Më 28 shkurt 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja vjetore e Asamblesë
-Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë vitit 2024 dhe programin dhe prioritetet e veprimtarisë për vitin 2025-
-Akad. Skënder Gjinushi: Viti 2024 shënon kthimin e Akademisë nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë Akademisë, si njësi të përhershme të saj-

Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e anëtarëve të Asamblesë, kryetarit akad. Skënder Gjinushi e anëtarëve të Kryesisë së ASHSH-së, kryetarëve të komisioneve të përhershme, drejtuesve e anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve.
Në raportin përmbledhës, akad. Skënder Gjinushi e vuri theksin tek vijimi i fazës së dytë të reformës. Ai tha se viti 2024 shënon kthimin e Akademisë së Shkencave nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit, si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë ASHSH-së, si njësi të përhershme të saj. Investimi për shkencën është investimi më i drejtpërdrejtë për brezat e rinj, është masa më efikase për frenimin e largimit të trurit, madje dhe për rithithjen e tij.
Më tej, akad. Gjinushi vuri në dukje se faza e dytë e reformës, vizioni i Asamblesë së ASHSH-së për nevojën e rrugët e reformimit të sistemit tonë të kërkimit shkencor, përkon dhe me objektivat e ligjit të ri për shkencën, se shkenca e kërkimi duhen trajtuar e mbështetur si arsimi i lartë, si dy përbërës plotësues të njëri-tjetrit.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi si një aspekt të rëndësishëm të rezultateve e veprimtarive të vitit 2024 rikonfirmimin e tezave bazë të albanologjisë, fakt i cili jo vetëm i konsolidon ato, por mbi të gjitha lartëson kontributin e Akademisë ndër vite, të plejadës së shkëlqyer të saj në gjuhësi, arkeologji e histori, të Çabejt, Demirajt, Budës, Domit, të katër arkeologëve themeltar etj.
“Akademia e Shkencave si institucion, e cila flet nëpërmjet studimeve të saj e figurave e studiuesve qendrorë, nuk është mohuese, por vërtetuese e lashtësisë e origjinës së hershme të shqipes e qenies së saj një degë fillestare e trungut indoeuropian, degë-bijë. Se kush mohon këtë të vërtetë, në fakt, në emër të patriotizmit i shërben antishqiptarizmit.”- tha akad. Gjinushi.
Për veprimtaritë e zhvilluara në fushën e historisë u shpreh se ato kanë synuar thënien e së vërtetës mbi figurat qendrore e të kontributit e pozicionimit të Shqipërisë e të shqiptarëve në rrjedhat e historisë.
Më tej, akad. Gjinushi veçoi realizimin më të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave, përgatitjen e Fjalorit të madh të shqipes, me 120 mijë lema, nga 100 mijë që ishte parashikimi. Ai tha se kjo vepër është pritur me mjaft interes e vlerësim nga komuniteti gjuhësor e opinioni i gjerë. Puna e realizuar me profesionalizëm në përgatitje e respektimin rigoroz vetëm të kritereve shkencore në përzgjedhjen e lëndës nuk nënvleftësoi dialektet pavarësisht mbrojtjes dhe mbështetjes së gjuhës standarde.

Gjithashtu, ai u shpreh se viti 2024 ka qenë një vit kulmor në përgatitjen e Enciklopedisë shqiptare se bashku me Akademinë e Shkencave dhe arteve të Kosovës. Siç dihet, për këtë janë ngritur e ndjekur puna e 28 redaksive të fushave në Tiranë e po aq në Prishtinë. Përfundimisht jemi në fazën kur tërë redaksitë e fushave kanë dakordësuar e dorëzuar fjalësit përkatës me rreth 12-13.000 artikuj për t’u miratuar nga redaksia qendrore. Vlerësojmë se është bërë një punë e mirë me mjaft përkushtim, vështirësi e sfida, në drejtim e koordinim. Gjatë këtij viti është punuar nga punonjësit kërkimorë shkencorë të instituteve për 28 projekte në arkeologji, 12 në gjuhësi-letërsi, 14 në histori, 7 në antropologji e 3 në art, në kuadër të programit të instituteve për ecurinë e të cilëve është raportuar nga vetë drejtuesit e tyre. Nga raportimet rezulton se, në tërësi është kryer puna sipas programit.

Akad. Gjinushi e vuri theksin tek një nga misionet bazë të Akademisë së Shkencave, që janë botimet shkencore. Ai tha se Akademia, ndër veprimtaritë kryesore, ka dhe atë të botimit, si të veprave e studimeve të kryera nga institutet e saj e anëtarët e saj, ashtu dhe nga personeli akademik jashtë institucionit. Akademia së shpejti do të ketë entin e saj botues.
Një nga pikat kryesore të raportit ishte edhe korrektësia dhe efikasiteti në menaxhimin e fondeve. Kryetari i ASHSH-së theksoi se në auditet e zhvilluara nga KLSH-ja nuk pati asnjë gjetje që lidhej me keqpërdorim fondesh publike a për mangësi monetare e materiale.
Gjithashtu, ai vuri në dukje se projektet e Akademisë së Shkencave kanë pasur një efikasitet maksimal, të dukshëm dhe të matshëm, se tashmë Akademia e Shkencave nuk është thjesht nxitëse e përparimit shkencor, por drejtuesja e organizuesja parësore e tij në bashkëpunim me gjithë rrjetin e IAL-ve. Pranë ASHSH-së sot ka rreth 500 specialistë të lartë të aktivizuar si anëtarë komisioni, anëtarë e bashkëpunëtorë njësish a pjesëmarrës në projekte.
Lidhur me programin dhe synimet për vitin 2025, ai tha se parashikohen që të kryen rreth 140 aktivitete, 84 projekte, botimi i 11 periodikëve dhe rreth 65 tituj veprash a aktesh konferencash a botime promovuese. Në raportin e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave, paraqiti përpara Asamblesë edhe buxhetin e ASHSH për vitin 2025.

Në përfundim të parashtrimit të tij, akad. Gjinushi theksoi se objektivi kryesor i Akademisë është rritja e investimeve për shkencën, me programim të qartë, për të arritur te niveli i financimit 1% të GDP-së para vitit 2030, objektiv ky i vënë në Samitin e Akademive e të universiteteve publike në kuadër të procesit të Berlinit, zhvilluar në Tiranë.
Gjatë mbledhjes diskutuan anëtarë të Asamblesë, drejtues të instituteve, qendrave dhe njësive shkencore, kryetarë të komisioneve si: akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë; akad. Hamit Kaba, drejtor i Institutit të Historisë; prof. dr. Olsi Lelaj, drejtor i Institutit të Antropologjisë; akad. Genc Sulçebe; akad. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve; dr. Arian Leka, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike; akad. Artan Fuga, akad. Arben Merkoçi, prof. Neritan Ceka, akad. asoc. Rrapo Ormëni, akad. Pëllumb Xhufi. Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje specifike në drejtimin e instituteve dhe qendrave përkatëse. Diskutimet u përqendruan tek sfidat dhe problematikat që ASHSH duhet të adresojë në vijim.

Në përfundim të diskutimeve u bë miratimi i ndarjes e buxhetit të ASHSH-së për vitin 2025, i programit për 2025-n dhe i disa ndryshimeve në Statutin e ASHSH-së, të miratuar në parim nga bordi i drejtorëve dhe Kryesia, me vendimin nr. 10, datë 14.2.2025, si dhe vendimi i kryesisë për disa avancime në titull e rishpalljen e një vendi për anëtare të Asamblesë.