Në Universitetin e Tetovës zhvilloi punimet veprimtaria shkencore dyditore “NanoBalkan Workshop 2026”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e përfaqësuar nga akad. Arben Merkoçi, është iniciatore dhe bashkorganizatore e veprimtarisë
Veprimtaria u mbajt më 16 shkurt 2026 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) të Universitetit te Tetovës.
“NanoBalkan Workshop 2026” përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e nanoteknologjisë, si një disiplinë që po zë një vend qendror në zhvillimin e shkencave natyrore dhe aplikimeve të avancuara teknologjike.
Iniciator dhe kontribuues i këtij aktiviteti është akad. Arben Merkoçi (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), si dhe stafi lokal i NanoBalkan: prof.dr. Arianit Reka, prof. dr. Ahmed Jashari; prof. dr. Bashkim Ziberi. Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua me 11 pjesëmarrës: prof. dr. Majlinda Vasjari dhe prof. dr. Kledi Xhaxhiu (ASHSH, Universiteti i Tiranës), bashkëkordinatorët e NanoAlb; prof. dr. Besnik Baraj, prof. asoc. Merita Xhetani etj.
Në hapjen solemne të këtij aktiviteti ishin të pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës prof. dr. Jusuf Zejneli, dhe dekani i FSHMN-së, prof. dr. Florim Idrizi.

Rektori i Universitetit të Tetovës prof. dr. Jusuf Zejneli shprehu mirënjohjen për të gjithë organizatorët që kontribuuan në realizimin e këtij workshop-i dhe theksoi se vetë fakti që “NanoBalkan” zhvillohet në UT, me përfaqësues, shkencëtarë e studiues nga shumë vende të ndryshme, paraqet sfidë, përgjegjësi dhe përkushtim. “Sot së bashku me ju, zotohemi se në vazhdimësi do të vendosim rrënjët e “NanoBalkan” në Universitetin e Tetovës dhe jam i bindur se për një periudhë të shpejtë, bashkërisht do arrijmë të vendosim një laborator të ri, enkas për sferën e nanoteknologjisë, me qëllim që universiteti ynë t’u mundësojë studiuesve dhe studentëve që të realizojnë projektet dhe analizat”. -tha prof. dr. Zejneli.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovës prof. dr. Florim Idrizi u shpreh se nanoteknologjia kontribuon në krijimin e materialeve me veti të reja, në zhvillimin e sistemeve inteligjente, si dhe në ofrimin e zgjidhjeve inovative në mjekësi, energji, elektronikë dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas dekanit, përmes këtij workshop-i krijohet një hapësirë e rëndësishme akademike për prezantimin e rezultateve kërkimore, shkëmbimin e përvojave, diskutimin e metodologjive bashkëkohore dhe identifikimin e drejtimeve të reja të kërkimit shkencor.

Akad. Arben Merkoçi u shprehu falënderimet pjesëmarrësve dhe Universitetit të Tetovës për mikpritjen. Ai theksoi se Workshopi nxori në pah arritjet kërkimore të vitit 2025, prezantoi progresin e Projekteve Ignite dhe nxiti ide të reja për bashkëpunime të reja në të gjithë rajonin dhe më gjerë. Me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Projektit SUSNANO, si dhe me organizimin e Universitetit të Tetovës e grupeve të tij kërkimore NanoBalkan, ky aktivitet shërben si një forum për të reflektuar mbi progresin shkencor dhe për të formësuar partneritetet e ardhshme. Ai tha se nanoteknologjia është një fushë shumë e hapur, shumë transversale, ku marrin pjesë ekspertiza nga më të ndryshmet, duke filluar nga kimia, biologjia, fusha e shkencave kimike, fusha e materialeve, e inxhinierisë, informatika apo inteligjenca artificiale e më gjerë dhe është një fushë e cila u jep mundësi kërkuesve shkencorë të inxhinierisë të punojnë dhe të bashkëpunojnë, pasi në këtë fushë, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Akad. Merkoçi shprehu bindjen se ky takim do t’u shërbejë bashkëpunimeve të mëtejshme midis grupeve kërkimore-shkencore, njohjes së infrastrukturave dhe mundësive që kanë kolegët dhe studiuesit në Universitetin e Tetovës.
Në ditën e dytë të veprimtarisë shkencore u bënë vizita në laboratorët e grupeve NanoAlb.

Veprimtaria vijoi me ceremoninë e 31-vjetorit të ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës, ku akad. Arben Merkoçi ishte i ftuar të mbante një fjalim në lidhje me eksperiencën e tij në kërkimin shkencor, si dhe në krijimin dhe funksionimin e NanoAlb të mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Kjo veprimtari do të kontribuojë në ndërtimin e rrjeteve të qëndrueshme të bashkëpunimit, të cilat janë thelbësore për realizimin e projekteve të përbashkëta, aplikimin në programe ndërkombëtare kërkimore dhe transferimin e njohurive drejt industrisë dhe shoqërisë.

