Për herë të parë në Shqipëri u mbajt takimi vjetor i Grupit Europian të Këshillit Ndërkombëtar të Shkencës (ISC)
Në datat 20-21 tetor 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt takimi i 8-të vjetor i përfaqësuesve të akademive dhe institucioneve të tjera kërkimore shkencore europiane, në kuadër të Grupit Europian të Këshillit Ndërkombëtar të Shkencës (ISC) ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare që nga viti 2009.
Akad. Tarmo Soomere, kryetar i Grupit ISC Europe, anëtar i Akademisë së Shkencave të Estonisë, në hapje të takimit falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që mikpriti këtë organizim.
Ai e vlerësoi Këshillin Ndërkombëtar të Shkencës (ISC) si organizatën globale shkencore më me ndikim në botë. Ajo bashkon jo vetëm akademitë kombëtare të shkencave, qofshin ato të shkencave natyrore apo të shkencave shoqërore dhe humane, por edhe shumë aktorë të tjerë të rëndësishëm në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Më tej ai tha se qëllimi kryesor i Këshillit të Shkencës është të shprehë dhe të përcjellë zërin e shkencëtarëve në çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien publike globale. I mbështetur nga anëtarët e tij dhe organizata të shumta partnere ndërkombëtare, Këshilli merr pjesë në formësimin e politikës ndërkombëtare të kërkimit dhe promovon ofrimin e këshillave shkencore dhe hartimin e politikave të bazuara në njohuri shkencore. Forca e tij qëndron në bashkimin e zërit të aktorëve të ndryshëm. Si një organizatë botërore, është e natyrshme që ISC-ja të ketë disa pika kyçe rajonale si në Azi dhe Paqësor, në Amerikën Latine, në Karaibe dhe në Europë. Pika të ngjashme kyçe janë në zhvillim e sipër në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Një detyrë e brendshme dhe e rëndësishme për anëtarët europianë është të përfaqësojnë interesat e institucioneve kërkimore dhe shkencëtarëve europianë në organizatën globale ISC. Kjo nuk është vetëm për të tërhequr vëmendjen ndaj pikëpamjeve dhe nevojave të shkencëtarëve europianë, por më shumë rëndësi ka misioni ynë që të përçojmë zgjidhje të shkëlqyera që kanë funksionuar për Europën në rajone të tjera dhe të paralajmërojmë për rreziqet dhe dështimet e mundshme.
Akad. Soomere tha se një pjesë e madhe e kohës së takimit që mbahet në Tiranë i kushtohet sfidave për shkencën në rajonin ku organizohet takimi. Ky është një tipar i dakordësuar i punës së anëtarëve europianë që fjala t’u jepet rajoneve më pak të njohura. Ky është kontributi i ISC-së drejt forcimit të lidhjeve dhe zvogëlimit të kontrasteve në kontinentin tonë.
Në emër të Kryesisë, fjalën përshëndetëse e mbajti akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ajo u shpreh se Akademia e Shkencave e ka mirëpritur organizimin e këtij takimi të rëndësishëm të përfaqësuesve të akademive dhe institucioneve të tjera kërkimore-shkencore europiane, në kuadër të Grupit Europian të ISC-së.
Si rrallëherë, pas samitit të akademive të rajonit e më gjerë në kuadër të Procesit të Berlinit, zhvilluar tre vjet më parë, mblidhen në këtë sallë përfaqësues të mbi 15 akademive.
Akad. Hoda vuri në dukje se ky organizim është një mundësi e vyer për shkëmbim përvoje e për forcimin e bashkëpunimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me akademitë simotra, duke ndihmuar në afrimin e komunitetit shkencor shqiptar me atë europian në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe globalizimit.
“Takimi zhvillohet në një periudhë tepër domethënëse për zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri e për rolin që kërkon të luajë akademia jonë në këtë zhvillim. Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, dhe arritjes graduale të standardeve europiane, Shqipëria ka adaptuar më 2024-n një strategji të zhvillimit të zgjuar, ku një vend të veçantë zë kërkimi e inovacioni, në konceptimin e së cilës Akademia e Shkencave është një nga hartueset. Me të synohet që financimi i drejtpërdrejtë për kërkimin të arrijë në nivelin e mbi 1% të PBB-së, që për ne do të thotë një hap i madh, si dhe ngritja e disa qendrave kërkimore elitare, kryesisht në nano e bioteknologji, iniciativa këto të ndërmarra prej Akademisë.”
