Sopranoja e shquar me famë botërore, Ermonela Jaho, merr diplomën si “Anëtare e jashtme” e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Sot, më 22 shtator 2025, sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho u prit në selinë e Akademisë së Shkencave nga kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi; zv/kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, znj. Evis Kushi; zëvendëskryetari i ASHSH-së, akad. Vasil Tole; sekretarja shkencore e ASHSH-së akad. Anila Hoda; anëtarë të tjerë të kryesisë së ASHSH-së, akademikë, të ftuar dhe miq të saj.

Mikpritja nisi me falënderimet dhe shprehjen e mirënjohjes nga Kryetari i Akademisë së Shkencave për arritjet e sopranos së shquar në skenat e operës botërore.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil Tole, bëri një prezantim të përmbledhur të vlerave dhe meritave të sopranos Ermonela Jaho. Pasi përshkoi rrugëtimin e saj artistik dhe sukseset e panumërta në skenat botërore, akad. Tole theksoi se interpretimet e saj operistike përfshijnë kryerole, si: Violetta te “La traviata”, -Ҫio Ҫio Sian te “Madame Butterfly”, Manon tek opera “Manon” , Amina te “La sonnambula”, Mimi te “La bohème”, Michaela te “Carmen”, Giulietta tek “I Capuleti e i Montecchi”, Angelica te “Suor Angelica”, Norina te opera “Don Paskuale”, Suzanёn te “Dasma e Figaros”, roli i Semiramidës tek opera “Semiramida”, të Mimit tek “Anna Bolen”, Thais te “Luisa Miller”, Margerita te “Faust”, rolin e Lucias te “Lucia di Lamermoor” etj.

Gjithashtu, akad. Tole vuri në dukje morinë e çmimeve ndërkombëtare që ka fituar sopranoja e mirënjohur, si dhe skenat prestigjioze ku ajo ka kënduar duke u cilësuar si sopranoja më e vlerësuar në botë, si një engjëll i zjarrtë; si një fenomen i pandalshëm dhe sipas “Financial Times”: “Ajo jep zemrën dhe shpirtin kur këndon.” etj.
Në fund, ai theksoi se Ermonela Jaho, e formuar në shkollën shqiptare të kantos, ёshtё sot pa dyshim artistja më e madhe lirike shqiptare që ka arritur nivele tё tilla tё karrierës artistike nё vijim tё traditës sё çelur nё skenat ndërkombëtare nga Tefta Tashko Koço, Inva Mula etj.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi e njohu sopranon me arsyen e vendosjes së statusit të anëtarit të jashtëm, si një nevojë për hapjen e ASHSH-së ndaj studiuesve, kërkuesve e krijuesve më të suksesshëm që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë vendit në fushën e shkencës, letërsisë, artit e kulturës; si një detyrim për të vlerësuar e shprehur mirënjohjen ndaj më të shquarëve.
Akad. Gjinushi, pasi e përgëzoi edhe njëherë sopranon për arritjet e saj, tha se Akademia e Shkencave është e nderuar me pranimin e Ermonela Jahos si anëtare jashtme.

Sopranoja e mirënjohur Ermonela Jaho shprehu mirënjohjen për Kryesinë e ASHSH-së dhe anëtarët e saj. Ajo e konsideroi vlerësimin si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si një nder që shkon përtej një vlerësimi formal. “Është një prekje shpirtërore, një rikthim simbolik në origjinë, një urë që lidh rrugëtimin tim artistik me vendin që më dha frymën e parë”-tha Jaho.
Ajo theksoi se: “Ky nder që më bëni sot nuk është thjesht një vlerësim për rrugën time artistike, por një ftesë për të qëndruar më afër vendit tim, për të kontribuuar më thellë në jetën kulturore dhe shpirtërore të tij. Është një përgjegjësi që e marr me përkushtim të plotë dhe me një ndjeshmëri që nuk është venitur asnjëherë, pavarësisht nga largësitë gjeografike.”
Sopranoja e shquar, Ermonela Jaho, u shpreh më tej e emocionuar që “ky vlerësim vjen nga një institucion që përfaqëson mendimin, dijen, kujtesën dhe vizionin e kombit tonë: prandaj ka një peshë të veçantë për mua, sepse më lidh me një traditë që dua ta nderoj dhe ta pasuroj me gjithçka që jam.”
Në fund, ajo tha se: “E marr këtë vlerësim si një frymëzim për të ecur më tej, për të mos ndalur së kontribuuari jo vetëm si artiste, por si shqiptare që beson në fuqinë transformuese të kulturës, në domosdoshmërinë e dialogut dhe në përgjegjësinë për ta çuar përpara trashëgiminë tonë të përbashkët.”

Certifikata “Anëtare e jashtme” e Akademisë së Shkencave iu dorëzua sopranos Ermonela Jaho nga znj. Evis Kushi. Ajo lexoi motivacionin e pranimit të Ermonela Jahos si anëtare e jashtme e ASHSH-së. Nëpërmjet kësaj certifikate, Ermonela Jaho vlerësohet si personalitet i artit, këngëtare lirike, soprano me njohje ndërkombëtare. Znj. Kushi shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin artistik dhe kënaqësinë e krenarinë që na jep sopranoja shqiptare me arritjet e saj në skenat botërore.
Gjatë takimit të pranishmit ndanë mendime dhe emocione tepër miqësore me sopranon e madhe.
Fotot: Roland Tasho