Në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Bahri Beci, u zhvillua veprimtaria shkencore me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Bahri Beci (1936–2023), studiues i shquar i gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi më 6 mars 2026 një veprimtari përkujtimore në nder të figurës dhe trashëgimisë së tij shkencore. Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe letërsisë pranë ASHSH-së.
Veprimtarinë e hapi zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole, i cili përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi figurën dhe kontributin e akademikut Bahri Beci në studimet albanologjike dhe në zhvillimin e gjuhës shqipe.
Akad. Tole theksoi dimensionin e spikatur ndërkombëtar të veprimtarisë së tij shkencore, duke e cilësuar akad. Becin jo vetëm si një studiues të shquar të gjuhës shqipe, por edhe si një ambasador të saj në hapësirën europiane. Ai nënvizoi se botimet e tij në gjuhë të huaja kanë pasuruar bibliografinë gjuhësore të shqipes dhe kanë zgjeruar praninë e saj në auditorin akademik ndërkombëtar.
Në vijim të fjalës së tij, akad. Tole u ndal edhe te kontributi i veçantë i akad. Becit në studimin dhe standardizimin e gjuhës letrare, duke përmendur veprat “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” dhe “Historia e standardizimit të shqipes: politika dhe planifikimi gjuhësor në Shqipëri”, të cilat përbëjnë referenca të rëndësishme në studimet mbi politikën gjuhësore.

Në këtë veprimtari përshëndeti edhe prof. Tomorr Plangarica, i cili vlerësoi kontributin e akad. Bahri Becit në institucionalizimin dhe zhvillimin e dijes gjuhësore. Ai theksoi se përmes studimeve të tij, akad. Beci ka sjellë prurje të rëndësishme në fusha të ndryshme të gjuhësisë, si dialektologjia e shqipes dhe struktura dialektore e saj, politika dhe planifikimi gjuhësor, standardizimi i gjuhës, norma gjuhësore, sistemi gjuhësor dhe problemet e standardizimit, si edhe ndikimi i gjuhës letrare mbi dialektet. Po ashtu, ai përmendi kontributet e tij në studimin e variacionit sociolinguistik, në mësimdhënien e shqipes si gjuhë amtare dhe për të huajt, në përdorimin e metodave statistikore në studimet gjuhësore, si edhe në hartimin dhe përdorimin e teksteve shkollore.
Në nder të përkujtimit të tij, prof. dr. Anila Omari u ndal në veçanti te kontributi i akad. Bahri Becit në studimet e dialekteve, duke theksuar se ai është marrë herët me çështjet e historisë së formimit të dialekteve të shqipes dhe me problemet e lashtësisë së ndarjes dialektore të saj. Ajo theksoi se interesimi i tij për historinë e tipareve dialektore shfaqet që në studimet e para të rëndësishme të viteve ’60-të, ndër të cilat spikasin punimet “Mbi katër inovacione fonetike të të folmeve të gegnisë së mesme” (Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, 1962; botuar 1965) dhe studimi “Rreth kronologjisë dhe shkaqeve historike që kanë përcaktuar kalimin e y-së në ë në gegëni të mesme” (botuar në Shkodër, 1969).
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë vlerësimi dhe respekti për figurën e akademikut Bahri Beci, ku ligjëruesit prof. dr. Mimoza Kore, prof. asoc. Enkelejda Kapia, dr. Plator Gashi, prof. dr. Mimoza Priku, prof. dr. Merita Bruci dhe dr. Valbona Sinanaj, rikujtuan kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare dhe në promovimin e gjuhës shqipe në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Veprimtaria u përmbyll me përshëndetjen e vajzës së akademikut Bahri Beci, e cila, në emër të familjes, shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij.