U mbajt ceremonia e dorëzimit të diplomës “Anëtar i jashtëm” për prof. dr. Burim Ametaj

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka organizuar një ceremoni nderimi për një nga studiuesit më të shquar në nivel ndërkombëtar në fushën e mjekësisë veterinare dhe biologjisë sistemike, prof. dr. Burim Ametaj, me rastin e dorëzimit të diplomës së pranimit si anëtar i jashtëm.

Ceremonia u moderua nga sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, e cila në fjalën e saj të hapjes foli për kontributin e çmuar dhe përkushtimin e vazhdueshëm të prof. dr. Ametaj në fushat e kërkimit shkencor. Ajo e vlerësoi atë si një nga figurat më të spikatura dhe përfaqësuese të shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare, me arritje të rëndësishme në bioteknologjinë bujqësore, mjekësinë veterinare, metabolomikë dhe kërkimin translacional.

Akad. Hoda vuri në dukje se prof. dr. Ametaj mban titullin profesor në Universitetin e Albertës, një nga institucionet më prestigjioze në fushën e shkencave bujqësore, ushqimore dhe veterinare. Ai zotëron dy doktoratura, përkatësisht në fiziologjinë e të ushqyerit dhe në imunobiologji. Me mbi 120 artikuj të botuar në revista me faktor të lartë impakti, mbi 8 mijë citime dhe një h-indeks 49, ai renditet ndër studiuesit shqiptar më të cituar në botë në fushat e shkencave bujqësore dhe veterinare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, e cilësoi këtë ceremoni si një moment të rëndësishëm për institucionin, duke theksuar se zgjedhja e prof. dr. Ametajt si anëtar i jashtëm është një nder për ASHSH-në. Ai vuri në dukje rëndësinë e kontributit të shkencëtarëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit dhe theksoi se një nga angazhimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të institucioneve të arsimit të lartë dhe të politikës shqiptare është ulja e ritmit të ikjes së trurit dh nxitja e rikthimit të tyre nëpërmjet përfshirjes më shumë në projekte të përbashkëta.

Akad. Gjinushi vlerësoi angazhimin e prof. dr. Ametaj për të kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, përfshirë pjesëmarrjen e tij në projekte evropiane. Ai u shpreh se tashmë jemi në fazën kur synojmë të arrijmë standardet evropiane, ku një nga drejtimet kryesore është reformimi real i sistemit të kërkimit shkencor dhe pasurimi i tij me institucione prestigjioze, siç mund të ishte një institut apo qendër për shkencat e jetës ide kjo e mbështetur edhe nga prof.dr. Ahmetaj. Kryetari i ASHSH-së i dorëzoi profesorit diplomën për zgjedhjen si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave.

Në mbyllje të ceremonisë, prof. dr. Burim Ametaj falënderoi Akademinë e Shkencave për vlerësimin dhe shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e vendit, pavarësisht angazhimeve të tij jashtë Shqipërisë. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për avancimin e kërkimit shkencor dhe afrimin me standardet evropiane. Gjithashtu, prof.dr. Ametaj mbajti ligjëratën me temë: “Jetojmë në një epokë ndryshimesh paradigmash: Reduksionizmi kundrejt Biologjisë së Sistemeve”, një kontribut shkencor mbi kufijtë e reduksionizmit dhe rolin e biologjisë së sistemeve si paradigma e re e shkencës bashkëkohore biologjike.

Ceremonia përbën një hap tjetër në vlerësimin e figurave të shquara të shkencës shqiptare dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin shkencor shqiptar neper bote.