Redaksia qendrore e “Enciklopedisë shqiptare” miratoi madhësinë e artikujve enciklopedikë dhe autorët për hartimin e tyre

Pas miratimit përfundimtar të përbërjes së fjalësit për “Enciklopedinë shqiptare”, në datat 7-8 prill në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua mbledhja dyditore e redaksisë qendrore për përcaktimin dhe miratimin e artikujve monografikë, të atyre të mesëm dhe të mëdhenj për personalitetet, si dhe për autorët e shkrimit të tyre.
Punimet u drejtuan nga kryeredaktori i veprës, akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe zëvendëskryeredaktori akad. Mehmet Kraja, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Me miratimin e madhësisë së artikujve dhe autorëve u hap rruga për fillimin e shkrimit të tyre, numri i të cilëve ka arritur mbi 12 500.
Për lehtësimin dhe disiplinimin e kësaj faze përfundimtare dhe të rëndësishme, redaksia qendrore miratoi ngritjen e platformës online për hartimin dhe publikimin e enciklopedisë pranë Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, sipas përvojës së “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, si dhe disa udhëzues në ndihmë të redaksive të fushave dhe autorëve.
Një vend të veçantë në këto udhëzime zënë roli dhe detyrat e përgjegjësve të redaksive në koordinimin e punës. Mbështetur në volumin e punës, organizimin e saj dhe përparësitë që jep platforma e redaksisë qendrore, synohet që projekti madhor “Enciklopedia shqiptare”, më i madhi deri më tani, të përfundojë brenda afateve dhe me cilësi të lartë.



