Mbylli me sukses punimet konferenca shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”
Në përfundim të konferencës shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”, e mbajtur në Tiranë më 30 tetor 2025, pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve artistike e muzikore organizuese të konferencës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me qëllim rritjen e rolit dhe peshës së muzikës shqiptare si krijimtari, interpretim, edukim dhe muzikologji, pasi sollën ekspertizën më të mirë në fushat përkatëse dhe diskutuan problematika, si: mbështetja e mëtejshme e krijimeve dhe interpretimeve muzikore kombëtare, nxitja e kërkimit ndërdisiplinor në fusha specifike, si: muzikologjia dhe etnomuzikologjia, rishikimi i modeleve pedagogjike të mësimdhënies dhe modernizimi i kurrikulave muzikore përmes integrimit të teknologjisë digjitale dhe zhvillimit të kompetencave bashkëkohore për interpretuesit dhe mësuesit, ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë muzikore kombëtare, e drejta e autorit, zhvillimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar etj., duke çmuar se kjo përvojë, e mbledhur në këta 35 vjet e dalë gjatë punimeve të konferencës paraqet nevojën të njihet dhe të zbatohet në terren, në emër të institucioneve dhe individëve pjesëmarrës në konferencë, po ju bëjmë të ditur në formë rekomandimesh ndaj institucioneve publike të ngarkuara me ligj, sa më poshtë:
REKOMANDIME
I. Rekomandime në fushën e krijimtarisë muzikore
II. Rekomandime në fushën e interpretimit muzikor
III. Rekomandime në fushën e edukimit artistik muzikor
IV. Rekomandime në fushën e muzikologjisë dhe studimeve muzikore
I. Rekomandime në fushën e krijimtarisë muzikore dhe të interpretimit
1. Të hartohet dhe të aprovohet një Strategji Kombëtare me fokus të veçantë te muzika dhe edukimi përmes saj.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit)
2. Të krijohet fondi vjetor i mbështetjes së krijimtarisë së re muzikore pranë Ministrisë së Kulturës, në Teatrin e Operës dhe të Baletit dhe në Radio Televizionin Shqiptar dhe të ketë konkurse për krijimtarinë e re muzikore.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, TKOB, RTSH)
3. Të plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34 “Masa dhe kriteret e shpërblimit”, ku përmes VKM-së përkatëse duhet të aprovohet masa e shpërblimit të gjinive artistike sipas fushave të artit apo për kontributin e angazhimit të përkohshëm në projektet artistike.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave)
4. Të plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34 “Masa dhe kriteret e shpërblimit”, ku përmes VKM-së përkatëse duhet të aprovohet masa e shpërblimit për rezultate të larta, të arritura në konkurrime ndërkombëtare për artin e kulturën.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave)
5. Të plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34, ku përmes urdhrit përkatës të ministrit të përcaktohet organizimi i konkurseve kombëtare dhe skema të tjera vlerësimi në gjini të ndryshme të artit.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
6. Të zbatohen realisht të drejtat morale dhe financiare të krijuesve në fushën e muzikës (përmes monitorimit konkret të përdorimit të veprave nga subjektet publike dhe private).
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Financave, RTSH, ALBAUTOR)
7. Të rritet numri i studentëve që studiojnë për kompozicion pranë Fakultetit të Muzikës në UART, duke përdorur praktika të njohura e lehtësi të natyrës administrative për nxitjen e studentëve në kryerjen e studimeve për kompozicion.
(Ministria e Arsimit, UART)
8. Të aprovohet një listë veprash muzikore të krijimtarisë muzikore shqiptare të detyrueshme për t’u njohur dhe interpretuar në shkollat muzikore artistike në vend dhe në Universitetin e Arteve.
