Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dorëzon veprën "Fjalori i madh i gjuhës shqipe” me mbi 125.000 njësi leksikografike
Ditën e mërkurë, dt. 24 dhjetor 2025, në orën 10.00 në një ceremoni të organizuar nga Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga një përfaqësi e përbërë nga akad. Valter Memisha, prof. Shezai Rrokaj, akad. Gjovalin Shkurtaj, prof. Anila Omari dhe prof. Anila Kananaj, si dhe nga drejtori i QBEA-së z. Andreas Dushi, u bë dorëzimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, 2025.
“Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, shënon kurorëzimin e punës 5-vjeçare (2021-2025) dhe pasqyron mbi 125.000 njësi leksikografike (rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, rreth 3.500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra a ndajfolje, rreth 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5.000 togfjalësha terminologjikë, rreth 1.200 emërtime shkurtesore, rreth 250 terma të huazuar të paasimiluar grafikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250.000 kuptime leksikore me mbi 1.000.000 shembuj ilustrues për këto kuptime etj.). Ai vjen para përdoruesit të gjuhës shqipe si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar.
Fjalori është një vepër e vëllimshme me 27.000.000 karaktere ose 10.800 faqe kompjuterike. Në ceremoninë e organizuar ai u dorëzua si maket i printuar në një kopje dhe u lidh në tri vëllime me nga 3300 faqe A4 secili. Gjithashtu Kryesisë iu dorëzua dhe një kopje simbolike në variantin elektronik (CD).
Kryetari i Akademisë, akad. Skënder Gjinushi, në emër të Kryesisë së Akademisë vlerësoi punën e bërë nga gjithë grupi realizues i projektit: nga bashkëpunëtorët, nga hartuesit, nga redaktorët, nga kryesia e redaksisë, nga korrektorët, si dhe nga forcat ndihmëse.
Realizimi i projektit dhe puna e bërë u vlerësua dhe nga nënkryetari i Akademisë, akad. Vasil Tole, nga kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe albanologjike, akademik Gëzim Hoxha dhe nga akademikë të tjerë të pranishëm.
Gjatë ceremonisë së dorëzimi të veprës u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë, me diskutime të frytshme për punën e vështirësitë e ndeshura për hartimin e Fjalorit, si e para vepër e këtyre përmasave dhe e kësaj tipologjie.
Vepra do të hidhet në fillim të vitit 2026 në sistemin on-line dhe do të jetë e hapur për përmirësime, për njësime, për shtime e rishikime që do të bëhen nga një grup leksikografësh pranë QBEA-së.
Në fund të kësaj ceremonie dorëzimi, Kryesia e Akademisë shtroi një koktej.