Panairi i Librit “Tirana 2025”: U paraqit libri me titull “Autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe” me kontribues e autorë: Laura Smaqi, Evalda Paci, Arian Leka, Tomorr Plangarica, Virion Graçi
Në datën 12 nëntor 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u paraqit vëllimi me titull “Autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe”, Tiranë, 2023, si një botim me disa autorë, me kontribute qenësore nga veprimtaria kërkimore disavjeçare e punonjësve shkencorë të Departamentit të Studimeve Letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASHSH).
Kontribues e autorë në këtë vëllim janë studiuesit Laura Smaqi, Evalda Paci, Arian Leka, Tomorr Plangarica, Virion Graçi, të cilët kanë cekur me punimet përkatëse aspekte të njohjes së traditës letrare në studimet shqiptare, çështje të shtypshkrimit dhe të historisë së ekzemplarëve të veçantë në letërsinë e shkruar shqipe; veçori të lëvrimit të gjinive letrare të përveçme (si p.sh., rasti i prozës së shkurtër në vitet ‘30 të shekullit të kaluar); tipare të profilit autorial të shkrimtarëve me një prirje të veçantë në lëvrimin e zhanreve si tragjedia, por dhe në shqipërimet e klasikëve (rasti i E. Haxhiademit); krijimtarinë e autorëve të cilët veprimtarinë përkatëse e aktualizuan në kushte të vështira shoqërore (rasti i T. Xhagjikës).
Vëllimi “Autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe”, është i prirë nga një parathënie të shkruar nga prof. dr. E.Paci në të cilën shtjellohen gjerësisht në pikëpamje përmbajtësore aspekte të brendisë së kontributeve të përfshira në të dhe ka si recensentë shkencorë prof. dr. Klara Kodrën dhe akademik Shaban Sinanin, prej vitesh pjesë e historikut të Departamentit të Studimeve Letrare, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe studiues të spikatur të letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore shqiptare.
Ky vëllim u paraqit nga prof. as. dr. Evalda Paci, përgjegjëse e Departamentit të Studimeve Letrare, e cila vuri në dukje dhe rëndësinë e botimeve kolegjiale të cilat janë fryt i një pune kërkimore shumëvjeçare në këtë departament dhe njëherësh vijuese të projekteve të mëparshme me linja tematike të ngjashme.
Në këtë diskutim morën pjesë akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; prof. dr. Laura Smaqi, drejtuese e mëhershme e projektit studimor mbi autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe, autore e dy kontributeve të përfshira në këtë botim; dr.Virion Graçi, gjithashtu autor dhe i një kontributi të përveçëm në këtë botim; prof.as.dr.Merita Bruci, studiuese e filologjisë së teksteve pranë Departamentit të Studimeve Letrare; prof. dr. Artur Lama, drejtor i Departamentit të Semantikës dhe të Leksikologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (ASHSH).
Rëndësia e hulumtimit të orientuar në vlerësimin e arsenalit të Arkivit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, por dhe në fonde të ruajtura deri vonë e akoma të patrajtuara, të rivlerësimit të autorëve që janë bërë pjesë dhe e krerëve në vëllimin e sipërcituar, të shkrimtarëve që kanë krijuar nën një censurë të rreptë siç ishte ajo e regjimit të kaluar shtetëror, u cekën sërish në diskutimet përmbyllëse të këtij promovimi.