Në fund, akad. Hoda vlerësoi rolin dhe veprimtarinë e deritanishme të ISC-së e vullnetin e ASHSH-së për të kontribuuar më tej si anëtare e saj dhe përgëzoi organizatorët që zgjodhën Tiranën për zhvillimin e veprimtarisë.
Takimin e përshëndetën dr. Robert Dumi, drejtor i Programeve Ndërkombëtare pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI); prof. dr. Ilir Kapaj, zëvendësrektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës; prof. dr. Anila Paparisto, zëvendësrektore për anën kërkimore-shkencore Universiteti i Tiranës; prof. dr. Belfjore Qose, kryetare e Akademisë së Rinjve ASHSH; prof. Suela Këlliçi, zëvendësrektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë; dr. Redion Luli, drejtor i shkollës së doktoraturës në Universitetin Mesdhetar, të cilët e vlerësuan veprimtarinë si një urë komunikimi mes komunitetit shkencor shqiptar me atë europian.
Prezantimet e seancës së parë plenare i moderoi akad. Tarmo Soomere.
Akad. Ilirjan Malollari, ASHSH, mbajti referatin me temën “Sfidat për shkencën në rajon.”
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH, trajtoi punën e bërë nga Akademia e Shkencave për hartimin dhe botimin e tri projekteve të mëdha: “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” dhe “Enciklopedia Shqiptare”.
Akad. Arben Merkoçi, drejtor dhe koordinator i NanoAlb pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, foli online për arritjet në kërkimin shkencor dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me institucionet europiane, në rajon më gjerë.
Prof. Manuel de León Rodríguez, Akademia Mbretërore e Shkencave të Sakta, Fizike dhe Natyrore, Spanjë (online) mbajti ligjëratën “Matematika si e mirë publike”.
Prof. İlkay Erdoğan-Orhan, Akademia Turke e Shkencave paraqiti punimin për kontributet e fshehura të grave në shkencë.
Seanca e dytë plenare vijoi me diskutimet në panel me tematikën: “Si ta shndërrojmë shkencën si të mirë publike, në motivues të ekonomisë së vendeve të vogla” nga Jūras Banys, president, Akademia e Shkencave e Lituanisë; Zuzana Panczová, zëvendëspresidente, Akademia e Shkencave e Sllovakisë; Muris Čičić, president i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës dhe Hercegovinës; Svjetlana Terzic, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi.
Në takimin e grupit europian të ISC-së në Tiranë u paraqitën punime shkencore, lidhur me historinë e shkencës në Europë dhe lirinë shkencore, si dhe përballja me sfidat e ndryshimeve mjedisore, klimatike dhe teknologjike.
Pjesëmarrësit u përfshinë në debate shkencore, ku u trajtuan sfidat e shkencës, si një e mirë publike globale, me vëmendje në vendet me burime të pakta, roli i teknologjive digjitale, si tendencat që janë intensifikuar vitet e fundit në papajtueshmëri me shkencën, që në thelb është e hapur për ide të reja.
Dita e dytë vijoi me një takim pune vetëm me anëtarët e ISC-së nën drejtimin e akad. Tarmo Soomere.
Fillimisht u miratua procesverbali i takimit vjetor 2024 dhe më pas, akad. Soomere paraqiti Raportin e Grupit të Menaxhimit të Anëtarëve të ISC-së Europiane.
Veprimtaria u mbyll me diskutime për dokumentin “Liria shkencore” dhe vërejtje e sugjerime nga përfaqësuesit e organizatave anëtare të ISC-së Europiane.
Pjesëmarrja e Akademisë së Shkencave si anëtare e një organizate të përmasave globale me mbi 225 anëtarë ka krijuar një perspektivë nxitëse për të përqafuar dhe kontribuar në vizionin që ISC- ja ka në përparimin e shkencës si një e mirë publike.