Referim nga akademike Kristina Jorgaqi mbi nevojën e ndërhyrjeve plotësuese e përditësuese në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973)
Komisioni i Përhershëm i Gjuhësisë e i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u mblodh të enjten në 6 nëntor 2025 për të dëgjuar e diskutuar një parashtresë të përgatitur nga akademike Kristina Jorgaqi, “Mbi nevojën e ndërhyrjeve plotësuese e përditësuese në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973)”.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave, akad. Gëzim Hoxha.
Akad. Jorgaqi paraqiti dhe argumentoi nevojën e domosdoshme të rishikimit të manualit drejtshkrimor të shqipes standarde, kur ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli prej botimit të tij. U analizuan në mënyrë të hollësishme faktorët që kanë ndikuar në vonesën e rishikimit të këtij manuali; u bënë krahasime me veprimtaritë kodifikuese të ndërmarra në gjuhë të tjera europiane; u trajtua çështja e parimeve, mbi bazën e të cilave duhen bërë ndërhyrjet; u evidentuan aspektet e drejtshkrimit që kanë nevojë të ndreqen, plotësohen e përditësohen; si dhe u shpreh e u argumentua mendimi mbi rolin e Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë si autoriteti rregullator për planifikimin drejtshkrimor të shqipes. Sipas akad. Jorgaqit, shqipfolësit duhet të kenë sa më shpejt në dorë një manual drejtshkrimor të plotë e të përditësuar.

Parashtresa e akad. Jorgaqit u pasua nga pyetje e diskutime prej gjithë të pranishmëve, emëruesi i përbashkët i të cilave ishte nevoja e ngutshme për të patur një kod drejtshkrimor, që u përgjigjet nevojave që kanë sot përdoruesit e shqipes.
