Promovohet libri më i ri i shkrimtarit Namik Dokle “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”

Në 80-vjetorin e tij të lindjes, shkrimtari dhe politikani Namik Dokle bëri bashkë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë personalitete të kulturës, shkencës dhe politikës, me rast promovimin e librit më të ri “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”.
Znj. Majlinda Toçi, drejtoreshë e komanduar e Bibliotekës Kombëtare, në fjalën hapëse të veprimtarisë, u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen e personaliteteve të larta në promovimin e veprës dhe e vlerësoi shkrimtarin Namik Dokle si një nga zërat më të veçantë të letrave shqipe. Ajo e paraqiti veprën e tij më të re “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”, si një rrëfim të gjerë letrar mbi historinë, duke përfshirë traditat dhe jetën e banorëve të krahinës së Gorës e duke ndërthurur kujtesën historike me rrëfimin artistik dhe dimensionin njerëzor të personazheve.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole, dhe njëherësh kryetar i Komisionit të Përhershëm të Arteve pranë ASHSH-së, bashkorganizator i kësaj veprimtarie, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi shkrimtarin Dokle si një personalitet të rëndësishëm të jetës kulturore e shkencore të Shqipërisë.
Akad. Tole paraqiti më tej një vështrim estetik të veprës së Dokles, duke e përshkruar shkurt si trilogji që ka si bosht karakterin historik e legjendar, rrëfimin për fatin dhe ndodhitë e një familjeje, të një fisi apo grupi etnik gjatë disa brezave. Duke e nisur nga ky këndvështrim, saga zakonisht mbështetet në një bazë historike të qartë, të mirëpërcaktuar, duke gërshetuar elementët realë me elementët legjendarë. Ai theksoi se “Saga e Gorës” është tashmë një shembull i bukur dhe i pasur që përfshin artistikisht jetën e Gorës për një periudhë kohore që shkon edhe përtej përmasës së kujtesës njerëzore. Ajo është vazhdim i kujtesës së të parëve të tij të cilën shkrimtari Dokle e sjell në jetë përmes përpunimit artistik, përmes narratives së fuqishme, përmes folklorit dhe frazeologjisë tipike të zonës, përmes traditave gojore dhe sistemore intelektuale.

Në fund të fjalës së tij, akad. Tole e vlerësoi librin e Dokles si një monument letrar që shpaloset me ngjyra të gjalla nga pena e shkrimtarit me një mozaik të gjerë narrativ, ku kultivohen e zhvillohen vlerat e shtresave sociale, përkufizime të psikologjisë njerëzore dhe të zhvillimit të jetës në një kohë të caktuar. Ky roman sjell një dimension të ri të rrëfimit historik, duke shërbyer si një pikë referimi për studimet e mëtejshme për historinë, kulturën dhe traditat e kësaj krahine.
Për vlerat estetike dhe mesazhet e veprës mbajtën ligjërata edhe studiuesi Behar Gjoka, kritiku dhe publicisti Agim Baçi.
Në fund, shkrimtari Dokle i falënderoi të gjithë të pranishmit, miqtë dhe ligjëruesit për vlerësimin e veprës, duke vlerësuar edhe rrugëtimin e përbashkët që ka bërë me ta në fushën e publicistikës dhe të krijimtarisë. Gjithashtu, ai falënderoi shtëpitë botuese “Toena” e “Onufri”. Në mënyrë të veçantë, ai falënderoi kryesinë e ASHSH-së, Komisionin e Arteve në Akademinë e Shkencave, kryetarin e këtij komisioni zv. kryetarin e ASHSH-së akad. Vasil Tole për organizimin e këtij aktivitetit.