(Ministria e Arsimit, UART, Shkollat e Mesme Artistike në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Durrës, Fier, Gjirokastër)
II. Rekomandime në fushën e interpretimit dhe transmetimeve muzikore dhe mbështetjen e interpretuesve
1. Statusi i Artistit dhe mbështetja financiare mujore e muzikantëve në profesion të lirë sipas modelit të ligjit francez.
(Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, UART)
2. Ndryshimi i ligjit mbi sponsorizimet nga 2-3% në të paktën 10%, zbritja nga tatimfitimi për bizneset.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Financave, Kuvendi i Shqipërisë)
3. Krijimi i Fondit Kombëtar për Muzikantët e Rinj – bursë dhe mbulim i blerjeve të instrumenteve muzikore.
(Ministria e Arsimit, UART, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
4. Formimi i Orkestrës Rinore Kombëtare, orkestrave rajonale dhe koreve rinore në shkolla dhe universitete, dhe praktikë profesionale të detyrueshme në orkestrat kombëtare për studentët e Akademisë.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, TKOB, Orkestra simfonike e RTSH)
5. Ndërtimi i Rrjetit Kombëtar Muzikor që lidh shkollat me drejtim artistik, Universitetin e Arteve dhe orkestrat muzikore.
(Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, UART, Shoqata e Bashkive)
6. Partneritete publike-private për financimin e muzikës dhe integrimi i muzikës në industrinë digjitale dhe kreative.
(Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, Shoqatat e Biznesit)
7. Krijimi dhe mbështetja në vijimësi e festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare që ofrojnë hapësira pune për artistët.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, shoqata e Bashkive)
8. Financim i drejtpërdrejtë i instrumentistëve dhe këngëtarëve të rinj klasikë: subvencione për blerjen e instrumenteve dhe bursë për masterclass jashtë vendit, me detyrimin për të dhënë kontribut në Shqipëri brenda një periudhe 10-vjeçare nga koha e financimit.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Arsimit, AKKSHI)
9. Program kombëtar “Muzika për të gjithë” – hapja e shkollave 9-vjeçare të muzikës në çdo qytet të Shqipërisë (në çdo 100 000 mijë banorë) sipas parametrave europianë në lidhje me raportin me popullsinë. Shkollat të kenë kabinetin e muzikës, instrument piano, bateri dhe aparate transmetimi videomuzikore me cilësi stereofonike, si lexues CD-je, videoje apo medie të tjera.
(Ministria e Arsimit)
10. Digjitalizim dhe promovim ndërkombëtar – platformë online ku promovohen talentet shqiptare në nivel global.
(Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministra e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
III. Rekomandime në fushën e edukimit artistik muzikor
1. Të ndërmerren nisma konkrete për zbatimin e 5 të drejtave muzikore bazë dhe të standardeve të “Road map for arts education”, dokument i UNESCO-s i aprovuar në konferencën kushtuar edukimit përmes artit, mbajtur në Lisbonë në mars të vitit 2006.
(Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
2. Të zbatohen detyrimet që rrjedhin nga “Konventa kuadër e të drejtave të fëmijëve”, neni 29 dhe 31, ku theksohet fakti se shtetet duhet të promovojnë të drejtën e fëmijëve për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike, si dhe të drejtën për të pasur mundësi të barabarta rikrijuese në të gjitha llojet e formave kulturore dhe artistike, pasi përmes edukimit fëmijët dhe të rinjtë do të ndërgjegjësohen për larminë e formave kulturore dhe përmes tyre do të mund të njohin tjetrin dhe kulturën e tij, për t’i shërbyer një të ardhmeje në paqe dhe zhvillim.
(Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
3. Të krijohet Komiteti i Edukimit Artistik, që do të diskutojë dhe sugjerojë politikat e arsimit, muzikës, artit, kulturës dhe përfshirjen e tyre edhe në arsimin parauniversitar e universitar, por edhe në politikat e kulturës, duke krijuar harmoni midis tyre.
(Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)
4. Të rishikohet Plani Mësimor i Arsimit Parauniversitar 2025, duke rikthyer lëndën e Muzikës në arsimin 9-vjeçar me 2 orë në javë, sikurse ka qenë në Planin Mësimor të vitit 2000-2007.
(Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave)
5. Të rishikohet statusi i normës së mësuesit të arteve në shkollë, duke i mundësuar që këto lëndë të zhvillohen vetëm nga mësuesi specialist nga klasa 1-12.
(Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave)
6. Të rikthehet tradita e konkurrimeve vjetore të ansambleve artistike dhe koreve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Për shkollat artistike, një herë në dy-tre vjet të organizohen konkurrime kombëtare në qytete të ndryshme.
(Ministria e Arsimit)
7. Rikonceptimi i programeve muzikore në RTSH publik dhe përmes koncerteve të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Transmetimi i muzikës kombëtare në radiot kombëtare dhe vendore. Shtimi i programeve të edukimit muzikor nga TKOBAP përmes organizimit të “Koncerte për familje”.
(Këshilli Drejtues i RTSH, AMA-Autoriteti i Mediave Audiovizive, TKOAB)
8. Krijimi i një muzeu autonom të muzikës pranë institucionit të TKOBAP, ku përmes objekteve muzeore dhe dokumenteve origjinale të paraqitet zhvillimi i muzikës në hapësirën mbarëshqiptare si një institucion i edukimit artistik.
(Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, TKOB)
IV. Rekomandime në fushën e studimeve muzikore e muzikologjisë
1. Themelimi pranë ASHSH-së i një reviste muzikore online.
(Akademia e Shkencave, Komisioni i Përhershëm i Arteve)
2. Krijimi i një portali kombëtar për muzikën shqiptare, një faqe e dedikuar për informacion, analiza, lajme dhe arkiv digjital, që shërben si pikë referimi për studentë, studiues dhe profesionistë të muzikës.
(UART, Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH)
3. Hapja e programeve të reja të studimit në fushën e etnomuzikologjisë, muziko-terapisë dhe teknologjive digjitale të regjistrimeve audio. Mbështetja e studiuesve të rinj, duke u ofruar mjetet, burimet dhe rrjetet e nevojshme për kërkim shkencor dhe krijimtari muzikore, duke nxitur, mbështetur dhe orientuar studiuesit e rinj.
(Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Fakulteti i Muzikës-UART, Akademia e të Rinjve pranë ASHSH)
4. Krijimi i një baze të dhënash për kompozitorët dhe veprat shqiptare, që përfshin biografi, analiza, partitura, regjistrime dhe dokumente historike, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore kombëtare.
(Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH, UART)
5. Krijimi i një platforme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe artistike, që lehtëson shkëmbimin e materialeve didaktike, metodologjive të reja dhe projekteve kërkimore.
(Ministria e Arsimit)
6. Krijimi i një biblioteke dhe arkivi shkencor muzikor, që përmbledhin literaturë, partitura, disertacione dhe publikime kërkimore, duke u bërë burim i domosdoshëm për studentët dhe studiuesit e fushës. Bibliotekat publike të kenë fonde të veçanta për blerjen e produkteve muzikore si CD, DVD, partitura dhe parte muzikore.
(Biblioteka Kombëtare, UART Biblioteka, Shoqatat e Bashkive, Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH)
7. Nxitja e partneriteteve me konservatorë dhe universitete europiane për shkëmbim studentësh, konferenca dhe publikime të përbashkëta.
