Mbylli punimet Kongresi Europian i Bioteknologjisë
Kongresi Europian i Bioteknologjisë 2025 u mbajt për herë të parë në Tiranë në datat 11-13 shtator 2025 dhe bëri bashkë 200 kërkues nga vende të ndryshme të botës, si SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Kina, Europa, Lindja e Mesme etj. Veprimtaria u organizua nga Shoqata Europiane e Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA) dhe u mbështet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti i Tiranës.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Oscar Vicente Mana, zëvendëspresident i EBTNA-s, nënshkruan marrëveshjen për anëtarësimin institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet Shoqatës Europiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky aktivitet u drejtua nga prof. Ariola Bacu, kryetare e komitetit organizativ lokal të kongresit dhe profesoreshë në Universitetin e Tiranës.

Ekipet kërkimore shqiptare prezantuan studime të avancuara në gjenomikë, nanoteknologji dhe bioteknologji mjedisore.
Prof. Anila Hoda, Sekretare e Përgjithshme e Akademisë së Shkencave; prof. Anila Babameto-Laku, drejtuese e laboratorit të gjenetikës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza; prof. Bashkim Ziberi (Universiteti i Tetovës, Maqedonia e Veriut); prof. Hysen Bytyqi (Universiteti i Prishtinës, Kosovë), ndanë njohuri për bashkëpunimin shkencor rajonal, duke nënvizuar shfaqjen e një rrjeti kërkimor ballkanik në rritje me një perspektivë të qartë europiane.

Gjatë kongresit u mbajtën 14 sesione me tematika nga bioteknologjia shtazore, gjenetika mjekësore, biokataliza/biotransformimi, bioteknologjia mjekësore, bioinformatika/biologjia e sistemeve, inxhinierimi i produkteve metabolike, inxhinieria e bioproceseve, nanobioteknologjia, biosensoret, shkencat omics, etika bioteknologjia mjedisore, biokarburantet, inxhinierimi i indeve etj., zhvillimi i të cilave në Shqipëri ka përparësi në kushtet e përafrimit të kërkimit shkencor dhe aplikimeve industriale të tij me ato europiane.

Gjithashtu, u organizuan: satellite, workshop on Cytotoxicity testing, workshop on Medical Genetics, workshop of Cost Action RECROP dhe shkolla e trajnimit në Bio-entrepreneurship.

Trajnimi i studiuesve të rinj ishte në qendër të punimeve të këtij kongresi me kurse praktike dhe punëtori, veçanërisht me kursin e tretë të bioteknologjisë, të organizuar nga MAGI Balkan për studentët e Universitetit të Tiranës.

Nëpërmjet projekteve dhe punimeve shkencore që u prezantuan në kongres, u theksua rëndësia e lidhjes së inovacionit ndërkombëtar me zhvillimin e qendrave kërkimore dhe forcimin e komunitetit shkencor të rajoneve euromesdhetare dhe ballkanike për të ndarë dhe diskutuar praktika, inovacione, nisma kërkimore dhe problematika të lidhura me bioteknologjitë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre. Me përcaktimin e saj si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, Tirana ofroi mjedisin ideal për një takim të tillë.

Kongresi Evropian i Bioteknologjisë 2025 konfirmoi se Ballkani dhe rajoni më i gjerë euromesdhetar janë pjesë integrale e së ardhmes së shkencës bioteknologjike. Në këtë ngjarje shkencore doli në pah edhe rëndësia strategjike e universiteteve dhe qendrave kërkimore në zonat euromesdhetare dhe ballkanike.
Veprimtaria u mbyll me shpalljen e fituesve: prezantimi më i mirë oral dhe prezantimi më i mirë poster.

Fitues për prezantimet më të mira orale u shpallën: Laurine Lagache, Tristan Cardon, Elsa Morina, Sara Feizyab.
Fitues për posterat më të mirë u shpallën: Piemonti Debora, Chiara Coppola, Suzanna Fekner, Christian Gratz.
Kongresi u pasqyrua gjatë gjithë këtyre ditëve në mediet ndërkombëtare, të cilat vijojnë të analizojnë arritjet dhe rëndësinë e veprimtarisë:
Shih linkun: https://www.facebook.com/share/p/1FAPsqoNLV/