NEKROLOGJI

Akademik emeritus Bardhyl Golemi, (1932-2025) personalitet i shquar i shkencës, anëtar i asamblesë së ASHSH u nda sot nga jeta

Kryesia e ASHSH-së njofton me dhimbje në këtë orë të vonë ndarjen nga jeta të akademik emeritus Bardhyl Golemi.
Akad. emeritus Bardhyl Golemi është një personalitet me dije dhe kontribute të rralla në teoritë e elektroteknikës, me njohuri të thella në nënfushat të modernitetit postindustrial, si bioelektromagnetizmi dhe impaktet në shëndetin njerëzor dhe depistimi elektromagnetik në kushtet e popullatës së Shqipërisë.
E shtrirë në më shumë se shtatë dekada, veprimtaria e akademik emeritus Bardhyl Golemit ishte gjithnjë në kërkim të risive shkencore dhe në ndërthurje të dijeve tradicionale me disiplinat moderne.
Kreu gjimnazin në Vlorë. Ndoqi studimet dhe u diplomua në Institutin e Lartë Politeknik të Tiranës. Filloi punën po aty si pedagog i lëndës elektroteknika teorike, për të cilën hartoi dhe tekstin përkatës (1964–1966). Ndoqi një specializim në Shkollën e Lartë të Elektricitetit në Paris (1972).
Bardhyl Golemi ka botuar veprën e plotë: “Bazat teorike të elektroteknikës” në tri pjesë, 1999–2002 (ripunim i zgjeruar teorik dhe metodik i tekstit të v. 1964–1966) dhe monografitë: “Lëkundjet në transformatorët e tensionit” (1984), “Zhvillimi i arsimit të lartë në Shqipëri” (1987, bashkautor), “LTL: Fusha elektromagnetike dhe shëndeti” (2004), “Shkolla shqiptare e elektroteknikës” (2005, bashkautor), tekstin “Sinteza e qarqeve elektrike” (1982), si dhe dhjetëra artikuj shkencorë e studimorë në fushën e elektro-teknikës dhe të problemeve të arsimit e të shkencës. Ka dhënë cikle të plota ligjëratash për 10 vjet në Universitetin e Prishtinës. Bardhyl Golemi ka qenë zv.ministër i Arsimit (1980–1991), kryetar i Këshillit Kombëtar të UNESCO-s (1982–1991), sekretar i Kolegjiumit të Ministrisë së Arsimit (1983–1992), anëtar i Senatit të UT dhe UP; sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike të ASHSH (1976–1980).
Është dekoruar me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” i kl. II; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.
Në vitin 2021, akad. Bardhyl Golemi u shpall fitues i “Çmimit të karrierës” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999; i shquar për studimet e tij themeluese me rëndësi bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike”.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes, miqve, kolegëve dhe bashkësisë akademike në vend, në hapësirën mbarëkombëtare e më gjerë.
I paharruar emri dhe vepra e Tij!
Tiranë më 19 maj 2025
* * *
Orari i veprimtarive në nderim të akademik Bardhyl Golemi
12.00- Akademi Përkujtimore në sallën ALEKS BUDA në ASHSH
13.00-15.00 Homazhe në sallën ALEKS BUDA
15.10- Fjala e përmortshme e nderimit në emër të ASHSH në oborrin e Akademisë
15.30- Përcjellja për në Varrezat e Sharrës