nga kryetari i Institutit të Arkeologjisë, akad. Adem Bunguri, i cili e vlerësoi organizimin e saj si një moment për të prezantuar dhe vlerësuar punën dhe gjetjet arkeologjike të kryera gjatë vitit pararendës, si dhe për të evidentuar sfidat e kërkimit arkeologjik në terren dhe rezultatet e arritura nga projektet kërkimore. Ai falënderoi të gjithë autorët e gërmimeve dhe arkeologët për impenjimin, seriozitetin dhe rezultatet e kënaqshme, pavarësisht sfidave të shumta në terren.
Në fjalën përshëndetëse, përfaqësuesi i Kryesisë së Akademisë së Shkencave, njëkohësisht kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha, e vlerësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm reflektimi mbi punën kërkimore vjetore. Ai theksoi se konferenca përbën një hapësirë të privilegjuar për ndarjen e rezultateve më të fundit shkencore, për dialogun ndërmjet metodologjive bashkëkohore kërkimore dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjithashtu, ai vuri në dukje ndërthurjen e përvojës së gjatë të studiuesve me energjinë dhe qasjet e reja të kërkuesve të rinj, si dhe rolin e arkeologjisë shqiptare në kontekstin europian të kërkimit shkencor. Më tej, akad. Hoxha vlerësoi programin e pasur të konferencës, që dëshmon jo vetëm intensitetin e punës në terren, por edhe cilësinë dhe larminë e qasjeve metodologjike që karakterizojnë sot arkeologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së standardeve kërkimore dhe të përforcimit të bashkëpunimeve institucionale, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të mëtejshëm të studimeve arkeologjike dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si një pasuri me vlera të pazëvendësueshme shkencore dhe identitare.
Punimet e konferencës u zhvilluan në tre sesione tematike.

Seanca e parë, e organizuar nga Departamenti i Prehistorisë dhe e drejtuar nga prof. asoc. Rovena Kurti, solli rezultate të rëndësishme nga kërkimet në kompleksin karstik të Gajtanit, në vendbanimin e Podgories në zonën e Korçës, si dhe në fortifikimin prehistorik të Orenjës (Librazhd). Këto studime dëshmuan për rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe përdorimin e metodave bashkëkohore në studimin e periudhave të hershme.
Seanca e dytë, e fokusuar në antikitet dhe e drejtuar nga dr. Sabina Veseli, paraqiti rezultate të reja nga qendra të rëndësishme arkeologjike si Apolonia, Bylisi dhe Antigonea, si dhe studime të peizazhit arkeologjik në zonat Memaliaj–Tepelenë dhe në luginën e Drinosit. Kërkimet theksuan rëndësinë e një qasjeje të integruar, ku qytetet antike trajtohen në marrëdhënie dinamike me territorin përreth.
Dita e dytë e konferencës u hap me prezantimin e projektit të Bylisit nga prof. dr. Neritan Ceka, ku u paraqitën të dhëna mbi gërmimet dhe projektet e restaurimit. Projekti realizohet nga studiues të Institutit të Arkeologjisë, me pjesëmarrjen e dr. Olgita Cekës dhe dr. Suela Xhyherit si përgjegjëse gërmimi, si dhe me kontributin e ekspertëve për kërkimin dhe restaurimin, ku konsulentë janë prof. dr. Neritan Ceka, prof. dr. Skënder Muçaj dhe Edmond Haxhiraj (restaurator, përgjegjës restaurimi).
Seanca e fundit, e drejtuar nga dr. Brikena Shkodra dhe e përqendruar në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën, paraqiti një gamë të gjerë studimesh, përfshirë kërkimet në luginën e Bulqizës, në Drisht dhe Hajmel, si dhe në vendbanime mesjetare në zonën e Tiranës. Diskutimet evidentuan interesin në rritje për transformimet historike, urbane dhe kulturore të periudhës së kalimit nga antikiteti në mesjetë.
Dita e dytë e konferencës pati vëmendjen e Kryetarit të ASHSH-së dhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë, të cilët vlerësuan rezultatet e punës shkencore-kërkimore. Akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij, dha sugjerime për një organizim më të zgjeruar të aktiviteteve shkencore, duke i shtrirë në disa ditë për diskutime më efektive.
Ai theksoi nevojën për një pasqyrim më të qartë të arritjeve vjetore dhe për zhvillimin më të dendur të debateve shkencore, si dhe vuri në dukje pengesat administrative dhe nevojën për përmirësimin e mekanizmave të financimit. Gjithashtu, propozoi krijimin e një databaze kombëtare për kërkimet arkeologjike. Në përfundim, akad. Gjinushi vlerësoi rolin e arkeologjisë në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Gjatë dy ditëve të konferencës, studiues, profesorë dhe specialistë të fushës diskutuan rezultatet më të fundit të kërkimeve arkeologjike, duke trajtuar zbulime nga periudha të ndryshme historike, si dhe projektet e restaurimit dhe konservimit të trashëgimisë kulturore.
Në fjalën përmbyllëse të konferencës, akad. Adem Bunguri u shpreh se konferenca “Viti arkeologjik 2025” konfirmoi rolin e saj të rëndësishëm shkencor në prezantimin e arritjeve, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit arkeologjik në Shqipëri.