Panairi i Librit “Tirana 2025”: U promovua libri “Studime në sintaksë teorike dhe të zbatuar” i autorit Seit Mansaku
Në kuadër të panairit të 28-të të librit “Tirana 2025”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, promovoi në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë veprën e prof. dr. Seit Mansakut “Studime në sintaksë teorike dhe të zbatuar”.
Të pranishëm ishin edhe albanologë nga Universiteti i Tiranës, nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, si dhe mjaft kolegë, miq e dashamirës të profesorit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Paraqitjen e vëllimit e bëri prof. as. dr. Anila Kananaj, e cila vuri në dukje kontributet e prof. Mansakut në këtë vepër.

Vëllimi është konceptuar në dy pjesë dhe është strukturuar në mënyrë tematike.
Pjesa e parë trajton probleme me karakter teorik dhe zbatues në lidhje me shqipen standarde. Pjesa e dytë përmban studime sintaksore që lidhen me shqipen e sotme. Artikujt u mblodhën nga prof. dr. Anila Omari. Emërtimi, ndarja tematike dhe strukturimi i vëllimit u bë nga prof. as. dr. Anila Kananaj.
Ndarja tematike dhe strukturimi është bërë i tillë që vëllimi të ketë koherencë në tërësinë e tij dhe secila pjesë gjithashtu të ketë koherencë në vetvete, duke i vendosur studimet si kapituj që natyrshëm ndjekin njëri-tjetrin dhe ndërtojnë mbi atë çka është trajtuar në pjesët e mëparshme të punimit. Në këtë mënyrë, ai ka marrë formatin e një monografie tematike.
Në përfundim të paraqitjes, u theksua se të gjitha studimet e këtij vëllimi përbëjnë një pasuri të vyer për studiuesit dhe dashamirësit e gjuhës shqipe. Ato shërbejnë për të dokumentuar nivelin e zhvillimit të shqipes në kohën e kryerjes së tyre. Përshkrimet dhe analizat e thella gjuhësore për secilën dukuri të marrë në vështrim, ofrojnë mundësi të mira për studime krahasuese për faza më të hershme ose më të vona të zhvillimit të shqipes.

Gjithashtu, një pjesë e mirë e këtyre studimeve janë ideuar dhe strukturuar në mënyrë të tillë, që mund të zgjerohen në tema disertacionesh apo monografish, duke ofruar kështu një mundësi shumë të mirë formimi dhe thellimi gjuhësor për të interesuarit.
Në vijim prof. Anila Omari foli pak më gjerë për procesin e përgatitjes së veprës dhe vuri edhe një herë në dukje rëndësinë e veprës dhe të punës së prof. Mansakut. Vetë autori falënderoi përzemërsisht IGJL-në, përgatitësit për botim dhe të gjithë të pranishmit.
Shumë prej të pranishmëve morën fjalën dhe diskutuan në lidhje me kontributet e prof. Mansakut në gjuhësinë shqipe.
