Ndahet nga jeta dr. Agim Bido, studiues i shquar i etnografisë shqiptare
Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë, mësuan me hidhërim të thellë, se pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta dr. Agim Bido (1956-2025), etnograf, ish punonjës kërkimor shkencor i Institutit të Folklorit, sot Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave.

Lindi më 8 gusht 1956 në qytetin e Delvinës. Në vitin 1982 përfundon studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe prej vitit 1983, punoi si kërkues shkencor pranë Institutit të Folklorit.
Agim Bido ishte studiues dhe etnograf i shquar shqiptar, i cili ia kushtoi gjithë jetën e Tij dokumentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore. Autor i veprës së rëndësishme “Arti popullor në veshje e tekstile popullore” (1991), Bido la një kontribut të rëndësishëm në studimin e kostumeve tradicionale shqiptare, veçanërisht të xhubletës, simbolit të rrallë të kulturës sonë kombëtare për të cilën ai është shprehur se Xhubleta shqiptare, është enciklopedi kulturore e gjallë. Kontributi i tij studimor ishte thelbësor në regjistrimin e xhubletës si pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

Trashëgimia kërkimore shkencore e dr. Bidos, përveç monografive përfshin mbi treqind shkrime në revista të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit, duke mbetur një thesar i pazëvendësueshëm në këtë fushë. Jeta, puna dhe pasioni i dr. Bidos për historinë, artin popullor dhe etnografinë shqiptare do të mbeten një udhërrëfyes i çmuar për studiuesit dhe brezat që vijnë.
Në këtë ditë të nderë, Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë shprehim ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe kolegët si dhe për botën akademike shqiptare.
I paharruar kolegu ynë!
Tiranë më, 5 shtator 2025