(Ministria e Arsimit, ASHSH, UART dhe Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH)
Institucionet pjesëmarrëse
• Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës
• Komisioni i Përhershëm i Arteve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve
• Qendra e Studimit të Arteve, ASHSH
• Instituti i Antropologjisë Kulturore, ASHSH
• Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH
• Instituti Albanologjik i Prishtinës, Kosovë
• Fakulteti i Arteve, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Maqedoni e Veriut
• Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit
• Fakulteti i Muzikës në UP, Kosovë
• Liceu Artistik “Jordan Misja”
• Orkestra simfonike e RTSH
• ASCAP
• Qendra e Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes
Komiteti i Nderit
• Akademik Zeqirja Ballata, Kosovë
• Akademik Rauf Dhomi, Kosovë
• Prof. Thoma Gaqi, kompozitor, Shqipëri
• Saimir Pirgu, këngëtar operistik, tenor
• Rame Lahaj, këngëtar operistik, tenor, Kosovë
• Ervis Gega, Drejtore Artistike e Fondacionit Villa Musica Rheinland Pfalz, Gjermani
• Tedi Papavrami, violinist, profesor në shkollën e lartë të muzikës në Gjenevë, përkthyes, shkrimtar
• Prof. Nora Çashku, pianiste, Shqipëri
• Prof. Rafet Rudi, dirigjent-kompozitor, Kosovë
• Prof. Dr. Thomas Simaku, kompozitor, University of York, Angli
• Prof. Alqi Lepuri, dirigjent, Shqipëri
• Prof. Suzana Frashëri, soprano, Shqipëri
• Prof. Robert Prendushi, muzikolog, Itali
• Prof. Dr. Pirro Miso, etnomuzikolog, Shqipëri
• Florian Vlashi, Violinist dhe drejtues i “Grupo Instrumental Siglo XX”, Spanjë
• Dr. Rexhep Munishi, etnomuzikolog, Kosovë
• Dr. Ardian Ahmedaja, Mag. art. Dr. phil. Ardian Ahmedaja (Senior Researcher) Institute for Folk Music Research and Ethnomusicology of the University of Music and Performing Arts Vienna, Austri
Komiteti Organizativ
• Akad. Prof. Dr. Vasil S. Tole
• Prof. Arben Llozi
• Prof. Asoc. Dr. Rovena Vata Mikeli
• Prof. Asoc. Dr. Armira Kapxhiu
• Dr. Denis Bizhga
Pjesëmarrësit
• Prof. Dr. Zana Shuteriqi-Prela, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Dr. Fatmir Hysi, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Asoc. Dr. Rreze Kryeziu Breznica, Fakulteti i Arteve, Departamenti i artit muzikor, Universiteti i Prishtinës, Kosovë
• Dr. Eno Koço, dirigjent/muzikolog (Senior Teaching Fellow) School of Music, University of Leeds, Angli
• Akad. Prof. Dr. Vasil S. Tole, Zv/Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
• Prof. Valton Beqiri, Fakulteti i Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë
• Prof. Arben Llozi, Dekan i Fakultetit të Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Endri Sina, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Dr. Blerina Shalari, Instituti i Antropologjisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Msc. Visar Munishi, Dega e Folklorit, sektori i Etnomuzikologjisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Kosovë
• Mr. Doc Lejla Alimi Lumani, Fakulteti i Arteve, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Maqedoni e Veriut
• Prof. Asoc. Dr. Saimir Shatku, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve
• Prof. Asoc. Dr. Holta Sina, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Petrika Afezolli, Fakulteti i Muzikës, Departamenti Kompozicion-Muzikologji-Dirigjim-Pedagogji, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Blerim Grubi, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Prishtinës, Kosovë
• Prof. Asoc. Dr. Rovena Vata Mikeli, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Dr. Elizabeta Qarri, Fakulteti i Arteve-Universiteti AAB, Prishtinë, Kosovë
• Prof. Pjetër Guralumi, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Prof. Asoc. Dr. Armira Kapxhiu, Fakulteti i Muzikës, Departamenti Kanto, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Dr. Eliona Lici, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë
• Dr. Denis Bizhga, Komisioni i Përhershëm i Arteve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Dr. Kreshnik Duqi, Qendra e Studimit të Arteve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë
• Prof. Asoc. Dr. Majlinda Hala & Mirela Kamsi-Gurakuqi, Fakulteti i Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve, Tiranë & Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP)