Panairi i Librit “Tirana 2025”: U promovua libri “Liqenet akullnajore të Shqipërisë" i autorëve Perikli Qiriazi, Adriatik Balla e Florian Fusha
Libri “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u promovua sot më 12 nëntor 2025 në kuadër të Panairit të Librit “Tirana 2025”.
Veprimtaria u moderua nga prof. dr. Skënder Sala.
Akad. Anila Hoda, sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në fjalën e saj përshëndetëse, përgëzoi prof. dr. Perikli Qiriazin dhe bashkautorët për monografinë e sapobotuar nga ASHSH-ja, për të cilën theksoi se është fryt i një pune të përkushtuar e shumëvjeçare të të gjithë autorëve. “Kjo monografi është një pasuri jo vetëm e fondit të botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por është pasuri edhe për fondin kombëtar të botimeve. Vepra që në përbërje të saj ndërthur shumë fusha, shkon në një linjë me vizionin e Akademisë së Shkencave për punime shkencore ndërdisiplinare, duke bërë së bashku shkencat natyrore, ekologjike, mjedisore e klimatike. Përgëzoj për punën e bërë të tre autorët, e sigurisht edhe dy recensentët për kontributin shkencor që kanë dhënë për finalizimin e kësaj monografie”.
Pas paraqitjes së shkurtër nga autorët e librit “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”: të qëllimit, objektit, metodologjisë, përmbajtjes sipas sytheve, si dhe arritjeve më kryesore të studimit të botuar si monografi, promovimi vazhdoi me vlerësimin e recensentëve të librit prof. dr. Vasil Kristo dhe prof. dr. Dhimitër Doka. Ata vlerësuan pasurinë e tabelave, grafikëve, figurave, hartave, fotove satelitore dhe tokësore, të cilat konkretizojnë konkluzionet dhe e bëjnë librin më të kuptueshëm dhe më të kapshëm nga të gjithë. Gjithashtu libri u vlerësua për informacionin e pasur me të dhëna të sakta, si dhe analizën e detajuar të vlerave të liqeneve akullnajore, që do të ndihmojnë në studimin e dukurive fizikogjeografike të Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit malor. Të gjitha këto e bëjnë studimin të vlefshëm për: studiues të natyrës (gjeografë, gjeologë, hidrologë, klimatologë, biologë dhe organe të zonave të mbrojtura, të mbrojtjes së mjedisit, të pushtetit qendror e vendor, menaxhues të pasurive natyrore, ambientalistë, operatorë turistikë dhe turistë, dashamirës të natyrës, studentë të gjeografisë, biologjisë, historisë, mësues, nxënës, media etj.
Diskutantët: prof dr. Emil Lafe, prof. dr. Romeo Eftimi, prof. dr. Aleko Miho, prof. dr. Pal Nikolli, prof. asoc. Jostina Dhimitri, ing. Mynir Hoxha etj e vlerësuan librin për të dhënat lidhur me kushtet e formimit e evolucionit, gjendjen aktuale e perspektivën e liqeneve akullnajore, vlerat e tyre dhe mundësitë e menaxhimit shkencor.
Libri u vlerësua veçanërisht për vëmendjen që i kushtohet gjendjes mjedisore dhe shkallës së rrezikimit të vlerave të liqeneve.
Nga studimet e prezantuara në këtë monografi rezulton se: vetëm 77 liqene janë në gjendje të shëndetshme, 44 janë të rrezikuara dhe 102, pra gati gjysma, janë në fazën e fundit të jetës së tyre. Vend të veçantë zënë problemet e mbrojtjes, menaxhimit dhe shfrytëzimit shkencor, ku jepet edhe përvoja e disa vendeve të zhvilluara për mbrojtjen e tyre dhe për ndërgjegjësimin e publikut, të institucioneve shtetërore e të shoqërisë civile, që duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj kësaj pasurie, sa të çmuar, aq dhe delikate.
Prof. Qiriazi në emër të autorëve falënderoi veçanërisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për botimin e kësaj monografie dhe Njësinë e kërkimeve gjeografike për mbështetjen. Ai falënderoi gjithashtu kolegët, gjeografët dhe specialistët e tjerë për sugjerimet e vlefshme; recensentët, redaktoren letrare, dizajnin e shkëlqyer, fotografët e talentuar, reklamues të shkëlqyer të vlerave të natyrës, që ndihmuan me foto të rralla nga liqenet më të vështirë për t’u arritur.
Ai shprehu bindjen se studimi monografik “Liqenet akullnajore të Shqipërisë” do të ndihmoje në zgjimin e interesit për mbrojtjen dhe shfrytëzimin shkencor të tyre për qëllime studimore, kulturore, didaktike, turistike, edukim ekologjik dhe për t’ua përcjellë brezave këto vlera të padëmtuara dhe të vlerësuara e menaxhuara shkencërisht.