Nderohet me medaljen e bronztë “Ylli i Mirënjohjes Publike” profesor Hubert Hasenauer, rektor i Universitetit BOKU në Austri
Në një ceremoni të posaçme, Kryeministri Edi Rama nderoi me Yllin për Mirënjohjen Publike, profesor Hubert Hasenauer, rektorin e Universitetit të mirënjohur Boku në Austri për kontributin dhe përkushtimin e tij mbresëlënës në transformimin e UBT-së (Universitetit Bujqësor të Tiranës) sipas modelit të Boku të Vjenës, në rrugën e njehsimit të diplomave mes tyre.
Në ceremoninë e dekorimit mbajti fjalë përshëndetëse edhe Kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi personalitetin dhe kontributet e prof. dr. Hubert Hasenauer në bashkëpunimet e kërkimet shkencore me institucionet shqiptare.

Fjala e plotë:
Është një nder e detyrë e vështirë të thuash dy fjalë për figurën e kontributin e profesor Hubert, për arsimin e shkencën në Shqipëri.
Vlerësojmë se, ka qenë një fat e privilegj për Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) që arriti të lidhet e të fitojë mbështetjen e profesorit, një personalitet eminent i shkencës ë Austri e në nivel ndërkombëtar, me kontribute vështirë të krahasueshme si kërkues shkencor, si mësimdhënës e drejtues i kërkuesve të rinj, drejtues institucionesh prestigjioze si universiteti BOKU i Vjenës, instituti i silvikulturës, shoqatash e bordesh shkencore, redaksi revistash, një karrierë që të gjithë do t’ia kishin zili, e një shembull nxitës për çdo kërkues të ri.

Por ajo që profesori ka bërë me Universitetin Bujqësor të Tiranës është një rast i rrallë. Ne e kemi ndjekur me shumë interes bashkëpunimin midis UBT e BOKU-t, drejtuar prej profesorit, jo vetëm për faktin se njësimi i institucioneve tona, e veçanërisht të shkollave të larta, përbën shqetësimin e sfidën tonë kryesore si Qeveri, akademi shkencash, IAL, por sepse vetë Akademia e Shkencave e UBT kanë një histori të ngjashme vitet e fundit.
5 vjet më parë të dy këto institucione ishin në kufijtë e mbijetesës, ku nuk mungonin edhe parashikimet a vlerësimet për mbyllje të tyre. E të dyja guxuan të ndërmerrnin rrugën e reformimit, por për këtë duhej një model. E si zgjidhje për të dyja, shërbeu modeli austriak. Ne, në reformimin tonë ndoqëm përvojën e Akademisë Austriake të Shkencave, ndërsa UBT-ja atë të universitetit austriak.
Sigurisht kjo nuk është një koincidencë, Austria ka qenë gjithnjë në krah të Shqipërisë kur vihej në pikëpyetje mbijetesa e saj.
Merita e profesorit është që nuk afroi thjesht modelin, por e solli dhe e shartoi atë në UBT e po kujdeset nga afër e me mjaft kompetencë për zbatimin e tij dhe efektet u ndien që në vitin e parë.

Për këtë, tërë komuniteti arsimor e shkencor në Shqipëri iu është shumë mirënjohës, jo vetëm për çka bëtë e po bëni për UBT-në, por për mesazhin që përcillni tek ky komunitet e rinia shqiptare, se njësimi i diplomave nuk është propagandë, por ai mund të kthehet në realitet kur Qeveria e institucionet angazhohen seriozisht e dinë të zgjedhin partnerët e duhur, si ju i nderuar profesor.
