Më 27 shkurt 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja vjetore e Asamblesë
-Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë vitit 2025 dhe programin dhe prioritetet e veprimtarisë për vitin 2026-
-Akad. Skënder Gjinushi: Vitin që mbyllëm Akademia forcoi profilin e statusin e saj si një qendër aktive e kërkimit shkencor në vend, si qendra më e rëndësishme e promovimit, koordinimit, nxitjes e zhvillimit të kërkimit shkencor në të gjitha fushat kryesore të shkencës e dijes, veçanërisht në shkencat albanologjike-
Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e anëtarëve të Asamblesë, kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të Kryesisë, kryetarëve të komisioneve të përhershme, drejtuesve e anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve e të njësive të përkohshme pranë ASHSH-së.
Në raportin përmbledhës, akad. Skënder Gjinushi vuri në dukje se reformimi i ndërmarrë nga Asambleja, bazuar në ligjin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e më pas në frymën e ligjit për shkencën, mundësoi ngritjen pranë saj të një rrjeti në zgjerim, institutesh e qendrash të përhershme e njësish të përkohshme, të nivelit më të lartë të kërkimit shkencor në vend, duke i dhënë Akademisë së Shkencave fizionominë e modelin e shumë akademive simotra, të ngjashme me gjithë akademitë e rajonit.
Akademia, sot, nuk është më thjesht Asambleja, por një bashkim institutesh e njësish kërkimore të ngritura me vullnetin e vizionin e kësaj Asambleje, e cila, nga ana e saj, si organi më i lartë, kujdeset e jep mbështetjen e nevojshme për të garantuar nivelin shkencor të tyre.
Më tej, akad. Gjinushi vuri në dukje se rezultatet e këtij viti e të katër viteve të mëparshme tregojnë se reformimi i ASHSH-së është bërë me shpenzime minimale.
Pasi vlerësoi realizimin e projekteve të programuara për vitin 2025 si sfidën kryesore me angazhimin e çdo njësie pranë ASHSH-së, akad. Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave, gjatë këtij viti ka mbështetur dhe një numër të konsiderueshëm projektesh që janë aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, AKKSHI.
Përmbledhtas rezulton se, projektet në tërësi kanë ecur sipas parashikimeve.
Kryetari i Akademisë theksoi se për t’u përshëndetur është dalja online e maketit të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” me 125 000 fjalë e frazeologji, i cili është mirëpritur e vlerësuar nga mbarë opinioni publik, përdoruesit e shumtë dhe specialistët e fushës, çka shprehet si nga reagimet falënderuese e çmuese, ashtu dhe nga interesi i madh i shfaqur. Deri më tani, në 45 ditë, ka pasur rreth 5 milion klikime. Ai theksoi se “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” do të jetë në përmirësim e pasurim të vazhdueshëm e ky është edhe roli i Qendrës se Botimeve Enciklopedike e Albanologjike e sektorit përkatës të saj.
Akad. Gjinushi u shpreh se viti 2025 forcoi statusin e ASHSH-së si qendra kryesore e organizimit të veprimtarive kryesore shkencore në vend. Gjatë këtij viti u kryen rreth 135 veprimtari si: kongrese, konferenca, simpoziume, workshop-e, shkolla verore, leksione të hapura etj., të shtrira në të gjitha fushat kryesore të shkencës e dijes, të nivelit kombëtar e ndërkombëtar, në bashkëpunim me institucionet e ndryshme arsimore e shkencore në vend.
Rritja e projekteve dhe veprimtarive kanë ndikuar në rritjen e botimeve veçanërisht të artikujve shkencor në revista jashtë vendit, të indeksuara, në mënyrë të veçantë prej njësive të reja.
Ai vuri në dukje drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2026, ku së pari theksoi angazhimin për fillimin e riorganizimit të njësive të albanologjisë në zbatim të reformës për sistemin e kërkimit shkencor, duke u dhënë atyre e punonjësve kërkimorë statusin e duhur, në frymën e ligjit për shkencën e në përputhje me ligjin e statutin e ASHSH-së.
Për këtë, akad. Gjinushi u shpreh se Asamblesë i kërkohet miratimi i ndryshimeve në statut, të cilat e vendosin sistemin e kategorizimit të punonjësve kërkimorë-shkencorë në nivelin e të ngjashmëve në Europë.
Duke theksuar se dhënia e kategorizimeve nga vetë institucionet sipas kritereve të vendosura po prej tyre, komform modeleve të konsoliduara, rrit autonominë e tyre, e cila, nuk matet me deklarime, por me veprime e vendimmarrje konkrete.
Sfida jonë e dytë për 2026-n është ngritja e Qendrës Nanoalb në nivelin e një qendre rajonale elitare, çka, në sajë të punës disavjeçare të qendrës ekzistuese e mbështetjes nga kjo Asamble, është parashikuar tashmë në Strategjinë S3, zbatimi i së cilës financohet e monitorohet nga BE-ja si dhe ngritja e QKBGJ-së në nivelin e një bashkimi institutesh të shkencave të jetës. U theksua se detyra e Asamblesë është t’i çojë deri në fund këto ndërmarrje me efekt të pakrahasueshëm për kërkimin shkencor në Shqipëri, në të gjitha fushat natyrore-teknike.
Në përfundim të parashtrimit të tij, akad. Gjinushi theksoi se angazhimet kryesore, të Akademisë ndikojnë në drejtim të arritjes së objektivit parësor europian, rritjes së financimeve në shkencë, më së pari në nivelin e 1% të PBB-së; ato bëjnë që ky financim të arrihet jo formalisht, por me investime në drejtimin e duhur e me efektivitetin e dëshiruar.
Gjatë mbledhjes u paraqit raporti financiar nga kancelari z. Ruzhdi Kuçi, e më pas u vijua me prezantimin e programit dhe prioriteteve të veprimtarisë për vitin 2026 nga sekretarja shkencore akad. Anila Hoda.
Në përfundim të diskutimeve u bë miratimi i raporteve për 2025-n dhe programit për 2026-n, përfshirë shpërndarjen e buxhetit. Asambleja miratoi dhe ndryshimet e plotësimet në statut, si dhe zgjodhi dy anëtarë të jashtëm e një anëtari nderi të ASHSH-së e miratoi një avancim ne titulli sipas rendit të ditës.
