Mbyllen punimet e Kongresit të 13-të të Studimeve të Europës Juglindore në Shkup
Në datat 15-19 shtator në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë në Shkup u zhvilluan punimet e Kongresit të 13-të të Studimeve të Europës Juglindore, me orientim nga disiplinat historiografike, studimet e krahasuara në shkenca humane, antikiteti e mesjeta e vonë, gjurmimet filologjike e tekstore, toposet dhe elementet e qytetërimit në kulturat e Ballkanit, shkencat politike, zhvillimet historiko-shoqërore në bashkëkohësi etj.
Në sesionet shkencore tematike të kongresit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua nga studiues me kontribute të spikatura në disa fusha studimore.
Në ditën e parë të kongresit, akademik Pëllumb Xhufi (Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH), drejtues i sesionit shkencor për marrëdhëniet ekonomike dhe ndikimin përkatës që në shekujt e hershëm deri në kohë më të vona, paraqiti punimin me titull “Voskopoja and the Economic Motif of Its Flourishing and Decline”; 
prof. as. dr. Aristotel Spiro (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH), drejtues i sesionit shkencor për shkëmbimet kulturore nga antikiteti, mesjeta deri në kohët e sotme, referoi punimin me titull “The philological sorrows of dead Constantine’s sister on her journey through three languages”.
Dr. Olimbi Velaj (Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës), në sesionin shkencor për rolin e emigrantëve në zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore, paraqiti punimin me titull “The role of intellectuals in the collection of folklore in the Balkans in the 19th century, the first collections of Slavs and Albanians”.
Në ditën e dytë të kongresit, në sesionin shkencor kushtuar çështjeve identitare në Europën Juglindore në një vështrim retrospektiv historik, prof. dr. Paskal Milo (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) paraqiti punimin me titull “Post-Conflict Agreements in the Western Balkans After the Fall of Communism: A Comparative Approach”; 
prof. dr. Ksenofon Krisafi (Universiteti Mesdhetar i Tiranës) paraqiti punimin me titull “The Albanian League of Prizren: The Foundation of the Modern Albanian State”. 
Në sesionin shkencor kushtuar çështjeve të interferencave gjuhësore e kulturore në Europën Juglindore, prof. as. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH), paraqiti punimin “Sur la reconnaissance des éléments représentatifs dans les œuvres de la littérature albanaise ancienne”; 
Dr. Valbona Sinanaj (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH), paraqiti punimin me titull “Bilingualism – opportunities for mutual linguistic, social and cultural interactions”.
Në ditën e tretë të kongresit, në sesionin shkencor për komunikimin dhe shkëmbimet përmes burimeve muzeale, arkivave, fotografisë, kinematografisë, shtypshkrimit në Europën Juglindore, prof. dr. Tomorr Plangarica (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH), paraqiti punimin “Coopération entre les chercheurs et les institutions scientifiques dans les pays de l’Europe du Sud-Est – prémisse d’une institutionalization cognitive/intellectuelle et sociale plus rapide des connaissances et des disciplines scientifiques dans les pays respectifs”.
Punimet shkencore të paraqitura nga profesorët dhe studiuesit shqiptarë në Kongresin e 13-të të “Association Internationale d’Études du Sud-Est Européen” në Shkup, theksuan rëndësinë e qasjeve tematike, ndërdisiplinore të kontekstit shqiptar në një veprimtari ndërkombëtare prestigjioze të përqendruara në zhvillimet e vendeve të rajonit të Ballkanit dhe më gjerë.
Përgatitja për botim e 11 punimeve të plota studimore do të reflektojë angazhimin e studiuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në këtë veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.